Kronike 4 Dhjetor 2023, 18:12

Tjetër funksionar i policisë i lidhur me krimin/ Pezullohet Nënkomisari në Fier, favorizonte shpërndarësit e drogës

Shkruar nga Pamfleti

Tjetër funksionar i policisë i lidhur me krimin/ Pezullohet

Një tjetër funksionar policie ka rezultuar i lidhur me krimin. Pas shefit të Kufirit në Korçë, që lejoi kalimin e kanabisit drejt Greqisë, është zbuluar se lidhje me trafikun e drogës ka dhe nënkomisari i policisë në Fier, Taulant Ismailaj.

Ky i fundit është zbuluar se nuk ka arrestuar qëllimisht shpërndarësit e drogës në qytet dhe për këtë arsye është pezulluar nga detyra.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Fier - Berat) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, e cila ka caktuar masën shtrënguese “Ndalim për të dalë jashtë shtetit” dhe masën ndaluese “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për Nënkomisar T.I., me detyrë Specialist i Seksionit të Luftës Kundër Narkotikëve në DVP Fier, i dyshuar për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Nga hetimet rezulton se Nënkomisari ka kryer veprimtari kriminale në dëm të interesave të shtetit. Ai dyshohet se ka favorizuar shpërndarës të lëndëve narkotike duke mos i arrestuar, në rastet e flagrancës nga Policia e Shtetit”, njofton Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Pak ditë më parë, policia arrestoi ish-shefin e Kufirit në Korçë, Stiljan Pashon, pasi ai ndihmoi të kalonte pa u kontrolluar një makinë në Doganën e Kapshticës,  në të cilën u gjetën 27 kg lëndë narkotike.

Ai përdori postin e tij si shef i kufirit për të favorizuar Lorenc Likën të kalonte drogën drejt Greqisë duke urdhëruar vartësit të mos e kontrollonin të njohurin e tij. Sipas prokurorisë kjo ka ndodhur disa herë.