Kronike22 Shkurt 2023, 15:43

Zbardhen detajet e atentatit në Librazhd/ 35-vjeçari u plagos rastësisht, arrestohet vëllai i autorit

Shkruar nga Pamfleti
Zbardhen detajet e atentatit në Librazhd/ 35-vjeçari u plagos
Foto nga vendi i ngjarjes

Zbardhen detajet e atentatit dje në Librazhd, ku një person mbeti i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

Sipas raportimeve të fundit të policisë, shënjestër e sulmit ka qenë një tjetër person dhe 35-vjeçari që mori një plumb në trup është plagosur rastësisht.

Në vijim të veprimeve është arrestuar në flagrancë vëllai i autorit të dyshuar të plagosjes, shtetasit A. B.  

Gjatë kontrollit në banesën dhe në dyqanin e përbashkët të dy vëllezërve, Policia ka gjetur 1 armë zjarri pistoletë, 1 kallëp me lëndë plasëse e programuar për shpërthim në distancë, municion luftarak dhe një sasi kanabisi.

Ndërkoha vijon puna për kapjen e autorit.

Njoftimi i policisë

Pas ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në një lokal, në lagjen nr.1, ku mbeti i plagosur me armë zjarri 35-vjeçari Sh. S., grupi hetimor, shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd dhe strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, vijuan veprimet hetimore dhe ato operacionale, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e autorit. 

Nga veprimet hetimore dyshohet se rreth orës 18:00, shtetasi R. B. (vëllai i shtetasit A. B.) është konfliktuar fizikisht me shtetasin R. H. Më pas, shtetasi A. B. ka shkuar në lokalin ku po qëndronte shtetasi R. H., ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tavolinës ku ishte ulur ai dhe si pasojë është plagosur aksidentalisht në këmbë shtetasi Sh. S., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.   

Në vijim të veprimeve për këtë rast, u arrestua në flagrancë vëllai i autorit të kësaj ngjarjeje, shtetasi R. B., 33 vjeç, banues në Librazhd, për veprat penale "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe municionit" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".    

Arrestimi i 33-vjeçarit u bë pasi gjatë kontrollit në banesën dhe në dyqanin e përbashkët me vëllanë e shpallur në kërkim si autor i plagosjes, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan  1 armë zjarri pistoletë, 1 kallëp me lëndë plasëse e programuar për shpërthim në distancë, 1 karikator automatiku, 1 krehër pistolete, 136 fishekë dhe rreth 560 gamë kanabis. 

Vijon puna për kapjen e shtetasit A. B.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

atentat ne librazhd sulm me arme plagosje