Vajza e Harri Fullzit: I diplomuar në bujqësi, Mehmet Shehu në vitin 1954 u bë kryeministër, ndërkohë që miku i tij, Frederik Nosi u bë kreu i Gjykatës Ushtarake që dënoi me vdekje dhe me burgim së paku dhjetë ish studentë të Shkollës Teknike. Sakaq shumë syresh u anatemuan dhe përndoqën si agjent nga regjimi Hoxhist
Pjesa e Tretë
Vijon nga pjesa e Parë dhe Pjesa e Dytë
Një vizitor amerikan Ernest J.Suift, ndihmës i kryetarit të Operacioneve të Jashtme të Kryqit të Kuq, në muajin mars u ndje i impresionuar, shkruan më librin e saj me kujtimet e të atit për Shkollën Teknike të Tiranës Joan Kontos.
Pas një mbrëmje me shi kur u kthye u ul dhe hodhi mbresat e veta nga ajo që pa. Ja se çfarë shkroi: Kur, të shtunën e fundit, hyra në Tiranë nga Shkodra, mendova se dija gjithçka që mund të dija për Shkollën teknike në Tiranë. E kisha dëgjuar për orë të tëra parashtrimin e z.Kelli për frymën madhështore të institucionit dhe nuk kisha lexuar fletë për fletë korrespondencën për të rinjtë e pjekur para kohe që flinin në konviktet e tij. Por, në të vërtetë, mjerisht isha injorant. Unë nuk e njihja realitetin ashtu siç ishte në të vërtetë. Këtë realitet nuk do të mund ta njihte askush, në se nuk do ta përjetonte realisht forcën e jashtëzakonshme mobilizuese për të ardhmen ekonomike të Shqipërisë. Unë kam udhëtuar larg, kam parë shumë nga ato që kemi ngritur vetë (Kryqi i Kuq), por gjykoj se këto përpjekje janë diçka më përpara se kudo gjetkë.
Të jem i sinqertë u habita kur dëgjova zilen e shkollës që të binte në 6.15’ dhe pashë që hanin mëngjesin në orën7.15’...Thirrja e vetme dominonte për gjithë këtë institucion duket se ishte “çohu dhe tek vendi” nga Z.Fullc e tërë të tjerët me radhë, programi ndiqej përpikërish nga lindja e dritës deri në errësim. A mund ta imagjinoni që të vijnë nxënësit të kërkojnë leje të studiojnë edhe pasi jepet sinjali për fikjen e dritave nga centrali dhe të shkojnë në shtrat duke qarë se nuk mund të vazhdojnë të studiojnë. Dhe besoni që kjo është e përnatshme. Ka një dëshirë të pangopshme për të nxënë...
Mësimet jepen në anglisht me përjashtim të lëndëve të Historisë së Shqipërisë dhe gjuhës shqipe. Për lendët shkencore nuk ka tekste shqip dhe siç m’u tha, duheshin më pak se dyqind fjalë që përdoren për shpjegimin e fakteve teknike apo shkencore.
Trupa pedagogjike e këtij viti përbehej nga Z.Fullc, z.Hollingshed, z.Koliaka, z.Beltoja dhe z.Cungu. Të tre të fundit janë shqiptarë e mund të them se ishin mësues të shkëlqyer. Koliaka...ishte një inxhinier i magjishëm. Znjsh.Trajani ndiqte ushqimin dhe dietën e shkollës me kohë të pjesshme.
E diela nuk ishte ditë pushimi ndaj dhe ndeshje bejsbolli nuk zhvillohej, por në klasa dhe punishte apo fermë ishin plot sikur të ishte ditë e zakonshme pune dhe vërtet kështu ishte. Më pas mora vesh se nxënësit i rregullonin dhe caktonin vetë ditët e pushimit.
Është e vështirë të përshkruash me fjalë këtë shkollë. Duhet të jesh këtu që të ndjesh forcën që gjenerohet atje. Gjithçka shpreh një vendosmëri fikse për të arritur objektivin në një kohë sa më të shkurtër. Shkolla është vendi më i rregullt, jo në pikëpamje të disiplinës, por për dëshirën për të çuar gjërat në fund. Çdo i ri ka shansin të shprehe individualitetin e tij, por këtë gjë ai ka mundësi ta bëjë në mënyrë të tillë që i gjithë institucioni duket në mënyrë të dallueshme dhe me të vërtetë të habitshme.
Këtë atmosferë pune u takoi ta krijonin tre amerikanë mu në mes të Shqipërisë së këputur; Kroullej, ëndërrimtari,përpunoi idenë; Kelli njeriu praktik, projektoi fillimin e një fundi befasues; dhe Fullci, më shumë se një mësues, konsolidoi dhe përparoi më tej përpjekjet arësimore. E gjithë kjo ishte një kombinim i shkëlqyer.
Qeveria shqiptare bashkëpunoi shumë mirë. Ajo krijoi premisat për fjetoret dhe shkollën, mbështeti financiarisht disa nga nxënësit dhe tani po ndërton një ndërtesë për mësimdhënien, kositua e të cilës do të jetë rreth 25.000 dollarë, duke treguar gatishmërinë e saj për të bërë aq sa mund të bëjë një qeveri e varfër. Thuhet se parlamenti ka miratuar pa asnjë kundërshtim çdo fond të destinuar për shkollën.
