Kronike 4 Maj 2023, 10:49

Shpëtohen dy turistët gjermanë të bllokuar në Gjirin e Gramës

Shkruar nga Pamfleti

Shpëtohen dy turistët gjermanë të bllokuar në Gjirin e

Dy turistë gjermanë të bllokuar në Gjirin e Gramës janë shpëtuar nga policia e Vlorës.

Uniformat blu raportojnë se ata kishin mbetur të izoluar pasi kishin ngecur në një terren të thepisur. Një prej turistëve ishte kafshuar nga një qen, por sipas policisë janë në gjendje të mirë shëndetësore.

“Kishin mbetur të izoluar në një terren të vështirë, për shkak të thepisjes, në Gjirin e Gramës, shërbimet e Stacionit të Policisë Orikum dhe ato të Delta Forcës, në bashkëpunim me shërbimet e Urgjencës, iu vijnë në ndihmë 2 turistëve gjermanë.

Kërkimet disaorëshe gjatë mesnatës dhe transportimi me mjetin lundrues të Policisë Kufitare, finalizuan me sukses angazhimin e shërbimeve për të ndihmuar këta 2 turistë. Mbrëmjen e djeshme, shërbimet e Urgjencës Kombëtare kanë njoftuar sallën operative Vlorë, se për shkak të terrenit të thepisur, 2 turistë gjermanë kishin mbetur të izoluar në Gjirin e Gramës dhe se njëri prej tyre ishte kafshuar nga një qen.

Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi, shërbimet e Stacionit të Policisë Orikum dhe ato të Delta Forcës kanë organizuar punën për t’iu shkuar në ndihmë 2 turistëve. Pas disa orësh kërkimi, në kushtet e errësirës, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur gjetjen e 2 turistëve të cilët gjatë eksplorimit, kishin mbetur të izoluar në Gjirin e Gramës, për shkak të terrenit të thepisur të zonës. Pas lokalizimit dhe gjetjes, të 2 turistët janë transportuar me mjetin lundrues të Policisë Kufitare, me qëllim ofrimin sa më të shpejtë të asistencës mjekësore. Të dy turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Turistët gjermanë kanë falënderuar shërbimet e Policisë dhe ato mbështetëse, për reagimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar për t’iu ardhur në ndihmë, turistëve që vizitojnë Vlorën dhe gjithë Shqipërinë. DVP Vlorë fton qytetarët që për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112”, thuhet në njoftimin e policisë.

gjiri i grames dy turiste gjermane