TAGS-AT E JAVËS

Kulture14 Shkurt 2026, 15:40

“Tani është koha e përbindëshave”, si po keqinterpretohet Antonio Gramshi nga liderët europianë!

Shkruar nga Pamfleti
“Tani është koha e përbindëshave”, si po
Antonio Gramshi ishte një filozof marksist me origjinë arbëreshë

“The Guardian” vëren se shprehja “tani është koha e përbindëshave” i atribuohet gabimisht mendimtarit arbëresh...

Nuk është e habitshme që Antonio Gramshi citohet shpesh nga personalitete me bindje të ndryshme politike. Ai konsiderohet mendimtari komunist më i rëndësishëm perëndimor i shekullit XX dhe teoricieni që u përpoq të hartonte një strategji për marrjen e pushtetit dhe menaxhimin e kalimit drejt socializmit në kushte të ndryshme nga ato të Rusisë, pas dështimit të përpjekjeve për përhapjen e revolucionit në Europë nën ndikimin e suksesit bolshevik.

E majta ndërkombëtare e studion gjerësisht veprën e tij, ndërsa edhe figura të djathta kanë shprehur vlerësim për disa prej ideve të tij. Megjithatë, herë pas here, Gramshi citohet në mënyrë të pasaktë. Gazetari Philip Oltermann, në një analizë për të përditshmen britanike “The Guardian”, vëren se shpesh i atribuohet atij shprehja “tani është koha e përbindëshave”, një formulim që nuk gjendet në veprat e tij, të paktën jo në këtë formë.

Sipas “The Guardian”, këtë shprehje e kanë përdorur së fundmi kryeministri konservator i Belgjikës, Bart De Wever, deputetja britanike e majtë Zarah Sultana, guvernatori i Bankës Qendrore të Irlandës, Gabriel Makhlouf, si dhe historiani holandez Rutger Bregman. Të gjithë i referohen një situate politike ku, sipas tyre, forca dhe paraja duket se dominojnë pa kundërshtim.

Fragmenti origjinal, nga “Fletoret e burgut” që Gramshi shkroi gjatë viteve të gjata të burgimit nën regjimin fashist, thotë: “Kriza konsiston pikërisht në faktin se e vjetra po vdes dhe e reja nuk mund të lindë: në këtë ndërkohë shfaqen fenomenet më të ndryshme morbide”. Autori i referohej periudhës së trazuar që u hap në Europë pas Luftës së Parë Botërore, kur nga njëra anë elitat drejtuese kishin humbur legjitimitetin, ndërsa nga ana tjetër shtresat popullore nuk gjenin rrugëdalje për aspiratat e tyre. Në këtë kontekst, “fenomenet morbide” mund të merrnin forma autoritare, siç ndodhi në Itali me ardhjen në pushtet të Benito Musolinit.

Gramshi nuk përdori fjalën “përbindësha”, edhe për shkak të gjuhës së tërthortë që ishte i detyruar të përdorte në burg, por shumë analistë e konsiderojnë të kuptueshme që citimi i tij të rikthehet në debatet aktuale mbi rreziqet e prirjeve autoritare, edhe pse bëhet fjalë për reflektime të formuluara gati një shekull më parë.

Shënimet e tij nisnin nga konstatimi i një “krize autoriteti”, pra nga fakti që shtresat drejtuese nuk gëzonin më besimin e të qeverisurve. Sipas analizës së publikuar nga “The Guardian”, disa tipare të populizmit bashkëkohor paraqesin ngjashmëri me këtë përshkrim: distancim i theksuar i qytetarëve nga establishmenti dhe kundërshtim i hapur ndaj tij. Këto reflektime vazhdojnë të tërheqin vëmendje për qartësinë analitike dhe për gjuhën e koduar që lejon interpretime të ndryshme.

Antonio Gramshi, me origjinë arbëreshe, u arrestua më 8 nëntor 1926 dhe qëndroi në burg deri në fund të vitit 1933. Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, autoritetet e transferuan fillimisht në një klinikë në Formia dhe më pas në Romë, ku ndërroi jetë më 27 prill 1937, në moshën 46-vjeçare. Gjatë burgimit, ai analizoi humbjen e lëvizjes punëtore përballë Musolinit dhe kërkoi shkaqet në traditën politike dhe kulturore të Italisë, ndërsa njëkohësisht formuloi koncepte me ndikim ndërkombëtar.

Ndër më të njohurat mbetet nocioni i “hegjemonisë”, sipas të cilit në Perëndim pushteti nuk merret me forcë, si në rastin e Leninit në Rusi, por përmes ndërtimit të ndikimit kulturor në shoqërinë civile, duke fituar terren në institucionet dhe strukturat ku borgjezia ushtron dominimin e saj jomaterial. Kjo qasje ka tërhequr vëmendje edhe jashtë së majtës tradicionale; ideologu francez i djathtë Alain de Benoist ka shprehur vlerësim për dimensionin metapolitik të kësaj strategjie, duke theksuar se beteja ideologjike zhvillohet edhe në planin kulturor.

antoio gramshi

1 Komente

  1. a
    astrit

    Komunizmi deshtoi si sistem shoqeror. Te meresh me analizat e historive te mendimit te lidereve komunist eshte humbje kohe.

    Lini një Përgjigje