Pikërisht në këtë moment po dëgjoj grupin e fermës që po kthehet nga puna. Ata mbajnë supe krehura, lopata, kazma duke kënduar “Rrugës për në fermën Bingo”
Dhe në mbyllje...le të përulemi me respekt para punës së këtyre tre njerëzve Kroullej, Kelli dhe Fullc-i fundit por më i arriri i kësaj tresheje.
Mehmet Shehu dhe djemtë që ngritën godinën e ambasadës
Është shkurti I vitit 1927. Një grup I studentëve të shkollës teknike janë të angazhuar për ndërtimin e selisë së ambasadës amerikane të Tiranë. Përgjegjës I këtij grupi është studenti ekselent Mehmet Shehu të cilit I është besuar detyra për të drejtuar punimet e objektit. Përveç Mehmetit në këtë grup bëjnë pjesë dhe studentët Qerim Gjoleka, Hysen Bilali, Muharrem Prinderi, Hasan Filja dheHalim Spahiu.
Punimet e kryera: Shtrimi I linjave për ndriçim dhe zile lajmëruese, punime hidraulike,, vendosja e sistemit të ngrohjes, përfundimi I suvatimeve të godinës, hedhja e çatisë, dhe vendosja e kafazeve të dyerve dhe dritareve. Ndërkaq, grupi kreu dhe këto punime: Dhënia e dorës së fundit të banjave dhe tualeteve, izolimi dhe lyerja e tubacioneve të ujit, avullit të ngrohjes dhe të shkarkimit të ujërave të ndotura, vendosja e dyerve, dritareve dhe e parmakëve të tyre, hapja e gropave septike dhe hapja e kanaleve për lidhjen me sistemin e shkarkimit të ujrave të zeza. Shtrimi I bazamenteve për vendosjen e pajisjeve dhe sistemit të pompimit dhe të motorëve, vendosjen e oxhakëve, vendosja e tullave zjarr dhuruese si dhe vendosja e mermerit të jashtëm të tyre.
Një mikrokozmos i qëndrueshëm në një kohë të paqëndrueshme
Sezoni i vjeshtës i vitit 1924 nisi më mbarë se ai vitit 1923. Do të ishte viti i parë i plotë mësimor, pas hedhjes së çatisë së re, që do të zhvillohej i tëri brenda ndërtesës së “Kolegjit të vjetër”, duke siguruar kështu edhe hapsirat e përshtatshme por edhe lehtësira të tjera.
Në muajin nëntor të vitit 1924, doli numëri i parë i gazetës Laboremus. Kjo do të bëhej një zëdhënëse me vlerë dhe e gjallë e problematikës së shkollës si dhe një forum për shumë zëra interesantë. Poshtë titulli, i cili përkthehet “le të punojmë”, ishin dy rreshta nga një poemë e Naim Frashërit, që pa e ditur edhe vetë kishte përcaktuar edhe moton e Shkollës Teknike Shqiptare, ku shkruhej: Punë, punë, natë e ditë/Që të shohim pakë dritë! Një nga shkaqet pse u nënvizua tema e punës në Shkollën Teknike qëndronte në faktin se vetë shoqëria në tërësi, çështjen e vlerësimit të punës si dinjitet e kishin të vështirë. “Ëndrra e nxënësve të vitit të tretë dhe të katërt “për të patur një mjet shprehës” ishte bërë realitet” lexohet në një artikull të Volumit 1-rë, Numër 1, me rastin e botimit të Laboremus në 700 kopje, që natyrisht synonte të shpërndahej edhe jashtë komunitetit të shkollës. Këtej e tutje do të ishte gazeta dymujore e shkruar në anglisht dhe në shqip. Në faqet e saj do të shihen pjesë të historive të tyre, poezi dhe, mbi të gjitha, ese që përshkruanin përvoja vetjake. Esetë, ndonëse informative dhe shpesh të detajuara, ndriçonin çdo aspekt të jetës në shkollë. Sigurisht në gazetë shfaqeshin herëpashershme disa këshilla e paralajmërime, por dhe artikuj të ndryshëm kontribute të trupës pedagogjike. Përgatitja dhe redaktimi i Laboremus bëhej nga një bord, i cilmenaxhonte edhe çështjet e biznesit si dhe shkruante për të, por përmbajtjen e shumë artikujve furnizonin klasat mësimore dhe klubet studentore, ku çdo grup duhet të dërgonte artikuj disa herë gjatë vitit. Djemtë që kishin interes mësuan të shtypnin në makinë dhe arritën të mësonin të gjithë procesin e printimit. Shtypja e Laboremus ishte mundësuar përmes një marrëveshje të Shkollës Teknike dhe një shtypshkronje lokale. Kështu shkolla i furnizonte energjinë elektrike për shtypshkronjën dhe shtëpinë, ndërsa ai siguronte botimin dhe u mësonte nxënësve linotipin dhe teknikat e shtypjes. Kjo marrëveshje funksionoi mirë, megjithë ndonjë keqkuptim sidomos në rastet kur përplaseshin programet e pronarit me kohën e lirë të studentëve, kohë e cila ishte e nevojshme për botimin e gazetës së tyre.
