Mediat gjermane i kushtojnë sërish vëmendje shkrimtares dhe akademikes shqiptare Lea Ypi, këtë herë me rastin e botimit të librit të saj të “Indinjiteti” në gjuhën gjermane. Artikulli ndalet te historia personale dhe familjare e Ypit, e cila nis nga një foto e vjetër në rrjetet sociale që shfaq gjyshen e saj në periudhën e Luftës së Dytë Botërore.
Një foto e vjetër bardhë e zi, e ngarkuar në mënyrë anonime në Facebook, do të kthehej në shkëndijën që ringjalli dyshime, kujtime dhe kërkime personale për shkrimtaren dhe filozofen shqiptare Lea Ypi. Në këtë foto, një çift i ri, i veshur me elegancë të rrallë, buzëqesh përpara kamerës. Pa e lexuar ende përshkrimin, Ypi i njeh menjëherë: janë gjyshërit e saj Leman dhe Asllan, fotografuar gjatë muajit të mjaltit në dimrin e vitit 1941, në vendpushimin italian Cortina d’Ampezzo.
Por ndërsa në vitin 2022, ajo përpiqet ta vendosë këtë imazh në kontekst me kujtimet familjare, komentet fillojnë të shfaqen nën postim: “Komuniste e ndyrë,” i shkruan dikush drejtpërdrejt asaj. “Edhe gjyshja jote ka qenë e ndyrë,” vazhdon një tjetër. Kur një komentues e quan gjyshen Leman “agjente komuniste dhe më parë bashkëpunëtore fashiste”, Ypi mbyll aplikacionin. Por pyetjet që lindin nuk ikin bashkë me ekranin.
A janë këto vetëm fyerje pa bazë, apo dikush di më shumë për gjyshen e saj, që në sytë e Ypit ka qenë gjithmonë mishërimi i virtytit? A është e rastësishme që Leman, e buzëqeshur dhe plot jetë, pozon para një hoteli luksoz në Itali, ndërkohë që ushtria fashiste italiane po pushton Shqipërinë?
Në librin e saj më të ri “Aufrecht” (Indinjiteti: Një Jetë e Riimagjinuar), Ypi përshkruan këtë vorbull mendimesh që shkaktoi fotografia, dhe niset për një kërkim të thellë për jetën e gjyshes përpara se kjo të bëhej “gjyshja Nini”. Ajo kërkon arkiva në Tiranë dhe Selanik, dokumente, dosje, raporte, por rrallë gjen prova konkrete. Kur mungon faktori dokumentar, Ypi kthehet te imagjinata , duke rindërtuar jetën e Lemanit nga fëmijëria luksoze në fund të Perandorisë Osmane, deri te përballja e saj me diktaturën staliniste në Shqipëri.

Leman Ypi, lindur në vitin 1918 në një familje të elitës otomane shqiptare, u rrit në Selanik, studioi në një shkollë franceze, dhe u kthye në Shqipëri si e re, ku u punësua në administratën shtetërore. Ajo u martua me Asllan Ypin, djalin e Xhaferr Ypit, figurë politike që bashkëpunoi me pushtuesit italianë. Kur në vend u instalua regjimi komunist, jeta e Lemanit ndryshoi: ajo përjetoi përndjekje, izolim, ndërsa bashkëshorti i saj kaloi 15 vite në burgjet e regjimit Hoxha.
Këto elemente janë të njohura për lexuesit e librit të saj të parë “Frei” (Liri), ku Ypi rrëfen fëmijërinë dhe rininë e saj në vitet e fundit të komunizmit shqiptar dhe tranzicionin kaotik të viteve '90, të shoqëruar nga rënia e regjimit dhe ngritja e një kapitalizmi të egër që çoi vendin në krizën e vitit 1997. Aty ajo argumentonte se ndonëse socializmi real ishte një dështim, edhe kapitalizmi nuk mund të ofrojë lirinë e vërtetë – një ide që ajo e shpalos më tej përmes konceptit të saj për një “socializëm moral”.
Në “Aufrecht”, pyetja filozofike mbetet: mundet një individ të ruajë dinjitetin dhe një grimcë lirie në rrethana të skajshme politike? Por këtë herë, Ypi nuk e ka më luksin e rrëfimit përmes përvojës vetjake, ndaj përpiqet të ndërthurë kërkimin arkivor me rikrijimin letrar. Ajo tregon me ngjyra botën që rrethonte gjyshen – nga kanarinat në kafaz, bakllavaja e pafund që çoi në vdekjen e babait të saj, e deri te flirtet e para me Asllanin në një kafene të Tiranës, ndërprerë nga një djalosh i zymtë me emrin Enver Hoxha.
Por ndërsa libri ecën, vihen re tensione mes faktit dhe trillimit. Dy linjat, ajo kërkimore dhe ajo letrare, nuk ndërthuren gjithmonë natyrshëm. Në fund, vetë Ypi e pranon se ka rënë në një gjurmë të gabuar: një pjesë e dokumenteve që kishte mbledhur i përkiste një gruaje tjetër me emrin Leman. “A ka vërtet rëndësi kush ishte saktësisht Leman?” – pyet ajo. Për Ypin, ajo që mbetet më e rëndësishme është ruajtja e dinjitetit të njeriut përballë sistemit, një qëndrim që ajo e gjen në figurën e gjyshes.
Edhe pse përpiqet të ruajë një distancë kritike, Ypi e pranon se nuk mund ta shohë Lemanin si një figurë neutrale historike. Në fund, ajo kërkon shpëtim në artin dhe fuqinë e tij për të ndriçuar të vërteta që dokumentet nuk i thonë dot. Një përpjekje idealiste dhe e sinqertë, edhe pse jo gjithmonë bindëse në çdo kthesë. /Përshtati “Pamfleti” nga “Frankfurter Allgemeine”
Lini një Përgjigje