TAGS-AT E JAVËS

Kronike28 Shtator 2025, 13:40

Vrasja në Tepelenë, zbardhet roli i bariut si dëshmitar; vrasësit pjesë e rrethit të biznesmenit italian

Shkruar nga Pamfleti

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e një dite më parë në Tepelënë, ku dhe u vra biznesmeni italian, Edoardo Sarchi.

Vrasja në Tepelenë, zbardhet roli i bariut si dëshmitar;
Viktima Edorado Sarchi

24 orët e fundit kanë qenë sfiduese për Policinë dhe Prokurorinë e Gjirokastrës për të gjetur një përgjigje se kush fshihet pas vrasjes së biznesmenit italian Edorado Sarchi, pak pas mesnatës së të premtes në zonën e Salarisë në Tepelenë.

Armir Hitoveizi, banor i zonës së Dilanit pranë Selenicës në Tepelenë, është 1 nga 4 dëshmitarët që u pyetën nga grupit hetimor i Gjirokastrës për vrasjen e biznesmenit italian Edoardo Sarchi 44 vjeç, një ditë më parë.

Teksa roli i 3 të tjerëve, Eqerem Braçit dhe dy djemve të tij Gazmend e Daniel, është i ditur sipas pretendimeve dhe versionit të tyre të cilët kanë qenë së bashku me biznesmenin italian kur u sulmuan me armë, ajo që nuk dihej ishte fakti përse bariu u gjend aty në orët e para të mëngjesit të së shtunës, pak pas mesnate, në ora 00:30.

Mësohet se bariu Hitoveizi ka një stan rreth 200 metra më tutje vendit që është regjistruar si skenë krimi.

Sipas informacioneve, bariu ka qenë duke udhëtuar me makinë dhe mbeti në rrugë për shkak se i mbaroi karburanti. Duke qenë se ishte aty pranë, ai ndaloi te vendngjarja, pra rreth 200 metra larg stanit të tij të bagëtive.

Njësoj si dhe familja Braçi, ai deklaroi për hetuesit se pati dëgjuar 3 të shtëna me armë zjarri, të qëlluara nga një person misterioz.

Për vrasjen e biznesmenit italian, e vetmja e dhënë në dorë të hetuesve janë dëshmitë e dëshmitarëve okularë, të cilët pretendojnë se vrasja u krye nga një person i cili lëvizte në këmbë. Por, këto dëshmi nuk kryqëzohen me të dhëna të tjera, pasi në zonë mungojnë kamerat e sigurisë, si edhe në vendngjarje nuk është gjetur asnjë gëzhojë.

Pavarësisht provave të pakta materiale, grupi hetimor po e zgjeron hetimin në lidhje me konfliktet e mundshme të biznesmenit. Po ashtu, po ndiqet itinerari i tij 24-orësh mbi lëvizjet dhe kontaktet që ai ka pasur, për të zbuluar se kush kishte dijeni në lidhje me vendndodhjen e tij. Dyshimet janë se vrasësit ose bashkëpunëtorët në krim janë pjesë e rrethit të biznesmenit.

Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Salari, ndërsa rreth orës 00:30, në vendin e quajtur “Dilan”, është gjetur trupi i pajetë i biznesmenit italian Edoardo Sarchi.

Sipas shenjave në vendin e ngjarjes, mendohet se trupi i viktimës është zvarritur dhe nxjerrë në anën tjetër të rrugës.

“Nuk dihet nëse është munduar të dalë vetë apo ka qenë i dyshuari që e ka bërë këtë veprim”, ka raportuar më herët gazetarja për ngjarjen.

Zona ku ka ndodhur ngjarja është një zonë mjaft e frekuntuar. Biznesmeni italian Edoardo Sarchi jetonte prej 20 vitesh në Tiranë dhe shpesh shkonte në Salari të Tepelenës për shkak të pasionit të tij për gjuetinë.

 

edorado sarchi vrasja e biznesmenit italian në tepelenë

2 Komente

  1. E
    Edi

    pra krisma nuk ka patur????

    1. Y
      Ylli

      E zbulon shefi i Tepelenes qe ka parcelat me hashash ne ate zone, miku i Prodes. Ja sa te na vendose adresat e reja do jape nje dore dhe Ministrja se eshte e zene pak me kete pune, Drejtori i Pergjithshem nuk ka kohe te meret me vrasjet se ka pune me bandat

      Lini një Përgjigje