. Brenda dy vjetëve që pasuan, Shkolla Teknike do të pajisej me një shtypshkronjë profesionale që mund të botonte libra të plotë, e cila do të kthehej në zyrë të shtypjes së qeverisë për kërkesat e arësimit duke shtuar kështu një tjetër fushë për programet e saj të trajnimeve profesionale. Por kjo do t’i takonte të ardhshmes. Por ajo që tërhiqte më shumë klientë ishte zdruktaria, e cila u ngrit nga nevojat dhe kërkesat e vetë shkollës gjatë ndërtimit të “Kolegjit të vjetër”. Më pas Shkollës teknike iu dha mundësia të kryente edhe porosi për të tjerët. Gjatë vitit në fjalë, mes të tjerave, kjo zduktari përgatiti të gjitha raftet dhe mobiljet për bibliotekën e parë që u hap në Tiranë. Një klient tjetër ishte edhe Legata Amerikane, e cila kërkonte një kabinet më të madh për vendosjen e arkivave të saj – “puna më cilësore e kryer ndonjëherë”, shkruan z.Fullc. Por edhe ofiçina nuk e ndërpreu punën gjatë verës. Dy nga porositë u dhanë mundësi djemve të njihnin artin e punimit të bravave, ose më mirë, edhe të hapjes së kasafortave. Puna praktike dhe studimi – që sigurisht zinin edhe kohën më të madhe gjatë ditës – vërtet që përcaktonin ritmin e jetës të Shkollës Teknike, ndërkohë që edhe numër i organizatave studentore rriteshin në mënyrë të habitshme. Të gjithë organizonin mbledhje e takime, sajonin evente speciale për anëtarët, ose, shpesh, edhe për të gjithë nxënësit. Çdo klasë, nga të ardhurit rishtas deri te më të rriturit, krijuan në mënyrë të pavarur klube, zgjodhën drejtuesit, mbanin mbledhje, organizonin argëtime, përpilonin materialet e veta për Laboremus-in, kështu që çdo nxënës, mbi të gjitha, ndihej dhe sillej si pjesë e kolektivit të klasës. Që prej ngritjes së Shkollës Teknike u hartua një program sportiv gjithëpërfshirës, e krahas këtij u formua edhe shoqata përkatëse, nën drejtimin energjik të Ali Cungut. Djemtë u përfshinë në lojra të ndryshme si bejzboll, basketboll, volejboll dhe në lojën më popullore, futboll. Mund të themi se Shkolla Teknike ishte e vetmja shkollë në Shqipëri që kishte një program të tillë sportiv. Sigurisht ajo ishte e para që organizoi edhe takime. Kur Shoqata e saj Sportive në qershor të vitit 1922 organizoi Ditën e saj të Parë direkt në fushë, u grumbulluan një turmë e madhe shikuesish nga Tirana. Pas kësaj nëmuri i spektatorëve që ndiqnin Ditën në Fushë, rritej gjithnjë e më shumë. Deri më 1929, kur Ministria e Amësimit sponsorizoi një takim mes shkollave, nuk pati zhvillime të tjera. Shkolla Teknike i fitoi të gjitha çmimet në garat e zhvilluara.
Qeveria e nxënësve, që ishte organizimi më i rëndësishëm i tyre, luajti një rol të veçantë integrimi, që ishte jetik për funksionimin e shkollës. Fillesat ky organizim i pati si Këshilli i Kujdestarëve, që u themelua nga një duzinë nxënësish që ishin zgjedhur si të tillë. Secili nga anëtarët mori përsipër përgjegjësinë e ndjekjes së një çështje të veçantë si psh mbikëqyrjen e lavanderisë, mensën dhe fjetoret etj. Në mbledhjet e Këshillit kujdestarët diskutonin për rrugët se si të përmirësohej sa më shumë jeta në shkollë. Lidhur me ditët e festave që duheshin kremtuar, ishte ky këshill që vendosi, pas sugjerimit të bërë nga Z.Suift i Kryqit të Kuq gjatë vizitës së tij; sikundër Kongresi i mëvonshëm i Nxënësve vendosi të lejohej pjesëmarrja në koncertet e bandës së bashkisë. Këshilli gjithashtu planëzonte përgjithësisht të gjitha veprimtaritë shkollore si mbrëmjet e krishtlindjes ose piknikun vjetor në natyrë. Sipas rastit, Këshilli gjykonte edhe grindjet mes nxënësve, ndërmjetësonte në problematikën mes nxënësve dhe administratës, apo përcaktonte masat e dënimit sjelljet jo të përshtatshme.
Me rritjen e numrit të nxënësve por edhe të klubeve të ndryshme, ui ndie nevoja e ngritjes së trupave përfaqësuese më të gjëra, të paktën këtë përshtypje kishte edhe drejtori. Kështu që ky i fundit ftoi rreth tridhjetë nxënës, shumica e tyre kishin poste të zgjedhura në organizatat e ndryshme dhe u sugjeroi të krijonin Kongresin e Nxënësve. Duke i lënë që për këtë të vendosnin vetë, ata përcaktuan që kryetarët, zëvendëskryetarët dhe sekretarët e të gjithë klubeve të nxënësve të ishin direkt anëtarë të Kongresit, shtuar këtu edhe pesë përfaqësues të tjerë që do të caktoheshin nga këshilltari i fakultetit ose drejtori. Në kushtetutën e shkruar prej tyre ishin përcaktuar funksionet deliberative dhe disiplinore që më parë mbuloheshin nga Këshilli i Kujdestarëve, kështu Këshilli i u kthye në krahun ekzekutiv të Kongresit – duke vepruar sipas urdhërove të tij. Këto ndryshime sollën një përmirësim më të madh në ushtrimin e vetëqeverisjes.
