Një 35-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Tiranës gjatë një operacioni kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike. I arrestuari është Erald Tafani, i cili u ndalua pranë një njësie pushimi në Bërzhitë.
Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e tij, efektivët sekuestruan 833 gramë kokainë, 576 gramë kanabis, 930 euro që dyshohet se janë përfituar nga shitja e drogës, si dhe automjetin që përdorte.
Sipas hetimeve paraprake, 35-vjeçari e kishte siguruar lëndën narkotike me qëllim tregtimin e saj në sasi të konsiderueshme. Policia dyshon se aktiviteti i tij ishte përqendruar kryesisht në zonën e Bërzhitës dhe në Qytetin Studenti.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor të koduar "Implikimi", i zhvilluar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, e cila do të vijojë hetimet për këtë çështje.
"Sekuestrohen 833 gramë lëndë narkotike Kokainë dhe 576 gramë lëndë narkotike Cannabis Sativa, shumë eurosh e përfituar nga shitja e tyre dhe automjet.
Arrestohet 35-vjeçari që u kap në afërsi të një njësie pushimi, në Bërzhitë, me sasi të këtyre lëndëve, me vete, me qëllim shitjen.
Në vijim të operacioneve të zhvilluara nga Policia e Tiranës, me fokus identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve që individualisht ose në grupe, janë përfshirë në sigurimin dhe shitjen e lëndëve narkotike, në zona të ndryshme të kryeqytetit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve finalizuan operacionin e koduar “Implikimi”.
Gjatë operacionit u ndalua në afërsi të një njësie pushimi, në fshatin Bërzhitë, dhe u vu në pranga shtetasi E. T., 35 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit fizik dhe në banesë, atij iu gjetën:
-833 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë, 576 gramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe 930 euro të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike. Lëndët dhe paratë u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin e të arrestuarit.
Nga hetimet dyshohet se ai i kishte siguruar lëndët narkotike, me qëllim shitjen në sasi të konsiderueshme, kryesisht në zonën ku u kap dhe në Qytet Studenti.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme", njofton policia.
Lini një Përgjigje