Vrasja e Kreshnik Mujecit dhe bashkëshortes së tij 32-vjeçare, Gentiana, një ditë më parë në Lezhë, ka tronditur opinionin publik.
Duke komentuar ngjarjen në studio, ish-prokurori Ervin Karanxha tha se rasti tregon, sipas tij, dështimin e sistemit të drejtësisë dhe të reformës në drejtësi, për shkak të zvarritjes së proceseve për një periudhë 10-vjeçare.
“Këtu kemi 10 vite procese, tregon dështim të reformës në drejtësi. Po të ishte zgjidhur, të kishte prova, mund të ishte evituar”, u shpreh Karanxha.
Ai e lidhi ngjarjen me dyshimet për gjakmarrje, duke theksuar se kjo vepër, ashtu si hakmarrja, parashikohet nga Kodi Penal.
“Ky është rasti i dytë, i pari ishte ai i gjyqtarit Kalaja. Janë lënë katër fëmijë jetimë. Vrasja, nga të dhënat që kemi parë, është për gjakmarrje, jo hakmarrje”, tha ish-prokurori.
Karanxha shtoi se, edhe sipas rregullave zakonore të Kanunit të Lekë Dukagjinit, gruaja nuk përfshihet në gjakmarrje.
“Ka një rregull si mund të merret gjaku, gruaja nuk përfshihet te Kanuni i Lekë Dukagjinit. Shpresojmë të zgjidhet sa më shpejt, sepse po ndikon në shoqërinë tonë”, u shpreh ai.
Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të sqarojnë rrethanat e plota dhe motivet e vrasjes.
Lini një Përgjigje