Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar publikisht lidhur me bojkotin e fundit të seancës parlamentare, duke deklaruar se deputetët e grupit parlamentar të PD-së kanë qenë kundër këtij vendimi dhe kanë kërkuar të përballen politikisht me kryeministrin Edi Rama në Kuvend.
Sipas Salianjit, deputetëve nuk iu është lejuar pjesëmarrja në seancë nga Sali Berisha, i cili, sipas tij, është justifikuar me pretendimin se kishte shqetësime për protestuesit dhe hedhjen e vezëve, ndërsa arsyeja e vërtetë është tjetër.
“Nëse do të kishte vullnet për opozitë, deputetët do të ishin në sallë për tu përballur me qeverinë. Frika e vërtetë është nga kërkesa gjithnjë e më e fortë e qytetarëve që Sali Berisha të largohet, pasi është shndërruar në patericën politike që e mban Edi Ramën në pushtet. Nën trysnine qytetare te presionit per largim Berisha po ben marreveshjet e reja me Ramen”, u shpreh ai.
Në reagimin e tij, Salianji pretendon se aktualisht po zhvillohen “dy pazare” në dëm të opozitës dhe qytetarëve, të cilat lidhen me reformën zgjedhore dhe reformën territoriale.
Ai u shpreh se, sipas vlerësimit të tij, Berisha nuk ka paraqitur asnjë propozim konkret për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, si dhe nuk ka ofruar një alternativë për mënyrën se si opozita duhet ta konceptojë ndarjen e re administrative të vendit.
Salianji theksoi gjithashtu se, sipas tij, kur opozita heq dorë nga përballja me qeverinë dhe angazhohet në marrëveshje për reformat, ajo humbet rolin e saj opozitar dhe kalon në një formë bashkëjetese politike me mazhorancën.
Postimi i plotë:
Dy pazaret e mëdha të verës mes aleatëve Rama-Berisha qe po përpiqen të mbulohen nga zhurma e breshërise se vezëve!
Kundër bojkotit të seancës plenare kanë qenë vetë deputetët e grupit parlamentar, të cilët kanë kërkuar përballje politike me Edi Ramën në Kuvend. Megjithatë, Sali Berisha nuk i lejon të marrin pjesë, duke u fshehur pas justifikimit të frikës nga protestuesit dhe vezët, ndërsa në të vërtetë po mbron marrëveshjen e tij me Edi Ramën.
Pretendimi se bojkoti bëhet për shkak të vezëve është justifikimi. Nëse do të kishte vullnet për opozitë, deputetët do të ishin në sallë për tu përballur me qeverinë. Frika e vërtetë është nga kërkesa gjithnjë e më e fortë e qytetarëve që Sali Berisha të largohet, pasi është shndërruar në patericën politike që e mban Edi Ramën në pushtet. Nën trysnine qytetare te presionit per largim Berisha po ben marreveshjet e reja me Ramen.
Ndërkohë po zhvillohen dy pazare të mëdha në kurriz të opozitës dhe të qytetarëve.
Pazari i parë është reforma zgjedhore. Sali Berisha nuk ka paraqitur asnjë propozim serioz për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Nuk kërkon lista 100% të hapura, nuk kërkon sistem proporcional kombëtar dhe nuk mbron të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur drejtpërdrejt deputetët. Po braktis një nga kerkesat kryesore të protestuesve dhe po hesht edhe për propozimet e paraqitura nga Forumi për Dialog mes partive opozitare.
Pazari i dytë është reforma territoriale. Vetëm një javë para përfundimit të afatit të Komisionit për Reformën Territoriale, Sali Berisha nuk ka paraqitur asnjë alternativë për mënyrën se si opozita mendon se duhet të organizohet ndarja e re administrative e vendit. Pas turit të përbashkët me Edi Ramën në çdo qendër qarku, ku kontribuoi në përqendrimin e përfaqësimit politik në pak duar, tani po ia dorëzon në heshtje edhe reformën territoriale, pa debat, pa transparencë dhe pa asnjë vizion alternativ për Shqipërinë. Berisha gjasme bojkoton Rama e kalon sipas qejfit reformen territoriale.
Kur opozita heq dorë nga beteja kunder Ramës dhe bën pazar për reformën zgjedhore dhe për reformën territoriale, nuk kemi më të bëjmë me opozitë, por me bashkëjetesë dhe bashkëqeverisje politike. Bojkoti i Kuvendit nuk është akt rezistence ndaj Edi Ramës; është mbulesa e radhës për pazaret që po bëhen larg syve të qytetarëve.
Lini një Përgjigje