
Trashëgimia kulturore përfundon në duart e krimit...
Një vendim i fundit i Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka hapur rrugën për dhënien me qira 20-vjeçare të dy objekteve simbol të trashëgimisë kombëtare: Kalanë e Rozafës në Shkodër dhe Kalanë e Lëkurësit në Sarandë.
Në emër të asaj që ministria e quan “rijetësim kulturor”, janë shpallur procedurat që u japin të drejtën subjekteve private të shfrytëzojnë sipërfaqe të konsiderueshme brenda këtyre monumenteve të shpallura pasuri kombëtare.
Në Kalanë e Lëkurësit, që ngrihet mbi rrënojat e një kishe bizantine të shekullit XVI, është parashikuar dhënia në përdorim e 862 m² hapësirë për shërbime tregtare, ndërsa në Kalanë e Rozafës në Shkodër, në oborrin e tretë, një tjetër ambient shërbimi me sipërfaqe 196.2 m² do të kalojë në duar private për dy dekada. Kriteret e tenderit kërkojnë dokumentacion të gjerë nga operatorët, duke përfshirë plane biznesi dhe garanci financiare, por kritikët shohin këtu një formë të re të koncesioneve të maskuara për hapësira publike.
Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka reaguar ashpër, duke e cilësuar këtë proces “shaka të radhës” të ministrit Gonxhe. “Kalaja e Lëkurësit është shndërruar në një seri restorantesh, picerish dhe kafenesh, duke i hequr çdo vlerë kulturore. Kontrata me privatin ka përfunduar dhe objekti duhej t’i rikthehej publikut, jo t’i riciklohej privatit me një formë tjetër koncesioni të kamufluar si ‘rijetësim’”, thuhet në deklaratën e tyre.
Ata akuzojnë se në vend që këto hapësira të funksionojnë si qendra të trashëgimisë, ato po përdoren si pika gastronomike të mbushura me reklama komerciale dhe muzikë tallava. “Z. Gonxhe harron se ka përgjegjësi ligjore dhe morale për të mbrojtur trashëgiminë tonë kulturore, jo për të promovuar menutë e picave”, vijon reagimi.
Trafikantët në portën e kalasë
Më shqetësues është fakti se, një pjesë e territorit rreth Kalasë së Lëkurësit tashmë kontrollohet nga trafikanti i njohur Andrea Çaushi, i cili ka marrë nën administrim 3,200 m² tokë publike përreth, përmes një transaksioni të dyshimtë prej 1.5 milionë eurosh. Ky territor, që përfshin bar-kafe, restorant, hotel, parking dhe plazh të privatizuar, po përdoret për qëllime fitimprurëse, ndërsa qytetarët që kërkojnë të vizitojnë kalanë detyrohen të paguajnë një tarifë hyrjeje prej 5 mijë lekësh, edhe nëse nuk përdorin asnjë shërbim.
Pra praktikisht ajo është privatizuar prej tij dhe me shumë mundësi ai do të jetë i pari që do të dorëzojë letrat te Gonxhe dhe do të marrë administrim të plotë ligjor. Pra duket se tradhëgimia klutrore po shkon në durt ekrimit.
Për forumin e trashëgimisë, plani i qeverisë tregon qartë dështimin e shtetit për të mbrojtur pasuritë e tij historike. “Kjo është zhbërje e identitetit historik në emër të fitimit privat dhe kapjes së pasurisë publike nga individë me të kaluar kriminale. Shteti po tërhiqet nga detyrimet e tij, duke ia dorëzuar historinë dhe trashëgiminë e kombit në duart e privatëve të dyshimtë”, thuhet në reagim.
Kalaja e Lëkurësit u ndërtua në vitin 1537 nga perandori osman, Sulltan Sulejmani i Madhërishëm. Kalaja, me pamjen e saj, mbetet një atraksion kryesor, duke ofruar disa nga panoramat më të bukura si: gjirin e Sarandës, Detin Jon, dhe Korfuzin që duket në horizont. Vizitorët nga kodra mund të shijojnë një pamje madhështore të luginës dhe vargmalit në anën tjetër, si dhe Liqenin e Butrintit. Kalaja ka formë katrore, me dy kulla të rrumbullakëta. Muret e saj, të ndërtuara me gur gëlqeror, janë afërsisht 2 metra të trasha dhe arrijnë deri në 7 metra lartësi. Në portën hyrëse është e ekspozuar artileria e shekullit të 20-të, duke i shtuar kësaj kalaje një rëndësi historike. Kalaja e Lëkurësit ndodhet mes rrënojave të fshatit të vjetër Lëkurësit, mbi një kodër të lartë në formë piramidale. /Pamfleti
Lini një Përgjigje