
Një tjetër ngjarje e rëndë trondit Shkodrën. Një shpërthim i fuqishëm me tritol ka ndodhur para pak çastesh në lagjen “Skënderbeg”, duke rikthyer edhe një herë frikën në qytetin që prej kohësh është bërë skena e atentateve dhe përplasjeve të dhunshme.
Lënda plasëse ishte vendosur në derën e një biznesi privat, i cili operon në fushën e reklamave dhe marketingut. Fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar, por dëmet materiale janë të shumta.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbardhur motivet dhe autorët. Ndërkohë, asnjë detaj zyrtar nuk është bërë publik lidhur me pronarin e biznesit apo nëse ai ka qenë objekt i ndonjë kërcënimi të mëparshëm.
"Shkodër/Informacion paraprak. Rreth orës 22:20, në lagjen “Skënderbeg”, Shkodër, te dera e një subjekti për reklama, dyshohet se është vendosur lëndë plasëse. Si pasojë ka pasur vetëm dëme materiale", njofton policia.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet për sqarimin e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Shkodra prej vitesh është kthyer në një nga zonat më problematike për ngjarje të rënda kriminale, ku përplasjet me armë, atentatet dhe shpërthimet janë bërë thuajse të zakonshme, pa pasur ende një strategji të qartë për t’i dhënë fund spirales së dhunës.
Lini një Përgjigje