Gazetari Osman Stafa, ka mbajtur një fjalim përpara mijëra qytetarëve të mbledhur në bulevard, duke sfiduar skepticizmin për të ardhmen e vendit. Ai theksoi se prania masive e njerëzve në protestë është prova më e mirë se Shqipëria ka shpresë për ndryshim.
Gjatë fjalës së tij, gazetari u ndal te kontrasti mes mungesës së kushteve bazë në spitale dhe shpenzimeve që, sipas tij, kryhen për projekte luksi. Ai ngriti shqetësimin për pacientët me kancer, të cilët, sipas deklaratës së tij, përballen me mungesë ilaçesh dhe pajisjesh mjekësore.
“Na kanë thënë se ky vend nuk bëhet, por ky imazh këtu tregon të kundërtën. Ky vend bëhet! A ka korrupsion në Shqipëri? A ka shëndetësi? Nafta, çmimet janë në qiell. Si do jetojmë? Ne themi nuk ka shëndetësi, ata thonë Irani. Ne themi s’ka arsim, ata thonë Soros, ne themi s’ka rroga, ata thonë greku… Jo mor jo, kanë frikë, janë në panik se kur populli del në shesh nuk ka më mandate.
Në spitale nuk ka ilaçe, nuk ka pajisje. Nuk kurohet kanceri pa pajisje e ilaçe! Ndërkohë ky shtet harxhon lekët me kopshtin Eden në kryeministri me 4.3 mln euro nga taksat tona dhe pacientët me kancer nuk kanë ilaçe. Kemi çuar dy satelitë dhe pacientët nuk kanë ilaçe. Ky është realiteti ynë dhe ka një përgjegjës! A e dini ju se një jetim në Shqipëri merr 15 mijë lekë në muaj, ndërkohë luksi, 10 mijë euro për të larë makinat në një muaj këtu!”, u shpreh ai.
Në përfundim të fjalës së tij, Stafa foli edhe për situatën politike në vend, duke argumentuar se mungesa e rotacionit politik ka ndikuar në zhvillimin demokratik të Shqipërisë.
“Thonë pse tani? Kanë pasur kohë 36 vite? Prej kur kam lindur unë janë ndërruar 7 presidentë të SHBA, ndërsa këtu vetëm dy individë”, tha Stafa.

Vala e protestave qytetare është shtrirë edhe në Elbasan, ku dhjetëra qytetarë janë mbledhur këtë të shtunë në qendër të qytetit për të shprehur pakënaqësitë dhe kërkesat e tyre për ndryshim.
Pas tubimit të parë të zhvilluar një ditë më parë, protesta e sotme ka regjistruar një pjesëmarrje më të lartë, me qytetarë të moshave të ndryshme që iu bashkuan grumbullimit. Në shesh janë parë të rinj, familjarë, të moshuar dhe fëmijë, të cilët kanë ndjekur fjalimet dhe diskutimet e organizatorëve.
Gjatë tubimit, pjesëmarrësit kanë ngritur shqetësime që lidhen me problematika sociale, ekonomike dhe zhvillimin e qytetit, duke kërkuar më shumë vëmendje ndaj interesave të qytetarëve. Sipas organizatorëve, protesta nuk kufizohet më vetëm te një çështje e vetme, por synon të sjellë në vëmendje një sërë problematikash që prekin komunitetin lokal dhe qytetarët në mbarë vendin.
Atmosfera në shesh ka qenë paqësore, ndërsa qytetarët kanë marrë fjalën për të ndarë shqetësimet dhe kërkesat e tyre. Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje më të gjerë në ditët në vijim, duke theksuar se zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet në çdo qytet të Shqipërisë.
Rritja e pjesëmarrjes në Elbasan vjen në një kohë kur protesta të ngjashme po zhvillohen edhe në qytete të tjera të vendit, duke treguar një mobilizim gjithnjë e më të madh të qytetarëve për të shprehur pakënaqësitë dhe kërkesat e tyre në hapësirën publike.

