TAGS-AT E JAVËS

Kulture 4 Shkurt 2026, 14:03

Shkurti në TKOBAP: Një muaj emocionesh, dashurie dhe muzike në zemër të Tiranës

Shkruar nga Pamfleti

Shkurti në TKOBAP: Një muaj emocionesh, dashurie dhe muzike në

Dashuria, arti dhe muzika marrin zë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor (TKOBAP), i cili hap kalendarin artistik të muajit shkurt me një sërë ngjarjesh që premtojnë emocione të forta dhe përjetime të paharrueshme kulturore.

Muaji nis me rikthimin e operës së dashur të Gaetano Donizetti-t, “L’Elisir d’Amore”, e sjellë këtë herë në skenë si një produksion krejtësisht i ri. Me humor, ndjenjë dhe meloditë e pavdekshme të Donizetti-t, katër mbrëmje magjike do të interpretohen nga artistë të njohur të skenës shqiptare dhe ndërkombëtare, mes tyre Enkeleda Kamani, Gëzim Myshketa, Davide Luciano, Nina Muho dhe Artur Vera, duke e vendosur dashurinë në qendër të kryeqytetit.

Kalendari vijon me koncertin e muzikës së dhomës “LUM”, një mbrëmje intime dhe reflektuese me Hersi Matmujën (vokal) dhe Jacopo Conoci-n (violonçel), ku tingulli dhe emocioni bashkohen në një dialog të ndjerë artistik.

Një fokus i veçantë i TKOBAP-së mbetet edhe edukimi dhe formimi i brezit të ri. Në këtë kuadër, më 16 dhe 17 shkurt, organizohet një masterclass vokal me dy baritonë të njohur ndërkombëtarisht, Gëzim Myshketa dhe Davide Luciano, duke krijuar një hapësirë shkëmbimi, inspirimi dhe rritjeje profesionale për artistët e rinj.

Energjia rinore do të kulmojë me koncertin simfonik “Brezi i Lirisë”, interpretuar nga Orkestra e të Rinjve Amadeus, një përjetim muzikor që bashkon pasionin e të rinjve me fuqinë e orkestrës simfonike.

Magjia e Disney-t do të pushtojë skenën përmes një koncerti vokal-simfonik me kolonat zanore më të dashura të filmave vizatimorë, nën dirigjimin e maestros Diego Bassi, duke sjellë një atmosferë ëndërrimtare për publikun e çdo moshe.

Opera “L’Elisir d’Amore” rikthehet gjithashtu në versionin për fëmijë dhe familje, duke e afruar këtë kryevepër edhe me publikun më të vogël dhe duke kultivuar dashurinë për artin që në moshë të hershme.

Kalendari përmbyllet me premierën etno-muzikore të Ansamblit Popullor, “Rrugëtim në Arbëri”, një udhëtim artistik drejt rrënjëve, identitetit dhe trashëgimisë sonë kulturore.

TKOBAP fton publikun të bëhet pjesë e një muaji të mbushur me emocione, ku kultura, muzika dhe dashuria takohen çdo mbrëmje në skenë, duke e kthyer shkurtin në një festë të vërtetë të artit.

Shkurti në TKOBAP: Një muaj emocionesh, dashurie dhe muzike në

kalendari artistik tkobap shkurt 2026

Lini një Përgjigje