Policia ka arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në trafikimin e emigrantëve nga vendet e treta drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Sipas policisë, në pranga kanë rënë shtetasit Hysni Stërmungu, 28 vjeç, Helidon Dhima, 43 vjeç dhe Hassan Mobin, 28 vjeç.
Sipas policisë, Hysni Stërmungu dhe Helidon Dhima u kapën në flagrancë pranë rrethrrotullimit të Rinasit, ndërsa transportonin me automjet pesë emigrantë. Dyshohet se ata u kishin premtuar kalimin drejt Italisë kundrejt pagesës prej 2,500 euro për person.
Nga hetimet paraprake rezulton se shtetasi Hassan Mobin dyshohet të ishte i përfshirë në organizimin dhe grumbullimin e emigrantëve përpara transportimit të tyre.
"Arrestohen 2 shtetas që u kapën duke transportuar emigrantë që synonin të kalonin ilegalisht në shtetet e BE-së, kundrejt pagesës. Në pranga dhe një shtetas i huaj, i cili merrej me organizimin dhe grumbullimin e emigrantëve. Sekuestrohet automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët.
Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta drejt vendeve të BE-së, specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Tiranë goditën një tjetër rast, duke vënë në pranga shtetasit: H. S., 28 vjeç, H. Dh., 43 vjeç dhe H. M., 28 vjeç.
Shtetasit H. S. dhe H. Dh. janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, te rrethrrotullimi i Rinasit, duke transportuar me një automjet 5 emigrantë, të cilëve, kundrejt pagesës 2500 euro secilit, iu kishin premtuar transportimin me destinacion final shtetin italian.
Ndërkaq, nga hetimi dyshohet se shtetasi H. M. merrej me organizimin dhe grumbullimin e emigrantëve.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon hetimi për të identifikuar dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.", njofton policia.
Lini një Përgjigje