Dy punonjës të Policisë së Shtetit janë pezulluar nga detyra në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur më 10 mars 2026 në Bulqizë, ku mbetën të plagosur rëndë tre shtetas.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore bëri të ditur se ka ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, e cila ka caktuar ndaj dy efektivëve masat e sigurimit personal “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Sipas AMP-së, dy punonjësit e policisë dyshohen për veprën penale “shpërdorim i detyrës”.
Të pezulluarit janë inspektori me iniciale D. S., me detyrë në Trupën e Shërbimit të Trafikut Urban dhe Interurban pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, si dhe inspektori tjetër me iniciale D. S., me detyrë në Trupën e Shërbimit të Rendit Publik në Komisariatin e Policisë Bulqizë, po pranë DVP Dibër.
Sipas të dhënave paraprake nga hetimi, caktimi i masave të sigurisë lidhet me mos përmbushjen e detyrave funksionale nga ana e këtyre punonjësve, në kundërshtim me parashikimet e ligjit “Për Policinë e Shtetit”, në raport me ngjarjen ku u plagosën tre persona.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thekson se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, si edhe për të verifikuar përfshirjen e mundshme të punonjësve të tjerë.
Lini një Përgjigje