
Një operacion rutinë për arrestimin e një personi të dënuar më parë, për pak është kthyer në një situatë ekstreme rreziku për jetën e punonjësve të Policisë së Korçës. Renato Lipe, 26 vjeç, me precedent penal dhe i konsideruar me rrezikshmëri të lartë, kërcënoi me armë efektivët e policisë që shkuan ta ndalonin në banesë. Pistoleta që ai mbante kishte fishek në fole dhe ishte gati për të qëlluar.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni policor i koduar “Again” u zhvillua pas informacioneve të siguruara nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë dhe strukturave operacionale. Burime pranë policisë bëjnë me dije se i riu refuzoi të hapte derën e banesës dhe nisi të kërcënojë me jetë oficerët që ndodheshin në mision zyrtar. Situata u përshkallëzua deri në ndërhyrjen e forcave të specializuara, të cilët, pas thirrjeve të përsëritura, arritën të neutralizonin të dyshuarin pa shkaktuar viktima.
Në momentin e arrestimit, Lipes iu gjet në shtëpi një armë zjarri tip pistoletë me fishek të vendosur në fole, si dhe municion tjetër luftarak. Ai ishte dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe dyshohet se e kishte siguruar armën në mënyrë të paligjshme, duke sfiduar ligjin dhe autoritetet.
Policia ka sekuestruar armën dhe ka referuar dosjen penale në Prokurorinë e Korçës. Ky është një tjetër rast flagrant që tregon se individë me të shkuar kriminale jo vetëm që nuk rehabilitohen, por kthehen në burim të vazhdueshëm rreziku për strukturat e rendit dhe sigurinë publike. Rasti i Renato Lipes është sinjal alarmi për nevojën e mbikëqyrjes më të rreptë ndaj elementëve problematikë që lëvizin të lirë me armë në dorë.
Njoftimi i Policisë Korçë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Again”, me rrezikshmëri për punonjësit e Policisë.
Mbante armë zjarri në banesë dhe kërcënoi me jetë punonjësit e Policisë, pas thirrjeve të Policisë dhe ndërhyrjes profesionale, vihet në pranga 26-vjeçari.
Sekuestrohet arma e zjarrit tip pistoletë, me fishek në fole gati për qitje, me të cilën ai kërcënoi punonjësit e Policisë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bazë të informacioneve të marra se një shtetas i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje kishte siguruar dhe mbante përsëri armë zjarri, organizuan punën dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Again”.
Në momentin e ndërhyrjes, 26-vjeçari ka kundërshtuar të hapë derën dhe ka kërcënuar me jetë punonjësit e Policisë.
Pas thirrjeve të bëra nga ana e Policisë dhe ndërhyrjes profesionale, u bë e mundur neutralizimi dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit R. L., 26 vjeç, banues në Korçë, person me rrezikshmëri të lartë, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit tip pistoletë me fishek në fole, gati për qitje, dhe municioni luftarak.
Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.
Lini një Përgjigje