Mijëra qytetarë po protestojnë kundër projekteve turistike në Nartë dhe Sazan, duke paralajmëruar se ato rrezikojnë natyrën, pronën publike dhe komunitetet lokale. Ndërkohë, qeveria i cilëson këto investime si një mundësi historike për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë...
Në Shqipëri, një projekt për ndërtimin e një resorti luksoz ka nxitur zemërim dhe kundërshtim të fortë nga qytetarët. Sipas protestuesve, ai rrezikon të shkatërrojë një nga zonat më të veçanta të mbrojtura në vend, habitat i mijëra shpendëve shtegtarë dhe flamingove.
Prej javësh, çdo ditë në orën 19:00, dhjetëra mijëra qytetarë mblidhen para godinës së Kryeministrisë në Tiranë. Mes tyre ka studentë, familje, pensionistë, punëtorë dhe persona me aftësi të kufizuara. Sipas tyre, në rrezik nuk është vetëm natyra, por edhe e drejta e pronës.
“Shqipëria duhet të ndryshojë rrënjësisht, sidomos në aspektin ekonomik. Unë paguaj një qira shumë të lartë dhe, si person me aftësi të kufizuara, marr shumë pak mbështetje. Askush nuk e përballon më koston e jetesës. Por tani, pas gati një muaji protestash, ndiej se diçka po ndryshon”, thotë një prej protestueseve.
Protestat kanë shpërthyer kundër planeve të qeverisë për ta shndërruar zonën e mbrojtur të Nartës në një resort gjigant luksoz. “Edhe opozita në këtë rast mbështet hapur investitorët që kërkojnë të ndërtojnë në këtë zonë të mbrojtur. Qeveria dhe opozita janë në një mendje dhe këtë nuk mund ta pranojmë”, shprehet një protestues tjetër.
Vetëm pak kohë më parë, Shqipëria, vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dobësoi ndjeshëm statusin ligjor të zonave të mbrojtura, pa debat publik dhe, sipas kritikëve, në kundërshtim me standardet e Bashkimit Evropian.
“Ata e quajnë zhvillim, por në të vërtetë është privatizim i pasurive publike. Bëhet fjalë edhe për pastrim parash, si dhe për dëbimin e komuniteteve nga tokat e tyre. Mbi të gjitha, po shkelet ëndrra jonë për një shtet demokratik, me institucione funksionale dhe një shoqëri të drejtë”, deklaron një qytetar.
Një tjetër shkak që ushqeu protestat ishin planet për ta kthyer ishullin e Sazanit, dikur bazë ushtarake, në një kompleks hotelesh luksoze, projekt i lidhur me Ivanka Trump dhe bashkëshortin e saj, Jared Kushner.
“Ishim në jahtin e një miku dhe ndaluam për të notuar. Kështu e zbuluam ishullin. Dolëm në breg me not dhe u ngjitëm zbathur deri në majë. U mahnitëm menjëherë dhe nuk mundëm ta harronim më. Me kalimin e viteve, na u krijua mundësia të kontribuojmë në zhvillimin e potencialit të tij, por gjithmonë me shumë kujdes dhe respekt për natyrën, sepse është një vend i jashtëzakonshëm”, shprehet Ivanka Trump.
Kosta Xhaho, një nga ambientalistët më të njohur në Shqipëri, thotë se bëhet fjalë për një nga peizazhet bregdetare me vlerën më të lartë ekologjike në të gjithë Mesdheun. Sipas tij, turizmi luksoz do të ndryshonte përgjithmonë karakterin e ishullit dhe të rezervatit detar.
Ai shpreh edhe dyshime për pretendimet e Ivanka Trump. “Atje ndodhet e vetmja pikë ku mund të zbresësh në ishull. Siç e patë edhe vetë, nga ana perëndimore dhe jugore është pothuajse e pamundur të dalësh në breg. Nuk e imagjinoj se si Ivanka Trump ka mundur të zbresë në tokë dhe të ecë zbathur. Nëse merret kjo pjesë e ishullit, praktikisht kontrollohet i gjithë Sazani”, nënvizon ai.
Sot, ishulli vizitohet kryesisht nga turistë të interesuar për historinë e tij ushtarake. Gjatë regjimit komunist, Enver Hoxha ndërtoi aty rreth 3.600 bunkerë dhe objekte ushtarake.
“Kjo është pikërisht zona ku projekti parashikon ndërtimin e bungalove luksoze. Në Shqipëri ndodh shpesh e njëjta gjë: para se të nisë një projekt ndërtimi, shpërthen një zjarr. Edhe këtu, dy vjet më parë, pati zjarrvënie të qëllimshme dhe pylli me pisha u shkatërrua. Atëherë krijohet përshtypja se do të ndodhë diçka e madhe”, thotë ai.
