Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike zhvilloi këtë të martë mbledhjen e radhës, ku një nga pikat kryesore të rendit të ditës ishte shqyrtimi i projektligjit për mbrojtjen e tokave bujqësore.
Gjatë diskutimeve, vëmendja u përqendrua te ndikimi që mund të kenë impiantet eolike në tokën bujqësore. Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, kundërshtoi parashikimet e projektligjit, duke argumentuar se ndërtimi i këtyre impianteve kërkon shpime në tokë dhe baza të mëdha betoni, çka sipas tij do të dëmtonte sipërfaqet bujqësore.
Qëndrimi i tij u mbështet edhe nga deputeti socialist Damian Gjiknuri, i cili, së bashku me dy deputetët e PD-së, votoi kundër nenit të parë të projektligjit. Më pas ai kërkoi sqarime nga përfaqësuesit e institucionit përgjegjës, të cilët shpjeguan se strukturat do të vendosen drejtpërdrejt në tokë, pa përdorur platforma betoni.
“Që të vësh një kullë për ‘Wind farm’, është 100 metra e lartë dhe nuk ka shans të vendoset pa strukturë betoni. Bëhet fjalë për kulla shumë të larta. Nuk jam i bindur me shpjegimet tuaja”, u shpreh Gjiknuri.
Debati vijoi edhe në fazën e votimit të projektligjit në tërësi. Deputeti Gent Strazimiri kërkoi të bënte pyetje të tjera lidhur me paqartësitë që, sipas tij, mbeteshin në tekstin e ligjit, por kryetari i komisionit, Ulsi Manja, deklaroi se diskutimet ishin mbyllur.
Ndërkohë fjalën e kërkoi edhe deputeti socialist Gjiknuri, por Manja nuk ia dha, duke i thënë "Mund të largohesh, merru me Oerdin ti". Pas këtij debati Gjiknuri u largua nga mbledhja e Komisionit.
Strazimiri: Kam pyetje.
Manja: U ezauruan.
Strazimiri: Po unë s’kam mbaruar gjimnazin bujqësor. Kam pyetje për ty.
Manja: Po.
Strazimiri: Fakti që në projektligj kanë sjellë edhe shënimin “eolik”, ka një problem këtu. Është një instrument që jepet në dorë edhe të njerëzve të papërgjegjshëm në të ardhmen. Urgjenca që keni për këtë ligj do të thotë se po bëni dëm. Nuk po na lini të sqarohemi.
Manja: Në rregull, e gjetët lepurin në ferrë ju të tre (Bylykbashi, Strazimiri dhe Gjiknuri).
Gjiknuri: Një sekondë, sepse nuk u sqaruam, më jep fjalën.
Pavarësisht kërkesës së Gjiknurit, Manja e hodhi projektligjin në votim dhe e konsideroi votën e deputetit socialist si abstenim.
Gjiknuri: Do më jepni fjalën apo të largohem fare.
Ulsi: Mund të ikësh, rri te abstenimi ti. Merru me Oerdin.
Gjiknuri: Në rregull, po largohem.
Lini një Përgjigje