TAGS-AT E JAVËS

Kronike 4 Qershor 2026, 16:42

Siguroi kushtet për të eliminuar dy ‘të fortët' e Vlorës, GJKKO dënon me 7 vite e 4 muaj burg Erio Zejnon!

Shkruar nga Pamfleti
Siguroi kushtet për të eliminuar dy ‘të fortët' e
Foto ilustruese

Zejno dyshohet se ka pasur rol në sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për realizimin e një atentati të planifikuar në Vlorë ndaj Inez Hajrullës, i njohur me nofkën “Sakati”, dhe Ervis Matodashajt, i njohur si “Qorri”.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 7 vite e 4 muaj burg shtetasin Erio Zejno, i akuzuar për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal dhe sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve.

Vendimi u shpall këtë të enjte, pasi trupi gjykues e gjeti fajtor për veprat penale të “Sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve” si dhe “Pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”.

Sipas vendimit, fillimisht Zejno u dënua me 11 vite burgim, por për shkak se procesi u zhvillua me procedurën e gjykimit të shkurtuar, ai përfitoi uljen e një të tretës së dënimit. Në përfundim, Gjykata caktoi ndaj tij masën përfundimtare prej 7 vite e 4 muaj burg, dënim që do të vuhet në një institucion të sigurisë së lartë.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, Zejno dyshohet se ka pasur rol në sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për realizimin e një atentati të planifikuar në Vlorë ndaj Inez Hajrullës, i njohur me nofkën “Sakati”, dhe Ervis Matodashajt, i njohur si “Qorri”.

SPAK ka dërguar për gjykim në të njëjtën dosje edhe Leonard Luzin, Amarildo Nikollin dhe Muharem Koroveshin. Sipas organit të akuzës, Leonard Luzi konsiderohet porositësi i atentatit, ndërsa Amarildo Nikolli ishte personi i ngarkuar për ekzekutimin e vrasjeve.

Ndërkohë, Erio Zejno dhe Muharem Koroveshi akuzohen se kanë siguruar armët që do të përdoreshin për kryerjen e krimit. Prokuroria pretendon se secili prej të pandehurve kishte role të përcaktuara brenda grupit kriminal, në funksion të realizimit të atentatit.

Përveç dënimit me burg, Gjykata e Posaçme ka vendosur që Zejno të përballojë edhe shpenzimet procedurale të hetimit, në mënyrë solidare me bashkëpandehurit e tjerë.

Vendimi nuk është i formës së prerë dhe mund të ankimohet nga palët në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda afatit ligjor prej 15 ditësh.

erio zejno inez hajrulla atentat

Lini një Përgjigje