Në të vërtetë, me kalimin e kohës, Shkolla Teknike Shqiptare u bë institucioni demokratik më efektiv në Shqipëri. Për të mos e ekzagjeruar, shkolla mbeti ende nën një dorë paternaliste të fortë dhe funksiononte me një program të rregullt, por pjesëmarrja aktive e nxënësve në të gjitha vendimet e saj, nuk ishte një gjë e lehtë për ta përballuar. Kjo nuk ishte as kozmetikë por as thjeshtë imazh vlerash, ishte një nevojë praktike. Me një staf relativisht të vogël – disa prej tyre ishin pa përvojë ose hezitonin të bënin më shumë nga përgjegjësitë rutinore – ecuria e punëve në shkollë varej nga vetëbesimi, vetdisiplina dhe bashkëpunimi i vetë nxënësve. Shumë nga nxënësit e kuptuan që këto koncepte, shtuar edhe përpjekjet e vazhdueshme tyre e bënin shkollën funksionale.
Kujdestarët i ilustruan direkt me shembuj përgjegjësitë individuale dhe si komunitet, me të cilat ishin dakord edhe nxënësit. Ata mbuluan detyra funksionale, që në rastin e institucioneve më të pasura financiarisht do të duhej të ishin me personel me pagë.
Nxënësit kishin të drejtë të anëtarësoheshin në organizata të ndryshme në vartësi të nivelit të klasës dhe interesave që kishin. Për shembull disa klube ishin organizuar sipas profilit të specialiteteve si Klubi i Industrisë, Klubi i ndërtimit, apo Klubi i Fermerëve, anëtarët e tyre ishin të klasave të larta. Stafi i Laboremus-it, Klubi Letrar apo Klubi dramatik ishin ata që kishin prirje të tilla. Kështu Klubi Dramatik u formua pas vitit 1926, ndonëse që nga themelimi i shkollës, argëtimet e atypëratyshme të mbrëmjeve të të shtunave ishin elementët kryesorë të montuara nga vullnetarë, nga një klasë apo klub i caktuar, që priteshin me kënaqësi. Përgjithësisht këto programe përmbanin recitime, muzikë, pjesë drame, parodi apo skeçe karakteresh (shpesh për njerëzit e stafit). Klubi Dramatik i mëvonshëm kërkonte pasjen e një farë talenti – si psh evidentimi në dramat e klasës – dhe frymëzonte për të kaluar në ndonjë pjesë më të njohur. Në vitin e tij të parë, klubi ofroi dhjetë shfaqje të ndryshme për publikun e gjerë. Aktorët e dramës sikur e kishin tejkaluar duke u përpjekur të jepnin një shfaqje në muaj, por dukej që kishin energji të mjafta për të lozur katër pjesë dhe një kastë aktorësh prej 2o vetësh në një turne në shtatë qytete të jugut të Shqipërisë. Megjithatë, Klubi Dramatik nuk i ndërpreu veprimtaritë amatore të mbrëmjeve të të shtunave.
Klubi i Progresit, u ngrit me nxitjen e z.Hollingshed dhe përfshiu nxënës të viteve të 2-të, 3-të e të 4-t. Synimet e tij ishin studimi i ngjarjeve në zhvillim në “tregëti dhe industri, shkencë dhe arte, histori e letërsi”, përmes organizimit të diskutimeve të përjavshme dhe leksioneve të personaliteteve lokalë – përfshi edhe nga trupa pedagogjike. Klubi ngriti një zyrë informacioni, që ndodhej pranë bibliotekës dhe në dispozicion të të gjithëve, ku një nxënës regjistronte artikujt me interes të që vinin ose dërgoheshin nga anëtarët, pasi i prisnin nga revistat dhe gazetat. Regjistruesi i Klubit mbante një memorandum të ngjarjeve ditore në Shqipëri si dhe një dosje me raportet të shtetit shqiptar në një përpjekje të lavdërueshme për mbledhjen e materialeve burimore për historianët e ardhshëm. Zyra e Informacionit u përgjigjej kërkesave për informacion mbi Shqipërinë që i drejtoheshin shkollës ose Legatës amerikane, e cila merrte letra të shumta të cilat ia niste për përgjigje Klubit të Progresit.4)
Krahas sa sipër, lindën edhe dy organizma interesantë financiarë: Banka e Studentëve në pranverën e vitit 1925 dhe Shoqata Bashkëpunimit të Studentëve në dhjetor po të atij viti. Qëllimi i Bankës së Studentëve ishte “të pengoheshin humbja dhe shpenzimi i tepruar, t’u jepej mundësi të mësohej si realizohej biznesi modern si dhe të nxitej kursimi...Pa frikë këtë bankë do të quanim banka e parë e qindarkave në Shqipëri”5). Bordi i saj i drejtorëve përbehej nga përfaqësues të zgjedhur nga klasat e çdo viti. Një arkëtar thesari mbante llogaritë e derdhjeve dhe tërheqjeve. Llogaritë auditoheshin periodikisht nga një person i trupës pedagogjike.
