
Këto janë pamjet e fundit të 51-vjeçarit Valbon Beqiraj, para se të vritej me thikë mëngjesin e së mërkurës së shkuar në Durrës. Siç shihet në videon e siguruar nga TV Klan, viktima, i cili mban një çantë në krah, i drejtohet banesës së tij rreth orës 09:30 të mëngjesit. Në dorë ai ka celularin e tij, me të cilin po komunikon me mesazhe.
Burime pranë grupit hetimor kanë deklaruar se në atë moment ka qenë duke shkëmbyer mesazhe me autorin e krimit, T.T. Vetëm pak minuta më vonë, ky i fundit ka shkuar në banesën e viktimës, ku dyshohet se është konfliktuar me të, e më pas e ka goditur me thikë disa herë, duke e lënë të vdekur.
Pasi ka kryer krimin, kamerat në zonë kanë fiksuar autorin teksa largohet. Ai ecën qetësisht dhe në dorë mban një rrobë, në përpjekje për të mbuluar fytyrën.
Pikërisht këto pamje, por edhe mesazhet në celularin e viktimës, kanë ndihmuar hetuesit në zbardhjen e krimit të rëndë, ku veç autorit, në pranga është vendosur edhe një shok i tij që e dërgoi me taksi në banesë.
Të dy ata janë lënë në burg nga Gjykata e Durrësit. Sipas hetimeve të prokurorisë dhe policisë së këtij qyteti, ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, me autorin që kishte shkuar në banesën e viktimës për të blerë lëndë narkotike.
Lini një Përgjigje