
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se vendi i tij ndodhet në një "luftë në shkallë të plotë", duke theksuar se përballja nuk zhvillohet vetëm në fushën ushtarake, por edhe në ekonomi dhe në jetën e përditshme të qytetarëve.
Gjatë një mbledhjeje të Këshillit Suprem Gjyqësor, Pezeshkian tha se presionet ndaj Republikës Islamike synojnë jo vetëm sigurinë, por edhe stabilitetin ekonomik e social të vendit.
"Realiteti është se sot Republika Islamike e Iranit është e angazhuar në një luftë në shkallë të plotë", u shpreh presidenti iranian, sipas agjencisë shtetërore IRNA.
Sipas tij, kundërshtarët e Iranit kanë kuptuar se sulmet ushtarake nuk kanë arritur ta detyrojnë popullin iranian të dorëzohet, ndaj përballja është zhvendosur në një tjetër front.
"Kjo nuk është vetëm një luftë me raketa. Ata kanë arritur në përfundimin se nuk mund ta detyrojnë popullin iranian të dorëzohet përmes sulmeve ushtarake", deklaroi Pezeshkian.
Presidenti iranian u ndal edhe te gjendja ekonomike, duke pranuar se qytetarët po përballen me vështirësi serioze dhe se ekonomia është kthyer në fushën kryesore të betejës.
"Është e papranueshme për ne të jetojmë në një shoqëri ku njerëzit përballen me probleme të jetesës, papunësi, varfëri dhe vështirësi", tha ai.
Pezeshkian paralajmëroi se përkeqësimi i kushteve ekonomike mund të ndikojë edhe në stabilitetin social dhe në mbështetjen e qytetarëve ndaj institucioneve.
Sipas të dhënave zyrtare, ekonomia iraniane vijon të përballet me vështirësi të mëdha. Monedha vendase ka humbur ndjeshëm vlerën, papunësia mbetet në nivele të larta, ndërsa inflacioni vjetor në muajin qershor është raportuar në 88%.
Më herët, presidenti iranian ka bërë thirrje për ruajtjen e unitetit kombëtar, duke e cilësuar kohezionin social si një element kyç për përballimin e sfidave me të cilat po përballet vendi.
Lini një Përgjigje