Klasat e ekonomisë elementare ndërmorën nismën e themelimit të Shoqatës të bashkëpunimit Studentor, që filloi me 500 aksione, secili aksion prej një korone argjendi ( e barasvlershme me 10 cent), ku menjëherë u regjistruan 300 aksione. Shoqata bleu shitjen me shumicë në Durrës me qëllim që të mbulonte furnizimet e nevojshme të përditshme për nxënësit dhe ua shiste atyre me çmime më të ulëta se sa tregu i Tiranës. Me kohë, filloi tregtimin e librave dhe teksteve mësimore duke krijuar mundësinë e dhënies edhe me qira të tyre nxënësve të rinj.
Por edhe tema e muzikës nuk mbeti jashtë vëmendjes. Me qenë se ai vet e donte dhe çmonte muzikën, z.Hollingshed që në fillim përshtati fjalët melodive të ndryshme për nxënësit e tij të anglishtes. Duket se gjeti një përgjigje të gatshme, mbase e kultivuar me kohë përmes traditës shqiptarëve të balladrave dhe rapsodëve, tek kujtesa popullore e së shkuarës dhe ngjarjet e kaluara. Në kujtesën e saj kanë mbetur të gjalla këngët e djemve, thotë vajza e tij Bimi, që shpejt do ta bashkonin me të në Tiranë. Nga dimër i vitit 1924, z.Hollingshed modeloi mësime të veçanta vokale (kanto), ku zgjodhi nxënës që kishin prirje për muzikë. prej këtej erdhi edhe Klubi i Korit.
Klubi Koral përfitoi shumë nga fatkeqësia që kishte zënë një grup të rusëve të bardhë, ish oficerë të gjeneralit Vrangel. Ata ishin sjellë në Tiranë nga kryeministri Fan Noli por u lanë në mes të rrugës dhe nën kërcënimin e rikthimit në B.Sovjetik pas revolucionit zogist të dhjetorit. Z.Hollingshed kërkoi ndihmë e ministrit Fuqiplot britanik, i cili ndërhyrë në favor të tyre dhe të pesë rusët qëndruan duke u caktuar në korin qeveritar me pagë.
Për ta Hollingshedi ishte “një baba që u shpëtoi jetën”. Si shpërblim për këtë të mirë ata organizuan mësime muzike për nxënësit e tij, dhanë koncerte për shkollën dhe në krishtlindjet që pasuan (1925) u dyndën në shtëpinë e Hollingshedit e kënduan për të për dy orë rresht. Për mjeshtrin e muzikës së shkollës teknike këta muzikantë ishin një dhuratë nga perëndia dhe për tërë ata që patën mundësinë t’i dëgjonin një frymëzim i vërtetë.6) Po atë vit (1924) në kohën e Krishtlindjeve, z.Hollingshed i shkruante Bim-it: Kaloi dhe revolucioni i fundit. Ahmed Bej Zogu që u zbua në qershor u kthye. Nga kufiri serb pati shumë të shtëna...Lufta zgjati tre ditë në rrethinat e Tiranës pranë Malit të Dajtit... Do të kishit mundësi të shihnit largimin e kryeministrit dhe të gjithë zyrtarëve të tjerë si dhe ushtarakëve të prekur.7)
Ahmet Zogu pas gjashtë muajve përgatitje, i ndihmuar dhe nga jugosllavët, gjeti momentin për t’u kthyer. Bandës së përkrahësve të tij ai i kishte shtuar dhe një kontigjent të rekrutuar nga rusët e ushtrisë së gjeneralit Vrangel që u ishte dhënë strehim në Jugosllavi, pas revolucionit bolshevik dhe luftës civile më pastajmë. Luftimet më të ashpra të kthimit të Ahmet Zogut u zhvilluan përgjatë kufirit. Një nga të dëmtuarit e këtyre luftimeve ishte Elez isufi i Dibrës, një person krenar e i pavarur, modeli dhe imazhi i një prijësi të fuqishëm malësor – ndonëse për disa dukej se kishte marrë rrugë të gabuar. Në Shkollën Teknike la pas disa të afërm të rinj të pikëlluar. Edhe një herë refugjatë të detyruar luftuan duke kaluar mes kalimeve dimërore për të siguruar Shkodrën. Kryeministri Fan Noli, bashkë me kryesorët e kishte braktisur vendin, kësaj radhe për të mos u kthyer më. Paskëtaj, ministrat shkonin e vinin, shpërthenin revolta të shkurtra, por Ahmed Zogu qëndroi në krye të drejtimit derë më 1939.8)
Gjatë muajit janar 1925, u thirr një ansamble kushtetuese, shfuqizoi Regjencën katëranëtarëshe, adoptoi një kushtetutë republikane dhe zgjodhi Ahmed Zogun si president. Presidenti i ri u gjend para nevojës të financimit të shtetit. Duke dështuar në kërkesën e tij për hua ndaj Lidhjes së Kombeve apo kombeve të tjera evropiane, tashmë nuk i mbetej tjetër veç të zgjidhte mes Jugosllavisë dhe Italisë.
