Policia e Tiranës ka publikuar pamje të reja nga operacioni i koduar “Rrjeti”, i cili goditi një grup të dyshuar për trafik dhe shitje të armëve të zjarrit në kryeqytet.
Në video shihet momenti kur një prej të dyshuarve i shet një armë zjarri një agjenti të infiltruar të policisë. Pas dorëzimit të armës, agjenti i jep shumën e parave të dakordësuar, ndërsa në pamje shfaqen edhe personat e përfshirë duke numëruar paratë brenda automjetit.
Publikimi i videos vjen pas operacionit të zhvilluar nga Policia e Tiranës dhe Prokuroria e Tiranës, në kuadër të hetimeve disa mujore ndaj një rrjeti të dyshuar të trafikut të armëve.
Gjatë operacionit u arrestuan Marsel Varka, 35 vjeç, Elsaed Maqinaj, 25 vjeç, Fabian Zako, 29 vjeç dhe Kristaq Biba, 32 vjeç. Ndërkohë, Kevin Vila, 21 vjeç dhe Bledar Avdillari, 20 vjeç, janë shpallur në kërkim.
Sipas policisë, gjatë aksionit u sekuestruan katër pistoleta, tre armë automatike tip kallashnikov, municione, telefona celularë dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.
Autoritetet dyshojnë se armët siguroheshin nga zona të ndryshme të vendit dhe më pas shiteshin në Tiranë. Operacioni “Rrjeti” konsiderohet vazhdim i goditjeve të mëparshme kundër trafikut të armëve, ndërsa gjatë gjithë periudhës hetimore janë arrestuar në total nëntë persona dhe janë sekuestruar 17 armë zjarri, katër kallëpe tritoli, municione, automjete dhe celularë.
Policia ka bërë me dije se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale.
Lini një Përgjigje