Dy aksidente rrugore janë regjistruar brenda pak orësh në Fier dhe Korçë, ku si pasojë kanë mbetur të plagosur dy drejtues mjetesh, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja e parë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në unazën lindore të qytetit të Fierit, ku një automjet, pasi nuk i është bindur urdhrit të Policisë për ndalim, është përplasur me një mjet të parkuar në tentativë për t’u larguar.
Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i automjetit ka mbetur i dëmtuar dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit, ku po merr ndihmë mjekësore. Sipas burimeve, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje ndërhynë menjëherë shërbimet e Policisë, zjarrfikësit dhe grupi hetimor, ndërsa drejtuesi i mjetit pritet të shoqërohet në komisariat.
Ndërkohë, një aksident tjetër i rëndë është regjistruar më herët në aksin rrugor Korçë–Pogradec, në afërsi të fshatit Sovjan. Sipas të dhënave paraprake, drejtuesi i një automjeti tip “Benz” ka humbur kontrollin dhe është përplasur me barrierat mbrojtëse pranë kryqëzimit, duke përfunduar në anë të rrugës.
Si pasojë, drejtuesi i mjetit ka marrë lëndime serioze dhe është dërguar në spitalin rajonal të Korçës. Burime nga spitali bëjnë me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme.
Lini një Përgjigje