Kulture14 Qershor 2024, 18:27

“Babait nuk i di as varrin. Me nënën u takova pas 30 vjetësh”/ Historia e trishtë e mjekut nga Kongo

Shkruar nga Afrim Imaj

“Babait nuk i di as varrin. Me nënën u takova pas 30

 

Vijon nga Pjesa e Parë dhe Pjesa e dytë

“Kam pasur pedagog Sali Berishën. Ka qenë privilegj të ishe student i tij”

 Ngjarjet e ’97 më kujtuan Kinshasën e fëmijërisë

“Shqiptarët nuk janë racistë dhe nuk e njohin ndasinë fetare”. Kështu të përgjigjet kongolezi i shqiptarizuar prej dekadash, kur e pyet se çfarë e mban të lidhur me njerëzit e vendit tonë. Sipas tij, për një vend, për një komb, për një etni, kjo është më shumë se një vlerë  e zakonshme qytetërimi. Megjithatë, për Urbainin jo çdo gjë shkëlqen edhe mes shqiptarëve. Kur bie fjala për ato që stonojnë në realitetet tona, ai kujton aty për aty ngjarjet e vitit ‘97, me një perceptim disi të veçantë: “Ngjarjet e ‘97, shprehet ai, më kujtuan Kinshasën e

fëmijërisë. Thashë se për një moment u prish çdo gjë. Thashë se deri këtu mund të shkonte harmonia shqiptare. Po gjërat shyqyr Zotit u mbyllën shpejt...”. Gjithsesi, sipas tij, instinkti i ‘97 diku fle dhe herë pas here ngre krye në forma të ndryshme. Të tillë e vlerëson mjeku me origjinë afrikane edhe kaosin në të cilin bie herë pas here Parlamenti ynë...

Në Vorë jam ndjerë shumë mirë, u detyrohem shumë banorëve të saj

Për vite me radhë Urbaini, ose Arbeni, siç e thërrasin në Tiranë të gjithë ata që e njohin, ka punuar si mjek në qendrën spitalore të Vorës. Eshtë i specializuar për diagnozën e reumatizmës, por në pjesën më të madhe të kohës merret me mjekime të ndryshme. Ai nuk ka orar zyrtar dhe nuk bën vizita vetëm në ambulancë, por kudo ku e thërrasin, në qytet, në fshat, në shtëpinë më të largët, aty ku dikush lëngon dhe kërkon ndihmën e tij. Eshtë i papërtuar dhe i gjindshëm në çdo kohë, të thonë qytetarët e Vorës për të. Po sakaq, Arbeni është edhe një mjek i urgjencës në lagjes ku banon.

Ditën dhe natën, të thonë komshinjtë e tij, në portën e doktorit trokasin me dhjetëra njerëz dhe në çdo rast nga goja e tij dëgjohet e njëjta përgjigje “Ja erdha!”. Më shumë se kaq, për të të thonë se mund të jetë nga të rrallët mjekë, që për shërbimin që të bën, në asnjë rast nuk të kërkon të holla. Shkurt, mjeku me origjinë afrikane ka fituar një emër të mirë tek të gjithë ata që e njohin dhe tek ata që i ka lidhur nevoja për ndihmën e tij. Kur e pyet se a mendon të lëvizë nga qyteti i Tiranës, Urbaini të thotë se këtu ndjehet shumë mirë dhe u detyrohet shumë qytetarëve të tij. Ndërsa kur bie fjala për dëshirat, veçon vetëm dy prej tyre: të vizitojë edhe një herë Kinshasën, vendlindjen dhe të gjejë një mundësi për të kërkuar eshtrat e të atit.

