TAGS-AT E JAVËS

Kronike14 Dhjetor 2025, 11:51

Sulmuan shitësin dhe vodhën 100 mijë lekë; kapet njëri nga autorët, dy të tjerët në kërkim

Shkruar nga Pamfleti

Sulmuan shitësin dhe vodhën 100 mijë lekë; kapet njëri

Një ngjarje e rëndë u regjistrua në zonën e njohur si “Kthesa e Kamzës”, ku tre persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë ushtruar dhunë ndaj një shitësi të një biznesi (tabachino) dhe i kanë grabitur një shumë prej 100 000 lekësh të rinj. Falë reagimit të shpejtë të Policisë së Tiranës, njëri nga autorët është arrestuar, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Reaction”, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin Nr. 6 kanë bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e shtetasit M. A., 33 vjeç, i cili gjatë momentit të ndalimit në rrugën “Sabaudin Gabrani” ka kundërshtuar me dhunë efektivët e Policisë.

Ndërkohë, janë shpallur në kërkim bashkëpunëtorët e tij, E. H., 35 vjeç, dhe G. L., 34 vjeç, të cilët dyshohet se kanë qenë pjesë e planit për të grabitur me dhunë shitësin e biznesit. Sipas Policisë, autorët kanë goditur fizikisht viktimën për t’i marrë paratë.

Vijojnë hetimet për të verifikuar nëse këta shtetas janë të përfshirë në vjedhje të tjera me të njëjtin modus operandi. Materialet për këtë ngjarje i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim.

Lini një Përgjigje