Është zbardhur dëshmia e një prej arkëtareve të Postës Shqiptare, e dhënë në kuadër të hetimeve për skandalin financiar që çoi në arrestimin e ish-drejtoreshës së filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj. Gjykata e Durrësit e la sot në burg Matajn, ndërsa caktoi masën e sigurisë "arrest shtëpie" për shefen e financës, Valbona Doni, dhe arkëtaren Paola Dana, të cilat dyshohen se kanë përvetësuar 69 milionë lekë të rinj, ose mbi 700 mijë euro.
Sipas dëshmisë, të publikuar nga Report Tv, transferimi i fondeve nga Durrësi drejt degëve të Shijakut dhe Krujës ka qenë një praktikë e zakonshme prej vitesh.
Arkëtarja deklaron se "në janar-shkurt 2026 Drejtoria e Përgjithshme i kaloi rreth 22 milionë lekë Drejtorisë së Durrësit për efekt likuidimi. Për periudhën prill-maj 2026 janë kryer mandate pagese me vlerë rreth 56 milionë lekë, ndërsa për degën e Krujës rreth 10 milionë lekë dhe 3 milionë lekë. Të gjitha këto shuma janë dërguar drejt degëve Shijak dhe Krujë nga drejtoresha Elizabeta Mataj."
Në dëshminë e saj, ajo shpjegon se drejtoresha Elisabeta Mataj i kishte thënë se sporteli "Nazeri" kishte tejkaluar limitin e rrugëve të parashikuara. Për këtë arsye, sipas saj, transporti i parave është kryer nga vetë arkëtarja, me urdhër verbal të drejtoreshës.
Më tej, arkëtarja deklaron se "Mataj merrte thesin me para nga zyra e arkës, e çonte në zyrën e saj dhe bënte numërimin e lekëve."
Sipas saj, në disa raste, Mataj i ka futur paratë në çantën personale dhe është larguar menjëherë nga institucioni.
Duke iu referuar fillimit të muajit qershor 2026, pas problemeve me likuidimin në ASHK, arkëtarja thotë se konstatoi në sistem se "disa mandate ishin prerë pa dijeninë e saj" dhe se për këtë kishte njoftuar drejtoreshën.
Ajo pretendon gjithashtu se për disa mandate pagesash nënshkrimet e saj dhe të arkëtareve të tjera nuk ishin autentike, duke përmendur konkretisht "mandatet e datave 7.5.2026, 12.5.2026 dhe 21.5.2026, të cilat sipas saj kishin mbetur pa firmën e drejtoreshës."
Lini një Përgjigje