TAGS-AT E JAVËS

Kulture 3 Shkurt 2025, 11:12

Zef Mala, “komunisti i ridënuar”

Shkruar nga Kastriot Kotoni

 “Komunizmi si ideologji ishte një utopi, kurse si sistem politik, ishte një regres për njerëzimin…”

Zef Mala, “komunisti i ridënuar”
Zef Mala /

Historia, para së gjithash merret me ngjarje të veçanta. Ky ka qenë dhe fuksioni që i është ngarkuar historianit qysh në kohën e Aristotelit. Në sistemet diktatoriale apo autokrate, historia i thur lavde pushtetit dhe mbajtjes së tij. Ndaj edhe figura e Zef Malës, një komunisti të studjuar në Vjenë për filozofi, pas mbarimit të gjimnazit “Kolegji Saverian të Urdhrit Jezuit në Shkodër, me nota të shkëlqyera,  duhet ndriçuar.  

I frymëzuar, pas parimeve humanitare të vllazërimit të popujve dhe ideve të së majtës evropiane, u aktivizua në tubimet antiqeveritare të popullit austriak dhe për pasojë u arrestua nga policia. Nga kjo pjesëmarrje iu pre bursa e studimit, nga raportet që bënte konsullata shqiptare në instancat përkatëse.

I mirëformuar, me kulturë të gjerë dhe bindje të thella filozofike, gëzonte respekt dhe influencë në njerëz të shtresave të ndryshme përparimtare të shoqërisë dhe u bë udhëheqës i “Grupit Komunist të Shkodrës” në vitin 1937. Një vit më vonë boton “Buletini Jeshil”.

 Aktiviteti i dendur i këtij grupi, i cili shtrihej në të gjitha trevat shqiptare, ra në  sy të shëbimeve të regjimit  të “Zogut” dhe në vitin 1938, Zef Mala u arrestua, mes dhjetëra të tjerëve. Zefit iu dha dënimi me gjashtë vite burg në Breshtan (Berat). Nga burgu u arratis së bashku me shokë të tjerë, për t’u bashkuar me grupet e rezistencës kundër pushtimit fashist. Në dosjet e pushtuesve italianë ai shfaqej si një komunist i rrezikshëm dhe për këtë u internua në Ventotene (Itali), ku ishin internuar krerët kryesorë të partive komuniste e socialiste italiane.

Vlerësimi i tyre për Zefin ishte tejet i lartë dhe kjo klimë ndikoi në emancipimin e përgjithshëm të tij. Ndëkohë, Enver Hoxha kishte shpërndarë intrigën, sikur Zefi kishte tradhëtuar shokët. Por komunistët e “Grupi të Shkodrës”, nuk ranë pre e këtij trillimi.

Vasil Shanto, Tuk Jakova dhe Qemal Stafa kishin besim të plotë tek Zefi dhe i përgenjështronin shpifjet e ulta të Hoxhës dhe i kërkonin mendime të ndryshme për problemet të grupit edhe në internim. Pikpamja e Zef Malës ishte se duhej të lidheshin me Partinë Komuniste italiane, si më e avancuar dhe larg shovinizmit sllav. Mungesa e tij në tentativën e shkrirjes së grupeve komuniste në themelimin e Partisë, ishte një minus i madh dhe përfituan të dërguarit e Titos.  

Kur armata III aleate zbarkoi në Itali, liroi të burgosurit politikë italianë dhe me ata kombësi të ndryshme, midis tyre edhe shqiptarët, të cilët i mblodhën në qytetin e Barit. Zef Malën e sollën me pranga për ta gjykuar sërish në Shqipëri. Me ndihmën e “Njësitit gueril të Tiranës” mundi të arratisej dhe u inkuadrua në grupin e Pezës. Enver Hoxha dhe Miladin Popoviçi ndodheshin në Pezë dhe patën diskutim me Zefin për rezolucionin. Zefi, jo vetëm iu kundërvu atyre ndaj gabimeve që i atriboheshin “Grupit Komunist të Shkodrës” dhe atij personalisht (duke përfituar nga mungesa e tij dhe qëndrimit të ulët të Kristo Themelkos, por shtroi dhe vërejtje të tjera ndaj vijës së Partisë në përgjithësi.

