Ish-ministri gjerman i Shëndetësisë dhe një nga figurat kryesore të Bashkimit Kristian-Demokrat (CDU), Jens Spahn, ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të grupit parlamentar CDU-CSU në Bundestag, pas polemikave të forta që shpërthyen kur ai njoftoi se ishte bërë baba së bashku me bashkëshortin e tij, Daniel Funke, përmes një nëne surrogate në Shtetet e Bashkuara.
Sipas gazetës Bild, Spahn e bëri të ditur vendimin në një letër drejtuar deputetëve të Unionit, duke sqaruar se kishte informuar paraprakisht kancelarin Friedrich Merz dhe kryetarin e CSU-së, Markus Söder.
“E kuptova se lumturia ime personale, fakti që kam krijuar një familje dhe jam bërë baba së bashku me bashkëshortin tim, nuk mund të pajtohet më me detyrën time politike”, shkroi ai.
Spahn pranoi se hendeku mes zgjedhjes së tij private dhe pritshmërive ndaj drejtuesit të grupit parlamentar “është bërë më i madh nga sa kishte imagjinuar”, duke theksuar se familja mbetet prioriteti i tij.
Dorëheqja vjen pas disa ditësh kritikash të forta, pasi u bë publike se ai dhe bashkëshorti i tij janë bërë prindër të një djali përmes surrogacisë në SHBA. Praktika është e ndaluar në Gjermani sipas Ligjit për Mbrojtjen e Embrionit të vitit 1990, i cili parashikon gjoba ose deri në tre vjet burg për organizimin e surrogacisë brenda vendit.

Megjithëse ligji gjerman nuk ndalon që qytetarët të rrisin një fëmijë të lindur nga një nënë surrogate jashtë vendit, rasti i Spahn ngriti pikëpyetje mbi besueshmërinë politike, pasi ai kishte mbështetur vazhdimisht ndalimin e kësaj praktike.
Në vitin 2020, kur ishte ministër i Shëndetësisë, Spahn kishte refuzuar kërkesën e Partisë Liberale (FDP) për të zbutur ndalimin e surrogacisë. Ndërsa në vitin 2015 ai kishte shkruar publikisht se, “si një burrë gej dhe si i krishterë”, e kishte “shumë të vështirë personalisht të pajtohej me idenë e një mitre të marrë me qira”.
Surrogacia është një procedurë ku një grua pranon të mbajë dhe të lindë një fëmijë në emër të një çifti ose një personi tjetër, duke hequr dorë më pas nga të drejtat prindërore. Për shkak të debateve etike, morale dhe rrezikut të komercializimit të saj, Gjermania dhe disa vende të tjera evropiane e ndalojnë këtë praktikë.
Kritikat më të forta ndaj Spahn erdhën nga vetë radhët e CDU-së. Daniel Peters, drejtues i partisë në Mecklenburg-Vorpommern, deklaroi për Bild se posti i Spahn nuk ishte më i qëndrueshëm, pasi një politikan nuk mund të veprojë ndryshe në jetën private nga ajo që mbron në parlament.
Përballë presionit në rritje, kancelari Friedrich Merz kishte bërë të ditur se çështja do të diskutohej në kryesinë e CDU-së, duke theksuar se tema prek dimensione njerëzore, ligjore, sociale dhe etike, por se qëndrimi i partisë ndaj ndalimit të surrogacisë nuk do të ndryshojë.
Pas dorëheqjes, Merz e përshëndeti vendimin e Spahn.
“Jens Spahn sapo më informoi për dorëheqjen e tij nga posti i kryetarit të grupit parlamentar të CDU-CSU. Ky vendim është i drejtë dhe i pashmangshëm”, deklaroi kancelari.
Ai shtoi se “besueshmëria është thelbësore në politikë”, duke falënderuar Spahn për kontributin e tij në drejtimin e grupit parlamentar dhe në kalimin e Unionit nga opozita në qeveri, si edhe për rolin në hartimin e reformave të javëve të fundit.
Debati mbi surrogacinë mbetet i hapur edhe në vende të tjera evropiane: Franca njeh ligjërisht fëmijët e lindur nga surrogacia jashtë vendit, ndërsa Italia e ka shpallur të paligjshme që qytetarët e saj t'i drejtohen kësaj procedure edhe jashtë kufijve të shtetit.
Lini një Përgjigje