Megjithë përkrahjen jugosllave për kthimin në pushtet, presidenti Zog rrezikonte kundërvënien e shumë njerëzve në se do të mbështetej më shumë tek fqinji verior, oreksi i të cilit për territoret shqiptare ishte demonstruar prej kohësh. Në fakt, edhe pse ambiciet italiane nuk ishin më pak të dyshimta, për momentin Italia dukej një partner më pak i i rrezikshëm. Jugosllavia dukej më pak e fuqishme për të financuar shuma të konsiderueshme, krahasuar me Italinë. Si përfundim Presidenti Zog i ktheu shpinën ish aleatit dhe pranoi të negocionte një marrëveshje ekonomike me italianët.9)
Marrëveshja fillestare e vitit 1925 hyri në fuqi në verën e vitit1926, kur Credito Italiano (Banka italiane e Kreditit – shën.përk.) ngriti Bankën Kombëtare Shqiptare, me zyrat qendrore në Romë dhe me kapital pothuaj i tëri italian, e cila ishte e autorizuar të nxirrte kartëmonedhën për Shqipërinë. Deri në atë kohë nuk ekzistonte monedha shqiptare dhe nuk kishte ndonjë organizëm kreditor. Shqipëria mbështetej në monedhën 10 dhe 20 frangash dhe në koronën e argjende. Monedha 20 frangash, e njohur si “napolon” kishte vlerën e rrth katër dollarëve. (franga e arit ishte njësia monetare e pranuar nga Shkolla Teknike për llogaritjet në valutë vendi). Korona e argjendit vlerësohej nga gjendja e rezervës së brendshme të arit, që lëvizte sipas tregut të argjendit.10)
Marrëveshja e presidentit Zog me Italinë përfshinte edhe dhënien e huave për Shqipërinë. Për zabtimin e saj italianët krijuan një korporatë shtetërore, SVEA (Societa per lo Sviluppo Economico Albania – Shoqëria për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë- shën.përk.). SVEA gëzoi status të preferuar në përcaktimin punëve publike ndërtimore në Shqipëri.
Kthimi i presidentit nga Italia, në planin afatgjatë, ishte një vendim fatal. Secila palë – Ahmet Zogu huamarrësi dinal, Benito Musolini huadhënësi i duruar – rrinin në pritje për të avancuar secili synimet e veta. Për katërmbëdhjetë vjet me radhë, marrëdhëniet e tyre ngroheshin e ftoheshin, duke u luhatur mes pazareve për negocimin e huasve dhe moratoriumit të borxhit nga njëra anë dhe koncesioneve ekonomiko-politike nga ana tjetër. Këto manovrime, ndonëse të dobëta, sollën implikime financiare dhe politike për Shkollën Teknike Shqiptare.
Nga laboratorët e shkollës në kantieret e punës
Gjatë vitit akademik puna në ofiçinë apo në fermë, sipas rastit, alternohej me mësimet teorike. Ndryshimi mes Shkollës Teknike Amerikane dhe shkollave profesionale në vende të tjera qëndronte në faktin se të gjitha prodhimet e nxënësve në kuadrin e procesit mësimor shfrytëzoheshin direkt si për shembull bankat iu dhanë shkollave ndërsa raftet iu Parlamentit. Me kohë, pavarësisht prej tij, programit normal të trajnimit e përgatitjes iu shtua edhe tradita e organizimit një herë në javë të së “enjtes së punës”. Këtë ditë i gjithë personeli, nxënës dhe mësues, organizoheshin bashkërisht për realizimin të ndonjë veprimtarie të nevojshme; me këtë materializohej kontributi i të gjithëve për çështje që lidheshin me mirëmbajtjen apo riparimet e shkollës. Kjo “Ditë pune” konsiderohej si një ngjarje e veçantë e javës për të cilën shumë nga ne mendonim në avancë për gjetur diçka sa më interesante për të bërë, për realizimin e saj ngarkohej një grup pune ose dhe vetëm një person”, kujton Zihni Buzo njëri nga studentët e shkollës.
Në gazetën e shkollës “Laboremus” ka një shkrim, ku përshkruhet një ditë e tillë pune nëntori, e organizuar si një lojë e studentëve dhe mësuesve, referuar nga vetë drejtori, ku nxënësit luajtën në disa “pozicione”, në vartësi të aftësive, trajnimit dhe përvojës së tyre. Të gjithë, të ndarë në skuadra apo ekipe, u pozicionuan të përballeshin me pesëdhjetë punë të ndryshme si: riparim motorësh, hapjen e kasafortës së Legatës rumune (kishte humbur çelësi), sharrim druri, pastrimi i fuçive të turshive, libërlidhje, vizatime ilustruese për librin e anglishtes etj. për të mos i përmendur të gjitha. “Një e keqe që s’vjen për të keq” shkroi z.Fullc, “ dihet që nuk ka fonde të mjaftueshme për pagesën e të gjitha shpenzimeve të duhura për mirëmbajtjen e shkollës dhe që nxënësit duhet të ndihmonin me fitimin e një përqindje për ta përdorur për këtë qëllim. Kjo ishte një e keqe që s’vjen e tëra për të keq sepse i detyron nxënësit në situatën aktuale të ndihmojnë për të fituar vetë jetesën... dhe imponon varrosjen e dallimeve të vogla vetjake dhe që detyron të punohet bashkërisht për mbijetesën, mirëqenien dhe lumturinë e të gjithë popullsisë së shkollës.