Pyetjes së Miladinit se ç’mendonte për çështjen e Kosovës, ai iu përgjigj: “Çështja e Kosovës pa diskutim duhet të zgjidhet me anë të referendumit”. Nga ky qëndrim kundërshtues i Zefit u vendos përfundimisht likuidimi në prapaskenë i tij. Por falë nuhatjes dhe njoftimit të Myslym Pezës, ky plan ogurzi dështoi. Pas kësaj orvajtjeje iu propozua nga Enver Hoxha që Zefi të trajtohej si të gjithë anëtarët e “Shtabit të përgjithshëm”, por ai pranoi të trajtohej si gjithë partizanët e thjeshtë dhe në besën e Myslym Pezës. I sëmurë nga sytë, dhe meqë i duhej një kurim sa më i shpejtë, e sollën ilegalisht në Tiranë. Në fillim të vitit 1945 iu desh të kryente një ndëhyrje kirurgjikale në sy, sepse gjendja ishte shumë e rëndë dhe e dërgojnë në Itali, ku u mbajt i shtruar për gjashtë muaj. Miq të shumtë antifashistë të Ventotenës e vizitonin shpesh në spital, si Luigi Longo, Pietro Neni dhe Sandro Pertini, Presidenti i Italisë në vitet 80-të e shumë të tjerë, të cilët i propozuan të aderonte në ndonjërën parti në Itali ku do t’i hapej perspektivë e madhe dhe me problemin e syve do të ishte më mirë.

Zef Mala kthehet në atdhe dhe emërohet drejtor i Biblotekave. Por ashpërsimi luftës së klasave dhe veçanërisht lufta kundër elitës intelektuale e gjen në burgun e Tiranës në vitin 1947-1949. Klika prosllave e Koçi Xoxes i mori të gjitha gjynahet e mëkatet dhe Zef Malaj doli nga burgu si i persekutuar nga kjo klikë dhe u “reablitua”. Me ndjenjën e thellë për t’i shërbyer atdheut e popullit iu përkushtua punës si drejtor i Arkivit të Shtetit. Ai u ngarkua për të mbledhur materiale historike të periudhës 1912-1924, por sërish burgoset në vitin 1956 dhe nuk arriti ta përfundonte këtë punim. U dënua 5 vjet në Zvërnec të Vlorës ku klima ishte tejet e keqe për shëndetin dhe ia përkeqësuan shikimin deri në humbjen e 80% të shikimit. Nuk i njohën të drejtën e kthimit, as në qytetin e Shkodrës dhe as në rrethin e Tiranës pas mbarimit të afatit të burgosjes. Dhe Zefi plot humor shpotitës thoshte: “S’më mbetet veçse të ngreh një kasolle në pyll, ku ndofta do të kuptohem më mirë me egërsirat”. I gjendur pa familje, pa strehë, pa pension invaliditeti, iu njoh e drejta e banimit në Tiranë, një “Qarkullimi brenda kufijve periferikë”, më troç një internim në Tiranë. Pas një viti u thirr nga kryeministri Mehmet Shehu i cili iu drejtua: “Mbase jeta jote ka kaluar në kushte anormale, hyr e dil në burgje e në internime…, por unë kam këtë propozim:

1) Po të mos na ngacmosh, nuk do të të ngacmojmë.

2) Jam i disponuar të të plotësohen kërkesat e tua jetësore.

Zefi i thotë: “Zbato pikën e dytë. Konform ligjit kërkoj të më njihet e drejta e invaliditetit të plotë. Të më sigurohet banesë”. Këto kërkesa me urdhër të Mehmet Shehut iu plotësuan. Po kalvari i vuajtjeve të Zef Malajt nuk ka të sosur dhe një ditë diktatori e kish parë në rrugë të shoqëruar nga Lec Mala dhe pas tre ditësh i komunikojnë internimin në Labovë për pesë vite. I shkruan një promemorje kryeministrit Mehmet Shehu në vitin 1978. Në zgjedhjet për deputet të “Kuvendit Popullor”, Zef Mala nuk pranon të votojë… I bëjnë gjyqin në Tiranë dhe ia shtojnë vitet e internimit… Një vit më vonë, mbylli sytë në ditën e ndërrimit të viteve  (1979-80), në spitalin e burgut të Tiranës  

Zefi, sipas miqve të tij, Henrik Gjoka dhe Skënder Haxhihasani, ka lënë shumë kujtime dhe ese filozofike, mbi 8 vëllime të cilat nuk dihet ku kanë përfunduar. Zef Mala ishte ndër përkrahësit e parë të ideve komuniste, por ai arriti në konkluzionin se “komunizmi si ideologji ishte një utopi, kurse si sistem politik, ishte një regres për njerëzimin…”

 I vendosur në krahun e së drejtës dhe humanizmit, ai do të deklaronte: “Ne që kontribuam për ardhjen e kësaj kolere, që mbolli lot, gjak e helm në zemrën e popullit e që shfrytëzoi imazhin solemn të atdheut, na përket të kërkojmë të falur në gjunjë e me dorë në zemër”…/Pamfleti

zef mala komunisti i ridenuar

Lini një Përgjigje