
23-vjeçari ka qenë i dënuar në Gjermani, për shpërndarje të lëndëve narkotike, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ai dyshohet se me 4 shtetasit e lartpërmendur, autorë të dyshuar të vrasjes, ka patur mosmarrëveshje që lidhen për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve...
Një konflikt në Gjermani për çështje të trafikut të narkotikëve dyshohet të jetë motivi i vrasjes se 23-vjeçarit, Renis Dobra, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 8 korrikut, ndërsa trupi i pajetë u gjet në liqenin e Shkopetit disa orë pas krimit.
Drejtuesit vendorë të Policisë së Dibrës kanë dhënë detaje lidhur me ngjarjen, arrestimin e dy prej autorëve dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve. Drejtori i Policisë së Dibrës tha se 23-vjeçari Dobra ka qenë i dënuar në Gjermani për çështje droge, ndërsa shtoi se ai është mbytur me lak dhe më pas është hedhur në liqen.
Sipas deklaratës zyrtare, për zbulimin e krimit janë përdorur metodat speciale të hetimit.
“Autorët e kanë hedhur automjetin, bashkë me trupin e viktimës në liqen, por trupi ka dalë”, thanë zyrtarët e Policisë.
Lidhur me autorët e dyshuar, drejtuesit vendorë të Policisë së Dibrës thanë se ata janë vëllezërit Bushgjokaj, dhe Petrit Çakri, 55 vjeç.
Një prej vëllezërve Bushgjokaj, Fatjoni, është arrestuar nga policia në zonën e Astirit në Tiranë, ndërsa dy të tjerët Kristi dhe Aleksandri janë shpallur në kërkim. Gjithashtu në pranga është vendosur edhe Petrit Çakri.
Lidhur me dyshimet se autorët kishin përdorur uniforma policie për të marrë peng 23-vjeccarin, drejtuesit e policisë së Dibrës e rrëzuan si opsion.
“4 personat nuk ishin veshur me uniformë policie dhe nuk kanë përdorur shenja që lidhen me policinë. Gjatë operacionit u shoqëruan katër persona, ndërsa vijon puna për kapjen e personave të tjerë të lidhur me ngjarje. U sekuestruan 20 celularë 7 automjete, drogë dhe prova të tjera që do t’i shpërbejnë hetimit”, u tha në konferencëm për mediat.
Deklarata e plotë e drejtorit të Policisë së Dibrës:
Jam këtu, së bashku me drejtuesin e Prokurorisë, z. Abaz Muçaj dhe me prokuroren e çështjes zj. Alisa Spahja, për t’ju bërë prezente rezultatet e hetimit intensiv dhe kompleks, i cili u finalizua me zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të vrasjes së shtetasit R. D., 23 vjeç, trupi i pajetë i të cilit u gjet nga shërbimet e Policisë, në afërsi të liqenit të Ulzës, më datë 9 korrik 2025, pas kallëzimit të babait të tij, për largimin e 23-vjeçarit, nga banesa.
Menjëherë pas ngjarjes, grupi i posaçëm hetimor, i përbërë nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, të asistuara nga ekspertë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të Departamentit të Policisë Kriminale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, dhe të drejtuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, kreu një hetim intensiv njëjavor, me metoda speciale, në kuadër të procedimit penal të regjistruar në Prokurorinë e Dibrës, për këtë rast.
Si rezultat i një pune të mirëorganizuar hetimore, fiksimit dhe analizimit të provave nga vendngjarja, administrimit të shpejtë të informacioneve dhe pamjeve filmike të siguruara nga Policia në lidhje me autorësinë e rastit, si dhe i veprimeve të tjera profesionale policore, u bë e mundur zbardhja e autorësisë së vrasjes së shtetasit R. D..
Konkretisht, në kuadër të operacionit policor të koduar “Bashkëfajësia”, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me strukturat e drejtorive vendore të Policisë Tiranë dhe Kukës, në zbatim të urdhrit të prokurorit, vunë në pranga shtetasit:
-P. H. alias P. C., 55 vjeç, banues në Tropojë, i cili u arrestua në fshatin Golaj, Kukës, i dyshuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit”;
-F. B., 34 vjeç, banues në Kamzë, i cili u arrestua në zonën e Astirit, Tiranë, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit”.
Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit K. B. dhe A. B., vëllezërit e shtetasit të arrestuar F. B..
Vijojnë kontrollet dhe kërkimet, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Nga hetimet e thelluara të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, rezultoi se më datë 08.07.2025, rreth orës 22:10 në fshatin Zenisht, Burrel, shtetasi R. D. është marrë peng dhe me pas është vrarë, nëpërmjet strangulimit (mbytjes me litar).
Autorët, pas vrasjes, e kanë hedhur automjetin e 23-vjeçarit, bashkë me trupin e pajetë të tij, me qëllim që të binin në liqenin e Ulzës. Gjatë rënies, trupi i 23-vjeçarit ka mbetur pranë sektorit "C", pa rënë në liqen, ndërsa automjeti ka rënë në liqen, ku dhe u gjet.
Nga informacionet e siguruara rezulton se 4 shtetasit që kanë marrë pjesë në vrasjen e 23-vjeçarit, nuk kanë qenë të veshur me uniformë policie, si dhe nuk kane përdorur asnjë logo apo automjet te Policisë.
23-vjeçari ka qenë i dënuar në Gjermani, për shpërndarje të lëndëve narkotike, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ai dyshohet se me 4 shtetasit e lartpërmendur, autorë të dyshuar të vrasjes, ka patur mosmarrëveshje që lidhen për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Gjatë periudhës hetimore dhe veprimeve operacionale u sekuestruan 20 celularë, 7 automjete, një shumë eurosh, një sasi lënde narkotike Kokainë, si dhe prova të tjera të cilat do t’i shërbejnë hetimeve.
Ndërkaq, në lidhje me ngjarjen, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale e Policisë së Shtetit ka shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, Tiranë, 4 shtetas të tjerë, për të cilët po kryhen hetime intensive për të përcaktuar dhe individualizuar përgjegjësinë penale.
Në drejtimin e Prokurorisë së Dibrës dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, grupi i posaçëm hetimor i DVP Dibër po vijon intensivisht hetimin, për zbardhjen e plotë të rrethanave te ngjarjes, si dhe për kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë kriminale.
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër siguron qytetarët e qarkut Dibër, se po punon maksimalisht për të parandaluar dhe goditur çdo paligjshmëri që cenon jetën dhe pronën e qytetarëve.
Gjithashtu, në bashkëpunim të ngushtë me organet ligjzbatuese dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, po punohet për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushat e narkotikeve dhe trafiqeve të paligjshme. Përfitoj nga rasti që t’iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve të qarkut Dibër, që të bashkëpunojnë më shumë me Policinë, duke denoncuar çdo paligjshmëri.
Parandalimi dhe goditja e kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve, armëmbajtes pa leje, vjedhjes së pronës, ndërtimeve pa leje, si dhe garantimi në tërësi i sigurisë përgjatë sezonit turistik, janë prioritet i punës së Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër.
Lini një Përgjigje