Vështirësitë financiare kronike e shtynë Shkollën Teknike të guxonte, në pranverën e vitit1927, për ngritjen e një ndërmarrje tregtare për prodhimin e akullit. Në zbatimin e këtij projekti ndikoi edhe ndërhyrja e zonjës Faruell, e cila përsëri mori përsipër financimin e pajisjeve. Duke pasur parasysh verën e nxehtë e të thatë të Tiranës mund të pritej që akulli të jepte mundësi të fitoheshin ca lekë, dhe vërtet ashtu ndodhi. Në të vërtetë punishtja e akullit e Shkollës Teknike radhitej e treta në bizneset e kësaj natyre të ngritura në Shqipëri, pasi e dyta ishte në Tiranë, ndërsa tjetra nuk përbënte asnjë lloj konkurrenti, pasi pronari i saj e kishte lënë të rrënohej. Puna më e madhe për ngritjen e saj ishte sjellja që nga Durrësi i pajisjeve të saj që peshonin rreth 3 ton dhe instalimi i tyre në ndërtesën e “Kolegjit të vjetër” e lidhja me gjeneratorin. Kjo punë iu ngarkua zotit Koliaka i ndihmuar nga dy nxënës. kamioni i shkollës dhe nxënësi i saj shofer bëri tre rrugë nga Tirana në Durrës, ku njëra nga rrugët për transportin e pjesëve të rënda zgjati tetë orë. Sipas shënimeve të lëna nga drejtori kjo i ngjante nja maratone të kryer në kohë rekord: Duke pasur parasysh që shpesh kjo rrugë zgjaste 2,5 orë deri gjysmën dite nga dogana e Durrësit, me predispozita për çdo lloj aksidenti gjatë 26 miljeve që duheshin përshkuar, rekordi i arritur nuk ishte i keq, sidomos për shoferin që bëri tre ecejake në pak më shumë se 24 orë. Një djalosh që arrin ta bëjë këtë, do të thotë se ka forcë dhe qëndresë me të vërtetë joshose.16) Fabrika e akullit u vu në punë më 21 maj (1927). Nga fundi i asaj vere shitjet bruto, përjashtuar konsumin për vetë shkollën, kaluan shumën e 1000 dollarëve, ndërkohë që kostoja e pajisjeve kishte qenë rreth 725 dollarë. Hamdi Rapi, një nga nxënësit që kalonte vullnetarisht pushimet në shkollë, i cili ndihmonte në menaxhimin e fabrikës, lidhur me të shkruan: Gjatë kohës së nxehtë, prodhimi mesatar i fabrikës sonë ishte 80 blloqe akulli në ditë. Secili bllok peshonte 12 kg. Akulli i prodhuar iu shitej akullore bërësve, hoteleve dhe konsumatorëve privatë të Tiranës. Veç tyre kishte edhe njerëz nga Durrësi, Kruja, bile edhe nga Kavaja, rreth 70 km larg, që blinin akull nga ne. Ky akull u shitej konsumatorëve të përhershëm. Çmimi e bllokut të akullit ishte 1 franga ari. Secili klient blinte një biletë 20 frangash (rreth 4 dollarë), ku çpohej një birë për çdo bllok akulli që merrte. për secilin caktohej edhe koha e tërheqjes së mallit. Në se ndonjë nga klientët nuk paraqitej në kohën e caktuar, akulli i shitej atyre që prisnin jashtë fabrikës. Kur blerësi mungonin, atëherë ai depozitohej në magazinën përkatëse që ndodhej në bodrum. Gjithsesi mua nuk më kujtohet asnjë rast, sidomos në ditët më të nxehta të verës, që të jetë hedhur qoftë dhe një bllok akulli, pasi gjithmonë ishte dikush që priste për ta blerë.