Detaj

“Babait nuk i di as varrin. Me nënën u takova pas 30 vjetësh”

“Babai ka qenë mjek i talentuar dhe i njohur në Kinshasa. Ka qenë ndërkaq një intelektual progresist. Në qeverinë demokratike u thirr për të bërë detyrën e ministrit të Brendshëm. Pas grushtit të shtetit u arrestua. Mbaj mend kur e morën brutalisht dhe me armë te fyti. Kam qarë me dënesë deri pas mesnate. Babi iku dhe nuk u kthye më. Thanë se e vranë kur e mbanin në qeli. E vranë dhe e hodhën diku. Edhe sot e kësaj dite nuk ia dimë varrin”. Bashkë me këtë ngjarje të dhimbshme, Urbain Masena shton se nga i ati ruan si kujtim dëshirën për t’u bërë mjek, për të trashëguar profesionin e tij. “Nëse arrita ta përmbush këtë amanet të tim eti, - thotë mjeku nga Kinshasa, që shërben në Tiranë, - për këtë u jam mirënjohës shtetit dhe shoqërinë shqiptare që  më dhanë mundësinë për t’u kualifikuar, në një kohë kur ky profesion ishte shumë i rezervuar edhe për vendasit”. Po për Urbainin nuk ka qenë tragjike vetëm ndarja me të atin. Një ndarje dramatike e të dhimbshme ka pasur edhe me nënën, që e ka dashur, siç thotë ai, si sytë e ballit. “Për vite me radhë nuk e dija ku ishte, thotë Urbaini.

Vonë shumë vonë e mora vesh se jetonte me njërin nga vëllezërit në Suedi. Bëra përpjekje për të shkuar, po ishte e pamundur. Ishim në kohën e komunizmit dhe dalja jashtë shtetit ishte e pamundur. Vetëm në vitet e demokracisë munda ta takoj. Ishte thinjur e plakur nëna ime. Kishte kaluar një jetë pa një lajm për djemtë dhe të shoqin. Një dramë të pashoqe kishte përjetuar ajo. Ferri është pak më thoshte atë ditë kur u takova me të në Suedi. Nuk kam për t’i harruar kurrë lotët e përmalljes gjatë atij takimi...”

detaj

“Kam pasur pedagog Sali Berishën. Ka qenë privilegj të ishe student i tij”

“Nuk kam qenë i privilegjuar pse kam pasur pedagog Sali Berishën, njërin nga protagonistët kryesor të politikës shqiptare të viteve të demokracisë, por kam qenë në auditorin ku ka kumtuar me pasion e profesionalizëm njëri nga personalitetet e bluzave të bardha”. Këtë fakt ai e veçon me një ndjenjë krenarie, që e dallon qartë në vështrimin e ndezur të syve të tij. Ndërkaq shton se Berisha ka qenë mjeshtër i mësimdhënies, por edhe njeri korrekt e me kod moral, të mrekullueshëm e njerëzor, vë në dukje ai. Ai kujton rreptësinë e tij ndaj vesit, mungesës së vullnetit dhe sjelljes vulgare. “Doktor Berisha, për mua, është shembulli i njeriut këmbëngulës në përmbushjen e bindjes së tij”, thotë Urbaini. Sa për politikën që ushtron nuk është më kurrë ai profesori i mjeksisë. Me sa duket politika i ka dhënë tjetër profil. Kongolezit të diplomuar si mjek në Tiranë i ka qëlluar të punojë edhe tre muaj pas studimeve në klinikën e fiziopatologjisë, në kohën kur ajo drejtohej nga doktor Berisha.

Mbresa nga më të mirat ruan për atësitë dhe kërkesën e lartë të llogarisë që ai demonstronte gjatë ushtrimit të detyrës. “Mbi të gjitha, - thekson Urbain, - për doktor Berishën bakshishi ishte vdekja. Gangrena që sundon sot te një pjesë e bluzave të bardha ka qënë armiku më i madh i tij”. Më tej përmend disa nga emrat e pedagogëve të tjerë, si Josif Adhami, Koço Poro, Petrit Gaçe, Kristaq Mosko, Argjend Tafaj etj., të cilëve u detyrohet shumë për ndikimin në formimin e tij profesional. Ka pasur rast të ndjekë specializime edhe jashtë shtetit si në Belgjikë, Suedi, Çeki e gjetkë, ku ka përfituar jo pak, por atë që ka marrë nga profesorët shqiptarë e veçon shumë më tepër. Gjithsesi, për Urbainin, doktor Berisha “mbetet një mjek me zemër të madhe dhe një pedagog i mrekullueshëm”.Fund! /Pamfleti

mjeku nga kongo babait nuk ia di varrin