TAGS-AT E JAVËS

Kronike10 Qershor 2026, 14:50

Zhdukja e Eglant Koçit, çfarë deklaroi autori i dyshuar dy ditë pas kallëzimit të familjarëve 

Shkruar nga Pamfleti
Zhdukja e Eglant Koçit, çfarë deklaroi autori i dyshuar dy
Armand Shakaj

Prokuroria ka ndryshuar kualifikimin e çështjes për zhdukjen e Eglant Koçit, duke e regjistruar atë si vrasje. Ndërkohë, për këtë ngjarje është shpallur në kërkim Armand Shakaj, emri i të cilit ka dalë gjatë hetimeve të zhvilluara deri më tani.

Burime pranë procesit gjyqësor bëjnë me dije se gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë, prokurori ka deklaruar se Shakaj është marrë në pyetje nga Policia e Tiranës vetëm dy ditë pasi familjarët e Koçit denoncuan zhdukjen e tij.

Gjatë dëshmisë së dhënë para hetuesve, Shakaj ka deklaruar se e njihte prej kohësh Eglant Koçin, duke sqaruar se nëna e këtij të fundit kishte punuar më herët si sanitare.

“E kam njohur Eglant Koçin prej kohësh, pasi nëna e tij ka punuar më herët si sanitare”, mësohet të ketë deklaruar ai.

Sipas burimeve, i dyshuari është shfaqur i shqetësuar për fatin e Koçit dhe ka pretenduar se takimi i fundit mes tyre kishte ndodhur më 3 qershor, një ditë përpara se i riu të humbiste kontaktet me familjen.

“Ai më kishte treguar muajin e fundit (maj) se kishte shqetësime dhe kërcënime që lidheshin me aktivitetin e call center-ave, por më shumë nuk di, pasi nuk më ka thënë gjë tjetër”, ka deklaruar Shakaj gjatë marrjes në pyetje.

Fillimisht, pas dëshmisë së tij, ai është lënë i lirë. Megjithatë, zhvillimet e mëvonshme të hetimit dhe analizimi i pamjeve të kamerave të sigurisë në lokalin që ai administron pranë Ministrisë së Jashtme kanë bërë që emri i tij të përfshihet në listën e personave të shpallur në kërkim.

Hetimet për zbardhjen e plotë të fatit të Eglant Koçit vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për lokalizimin e Armand Shakajt dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

 

zhdukja e eglant kocit

Lini një Përgjigje