Kishte momente që makineria nuk prodhonte akull të cilësisë së kërkuar në kohë, ndihej e nevojshme që të lihej më gjatë në shëllirë, por konsumatorët mezi prisnin. Nevojat e tyre ishin aq të ngutshme sa na detyronin t’u jepnim ujë të ftohtë në kallëpe. Disa vjet më vonë, fabrika e akullit u desh të transferohej në një hapësire të fermës, ku furnizimi me ujë ishte më konstant dhe i rregullt se në Tiranë, ku kishte ndërprerje për shkak të uljes së prurjeve. Ethet, thatësira, malaria ishin shqetësime të përhershme të ultësirës bregdetare. Të trija këto mendohej se preknin gjënë e gjallë, ndaj edhe nuk mbaheshin në këtë mjedis. Shkolla Teknike Amerikane mori tre lopë të racës zviceranë, dy mëshqerra dhe një dem, të cilat i kishte sjellë z.Hollingshed në muajin tetor. Raca zvicerane në fjalë mbahet dhe përshtatet mirë në lartësitë e maleve zvicerane dhe në temperatura të freskëta, mirëpo z.Hollingshed kishte parë se ajo ishte përshtatur edhe në disa rajone të Italisë me kushte klimaterike që i ngjanin Shqipërisë. Megjithatë ekzistonte frika për verën që po vinte se si do ta përballonin lopët në fjalë. Pesimistët përpiqeshin të ngjallnin frikën se lopët evropiane do të vuanin nga infektimi i malaries. Duke pasur në mendje tufat e tanishme dhe të ardhshme të gjësë së gjallë, por edhe faktin që toka e fermës së shkollës ishte më e mirë për ta mbjellë, se sa të shfrytëzohej si kullotë, zoti Fullc bashkë me Ministrin Fuqiplotë amerikan , diskutuan t’i bënin kërkesë qeverisë që t’u jepej për shfrytëzim si kullotë verore mali Dajtit, që ngrihet në anën lindore të Tiranës. Ministri Fuqiplotë amerikan Çarls C.Hartd ia shtroi këtë kërkesë presidentit Zog, i cili e pranoi me entuziazëm dhe i ofroi Shkollës Teknike 650 akra sipërfaqe, 3-4 milje larg qytetit, rreth 4000 këmbë mbi nivelin e detit, bashkë me sugjerimin që shkolla të ndërtonte atje edhe një hotel turistik. Pllaja e Dajtit ishte një vend me bukuri të rrallë – plot livadhe dhe pyje, burime uji dhe përrenj malor – prej nga mund të shijohej çatitë me tjegulla të kuqe, minaret e bardha të Tiranës dhe kodrinat e blerta që zbresin drejt Adriatikut në horizont. Pas kësaj erdhi një propozim frymëzues: qeveria do të garantonte një rrugë hyrëse, ndërsa Shkolla Teknike të ndërtonte hotelin dhe të përfitonte të ardhurat nga vetë hoteli dhe nga kullotja e lopëve. Presidenti Zog ishte në një humor ekspansiv si rrjedhojë e kujtimeve të ëmbëla të nënshkrimit të Paktit të Miqësisë dhe Sigurisë me zotin Musolini nëntorin e shkruar (1926) dhe pas shtypjes së revoltës të një fisi në veri në dhjetor. Pakti me Italinë solli një farë sigurie për shkak të huas që mori Shqipëria dhe kjo materializoi edhe qetësinë e pranverës së vitit 1927. Një president mund të tundohet e të kryejë teprime ekstravagante; por duhet të jetë i kujdesshëm e të ruajë ekuilibrin në ndërtimin marrëdhënieve miqësore edhe me vendet e tjera si me Italinë. Presidenti Zog u tregua entuziast lidhur me projektin, duke u deklaruar se shkolla profesionale në fjalë e ka dëshmuar veten si mikja më e madhe e Shqipërisë dhe “qeveria nuk ka se si të refuzojë kërkesat e saj të arsyeshme, dhe sidomos, per faktin që është amerikane.18) Presidenti Zog nuk e pati të vështirë që të bindet Këshillin e Ministrave të konfirmonte dhënien Shkollës Teknike si grant të pllajës të Dajtit, por qeveria për momentin që flasim kishte në pronësi një pjesë të vogël të sipërfaqes që mendohej të jepej. Shumë shpejt doli që disa nga fshatrat e vendosura në rrëzën e malit zotëronin pronësinë mbi shumicën e saj. Lindi ideja e shkëmbimit të saj me pronë shtetërore që ndodhej në luginë, por që nuk u shty më tej. Zoti Fullc vazhdoi të ruante mendimin e dërgimit të lopëve të shkollës në një kullotë malore. Këtë mendim e rishikoi sërish për të ndërtuar kabina për strehimin e atyre që do të merreshin me lopët që do të shërbenin njëkohësisht si konvaleshencë për të sëmurët malarikë. Nuk kishte pengesë që qeveria ta ndryshonte planin për t’i dhënë shkollës si vendin edhe lëndën drusore për kabinën në fjalë. Zoti Hollingshed, që njihej si viktima me e shpeshtë e malaries, me një ekip prej gjashtë djemsh iu dha shansi të provojnë aftësitë e tyre në alpinizëm dhe ndërtim.
Marshimi i parë i grupeve dhe punëtorëve në Dajt ndodhi pas përfundimit të vitit shkollor rreth fundit të qershorit, kur të diplomuarit e grupit të dytë prej 30 vitesh, ende ishin nën ngazëllimin normal që ndjenin me përfundimin e studimeve. Në kushte ideali moti, Dita e daljes në terren tërhoqi një mori pjesëmarrësish të paparë më parë dhe, me këtë rast, nisi edhe një traditë e re e një darke të përbashkët të të 16 të diplomuarve që erdhën posaçërisht për t’iu bashkuar këtyre festimeve. Djemtë që kishin mbaruar shkollën më parë, shtuar edhe të diplomuarit e rinj formun një shoqatë të nxënësve që kishin ndjekur mësimet në këtë shkollë. Për momentin nuk është se ata kishin ndonjë ide të qartë për veprimtaritë e ardhshme, përveç dëshirës për të organizuar takime periodike mes tyre dhe të rrisnin lidhjet mes ish nxënësve të kësaj shkolle dhe vetë shkollës. Sa i përket personelit të Shkollës Teknike nuk shpresonin që ish nxënësit të shërbenin si donatorë për shkollën, por thjeshtë të vazhdonin ndihmën dhe mbështetjen e tyre në hapat e para të tyre në punë./Pamfleti
Lini një Përgjigje