
Autori i dyshuar i vrasjes së Martin Canit, Marjo Përlleshaj ka dëshmuar për herë të parë në Gjykatën e Tiranës, ku po zhvillohet procesi ndaj tij. Dëshmia ishte kërkuar nga prokuroria dhe është bërë në prani të psikologut. Mësohet se në shumicën e përgjigjeve për pyetje që kishin të bënin me dinamikën e ngjarjes, i mituri është shprehur se nuk mbante mend.
Sa i takon mjetit prerës, ka deklaruar se nuk ka patur thikë me vete atë ditë, por se e ka gjetur mjet prerës në rrugë. Ai pranon se shkaqet e sherrit ishin vijim i debateve të 3 ditëve para ngjarjes ku ka pretenduar se është goditur me grushte nga Martin Cani. Ky i fundit i ka dërguar ftesë në “SnapChat” sipas te pandehurit, ku kanë vijuar debatet.
Autori i dyshuar pretendon se e kanë lënë të sqarohen të hënën, ditë kur edhe ka ndodhur ngjarja e rëndë. Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura, ndërsa prokuroria dhe gjykata janë interesuar vazhdimisht, duke paralajmëruar palët që të ruajnë sekretin hetimor për shkak të moshës së mitur të autorit dhe viktimës.
Kujtojmë që ngjarja e rëndë u regjistrua më 18 nëntor 2024 në Tiranë vetëm 200 metër larg shkollës “Fan Noli”.
Lini një Përgjigje