Kronike14 Qershor 2023, 16:54

Tentoi tu shiste makinën e marrë me qira, 2 vëllezër dhe shoku i tyre rrëmbejnë 22-vjeçarin në Kavajë

Shkruar nga Pamfleti

Tentoi tu shiste makinën e marrë me qira, 2 vëllezër dhe

Tre persona kanë rënë në prangat e policisë së Kavajës ditën e sotme pasi kanë marrë peng dhe kanë dhunuar një 22-vjeçar pasi ky i fundit kishte tentuar t'i mashtronte.

Uniformat blu njoftojnë se të arrestuar janë Kristi dhe Enea Dilo (vëllezër), Renaldo Shala (shoku i tyre) dhe Xhuljano Diko (personi i dhunuar). Autorët dyshonin se 22-vjeçari i kishte mashtruar për të shitur një automjet të cilin e kishte marrë me qira, për vlerën 4000 euro.

“I hoqën lirinë një 22-vjeçari dhe e dhunuan atë, pasi pretendonin se i kishte mashtruar për të shitur një automjet me vlerë 4000 euro, kapen menjëherë pas njoftimit dhe vihen në pranga 3 shtetas (2 prej tyre vëllezër). Vihet në pranga edhe 22-vjeçari, për dyshime për mashtrim. U arrestuan shtetasit Kristi dhe Enea Dilo, Renaldo Shala, Xhuljano Diko. Sekuestrohet automjeti për shitjen e të cilit dyshohet se ka mashtruar 22-vjeçari.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se disa shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kishin hequr lirinë për disa minuta, një 22-vjeçari, dhe e kishin dhunuar atë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Preteksti”. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale, u bë e mundur zbardhja e plotë e këtij rasti, si dhe kapja dhe arrestimi i shtetasve përgjegjës, konkretisht i shtetasve: K. D., 32 vjeç dhe E. D., 34 vjeç, të dy banues në Tiranë (vëllezër), si dhe i shtetasit R. Sh, 25 vjeç, banues në Durrës.

Nga këto veprime dyshohet se këta 3 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë marrë me forcë në një automjet, shtetasin Xh. D., e kanë dhunuar atë dhe i kanë hequr lirinë për disa minuta, pasi pretendonin se ky shtetas kishte mashtruar shtetasin R. Sh., për t’i shitur një automjet me vlerë 4000 euro, të cilin e kishte marrë me qira, nga shtetasit K. D. dhe E. D. Në kuadër të këtij operacioni u arrestua edhe shtetasi Xh. D., 22 vjeç, banues në Durrës, si autor i dyshuar i këtij rasti mashtrimi. Në cilësinë e provës materiale u gjet dhe u sekuestrua automjeti për të cilin dyshohet se ka mashtruar shtetasi Xh. D. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.”, njofton policia.

kavaje pengmarrje mashtrim arrestim