Dikur në Sazan jetonin familjet e oficerëve, të cilat kishin kushte të privilegjuara, me shkollë, kinema dhe spital. Ishulli ishte i fortifikuar dhe konsiderohej një pikë strategjike për mbrojtjen e Shqipërisë nga çdo pushtim i mundshëm.
Për turistët që e vizitojnë sot, kjo mund të jetë një nga mundësitë e fundit për ta parë ishullin në gjendjen e tij natyrore. Pjesa më e madhe dhe më fitimprurëse e resortit planifikohet të ndërtohet në bregun përballë.
Një brez dunash i paprekur, rreth 10 kilometra i gjatë, pritet të shndërrohet në një kompleks luksoz me 10.000 shtretër, i pajisur edhe me marinë për jahte. Punimet, që sipas ambientalistëve nisën në mënyrë të paligjshme në mes të zonës së mbrojtur, fillimisht mobilizuan vetëm banorët dhe organizatat mjedisore.
“Nëse Shqipëria dëshiron të jetë konkurruese në turizëm, nuk duhet ta ndërtojë modelin e saj mbi shfrytëzimin e pakontrolluar të natyrës. Nuk ka nevojë për resorte gjigante dhe infrastrukturë masive, si aeroporti i ri pranë lagunës. Përkundrazi, duhet të mbrojë biodiversitetin dhe pasuritë natyrore, sepse pikërisht për to vizitorët zgjedhin Shqipërinë”, thekson Xhaho.
Megjithatë, Kryeministri Edi Rama mbetet i vendosur. “Ne do ta realizojmë këtë projekt. Bëhet fjalë për një investim mbi 4 miliardë euro. Do ta realizojmë dhe do të jemi krenarë që do t’i ofrojmë Evropës një projekt kaq ambicioz, siç nuk është parë prej kohësh”, thotë ai.
Ndërkohë, mbetet e paqartë se çfarë e pret peizazhin e dunave dhe lagunës së Nartës. Gardhet e kantierit u hoqën përkohësisht, një fitore e pjesshme për protestuesit, por pa garanci për zhvillimet e ardhshme.
Në qendër të Tiranës, panorama ka ndryshuar rrënjësisht. Gjatë 13 viteve të qeverisjes së Edi Ramës janë ndërtuar dhjetëra kulla moderne banimi dhe biznesi, të projektuara nga studio të njohura ndërkombëtare. Kritikët pretendojnë se shumë prej tyre janë realizuar përmes procedurave jo transparente dhe pa konsultim publik.
Urbanistja Doriana Muçaj paralajmëron se Shqipëria po humbet kontrollin mbi pasuritë e saj. “Qeveria e paraqet këtë model zhvillimi si të vetmin të mundshëm, por kjo nuk është e vërtetë. Nëse qytetarët përjashtohen nga vendimmarrja, atëherë kemi të bëjmë me një model thellësisht të gabuar. Pikërisht për këtë arsye protestat janë bërë kaq të mëdha”, shprehet ekspertja.
Sipas saj, komunitetet lokale rrezikojnë të humbasin jo vetëm ndikimin në vendimmarrje, por edhe banesat dhe hapësirat natyrore përreth tyre. Një bllok banimi pranë qendrës së Tiranës u shemb me forcë disa vite më parë.
Ndërtimet që do ta zëvendësonin mbetën të papërfunduara, ndërsa disa nga ndërtuesit dhe zyrtarët vendorë përfunduan në burg. Megjithatë, për shumicën e qytetarëve ka ndryshuar shumë pak. Pagat mbeten të ulëta, kostoja e jetesës vazhdon të rritet dhe pothuajse një e treta e shqiptarëve është larguar jashtë vendit.
Sot, shumë prej tyre po kthehen për t’iu bashkuar protestave, me shpresën se mund të mbrojnë bukurinë e rrallë të Shqipërisë dhe t’i japin fund sundimit të elitës së korruptuar./Pamfleti nga “ZDF”
Gjithe bota lulezon nga investimet ketu Injoranca ka dal e proteston kundër investimeve nje dem shume i madhe per te ardhmen
Nuk behet fjale vetem per keto. Rumania do qendrën e Sarandës, Greqia Himaren dhe krejt bregdetin dhe Bullgaria Dibrën dhe Pogradecin. Zverneci eshte crshtja me e papërfillshme.
Prit kur te filloje sherri me 7501 qe na rrembeu me toka e troje. Mire i kane thene, rane malet e u ngriten halet.