
Teksa Taulant Balla merret me parkimet e gabuara dhe arrestimin e atyre me një boçe hashash, bandat po bëjnë namin...
Shqipëria duket se ka rënë në dorë të krimit. Taulant Balla e mori detyrën me premtimin se do të shfaroste krimin e organizuar, por në fakt situata ka dalë jashtë kontrollit. Teksa Ministri i Brendshëm merret me parkimet e gabuar dhe sigurinë në shkolla, çdo ditë vriten njerëz.
Në 2 ditët e fundit të kësaj jave ka pasur 3 atentate me 3 viktima, ndërsa javën që lamë pas po ashtu u ekzekutua një tjetër person.
Ngjarja e parë ndodhi në Shkodër më 21 shtator ku u ekzekutua pranë banesës një 33-vjeçar. Sherri për parkimin dyshohet se ka qenë shkak i vrasjes së 33-vjeçarit Valter Fierza në fshatin Hot i Ri. I gjithë konflikti nisi mes vëllait të viktimës Kolë Fierza dhe autorit të dyshuar të vrasjes. Debati nisi në një lokal afër banesave lidhur me parkimin duke pretenduar se është bllokuar rruga. Rreth një orë pas këtij debati, konflikti ka vijuar mes viktimës Valter Fierza dhe autorit të dyshuar.
Pas debatit autori, që është edhe fqinj, me 33-vjeçarin ka marrë armën dhe i ka bërë pritë duke e vrarë në vend. Ishin familjarët e viktimës, ata të cilët e kanë gjetur të vdekur në mes të rrugës, afër makinës së tij. Pas vrasjes autori i dyshuar është larguar në drejtim të paditur.
Të martën krimi goditi sërish. Atentati i radhë ishte në Rrëshen dhe u qëllua për vdekje Martin Bardhi. Ndaj tij u hap zjarr nga dy persona të maskuar, ku mbetën të plagosur dhe 3 persona të tjerë që ishin ulur në një tavolinë me viktimën. Në mars të këtij viti Martin Bardhi u arrestua pasi bashkë me të birin Erind Bardhi, qëlluan me armë zjarri drejt makinës së Sajmir Reçit, 41 vjeç ku për pasojë humbi kontrollin. Sajmir Reçi është nipi i Kastriot Reçit. Viktima Martin Bardhi kishte pak kohë që ishte liruar nga burgu.
Atentati tjetër ndodhi pak pa mesnatës së sotme në Sukth. Mësohet se viktima është Fatjon Dervishi, nipi i një personazhi të njohur në zonën e Sukthit. Ndaj viktimës u qëllua me breshëri arme nga persona të panjohur. 38-vjeçari ndërroi jetë në spital. 38-vjeçari sipas burimeve ishte nipi i “Arapit të Sukthit”, një personazh i njohur ky për drejtësinë.
Ai është person me precedent kriminal në trafikun e lëndëve narkotike dhe i skeduar për vrasje. Në vitin 1991 është akuzuar për vrasjen e A.Cyrbja.
Ndërkohë, viktima është banor i zonës Katund Sukth dhe nuk është person me precedent të mëparshëm penal.
Ndërsa vrasja e katërt ka ndodhur sot rreth orës 18.00 në Dukagjin të Shkodrës. Mësohet se Zef Guri dhe Gjin Guri, babë e bir kanë rënë pre e një sulmi me armë. Sipas policisë, të dy kanë mbetur të plagosur, por Zef Guri ka ndërruar jetë pak minuta më pas. Polici është nisur me helikopter për shkak të terrenit të thyer. Shkak dyshohet se janë pazaret e drogës.
Pra duket se ministri Balla ka nisur me këmbën e mbarë, pasi kështu si ka nisur nuk dihet se si do përfundojë nëse policia rri e merret me parkimet dhe arrestimin e “spaçatorëve” pranë shkollave. /Pamfleti