Diaspora shqiptare mobilizohet në mbështetje të protestave në atdhe. Flamuj kuqezi, pankarta dhe thirrje për ndryshim politik në zemër të kryeqytetit britanik.
Qindra shqiptarë janë mbledhur në Londër në një protestë të organizuar në mbështetje të tubimeve që po zhvillohen prej ditësh në Shqipëri. Me flamuj kombëtarë, pankarta dhe thirrje kundër qeverisë, diaspora shqiptare ka treguar se po ndjek me vëmendje zhvillimet në vend dhe po solidarizohet me qytetarët që protestojnë në Tiranë dhe qytete të tjera.
Fotot nga protesta tregojnë një pjesëmarrje të konsiderueshme të emigrantëve shqiptarë, të cilët kanë mbushur rrugët e kryeqytetit britanik me ngjyrat kuqezi. Në pankarta shfaqen mesazhe të forta kundër emigrimit masiv, korrupsionit dhe gjendjes ekonomike në Shqipëri, ndërsa nuk mungojnë as sloganet politike që kanë shoqëruar protestat e ditëve të fundit.
“Shqipëria nuk shitet”, “Ka ardhur koha të shporreni” dhe mesazhe të tjera kundër qeverisë kanë dominuar protestën, ku pjesëmarrësit kanë kërkuar ndryshim politik dhe më shumë përgjegjësi nga institucionet shqiptare.
Protestuesit në Londër theksuan se largimi nga Shqipëria nuk i ka shkëputur nga problemet e vendit dhe se shumë prej tyre ndihen të detyruar të reagojnë për shkak të emigrimit të vazhdueshëm të të rinjve, mungesës së perspektivës dhe pakënaqësisë ndaj klasës politike.
Tubimi u zhvillua në mënyrë paqësore, ndërsa pjesëmarrësit deklaruan se do të vijojnë të mbështesin protestat që po zhvillohen në Shqipëri. Organizatorët thanë se reagimi i diasporës po rritet nga dita në ditë dhe se qytete të tjera me komunitete të mëdha shqiptare po organizojnë aktivitete të ngjashme.
Protesta në Londër vjen në një kohë kur tubimet qytetare në Shqipëri kanë hyrë në ditën e shtatë, ndërsa lëvizja ka gjetur mbështetje edhe në vende të tjera europiane, duke e kthyer reagimin e diasporës në një nga zhvillimet më të spikatura të këtyre ditëve.





Thirrjet kundër qeverisë vijojnë gjatë fjalimeve të mbajtura para Kryeministrisë. Një nga protestuesit lëshoi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe u bëri apel forcave të rendit që, sipas tij, të mos i druhen pushtetit.
Duke folur nga podiumi para mijëra qytetarëve të mbledhur në bulevard, ai deklaroi se protestuesit do të vijojnë mobilizimin e tyre deri në largimin e qeverisë, ndërsa paralajmëroi se pakënaqësia qytetare po rritet nga dita në ditë.
“O plak i ligë, shkove 61 vjeç, po ne jemi rinia! Jemi zotuar se jemi këtu çdo ditë derisa të shporresh nga karrigia e pamerituar. Do jemi këtu përditë. Mos e detyro turmën të humbasë kontrollin e të gabojë e ta fusë Tiranën në kolaps”, u shpreh ai.
Në vijim të fjalës së tij, protestuesi iu drejtua edhe punonjësve të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës, duke i ftuar që të mos kenë frikë dhe të qëndrojnë në anën e qytetarëve.
“T’i japim zemër policisë dhe gardës që të thyejnë frikën. E kanë frikë se vetë rojet e tij dhe Garda e Republikës do u rrëshqasë këmba dhe do gabojnë shumë dhe do e sjellin me duart e tyre zvarrë këtu”, deklaroi ai.
Fjalimi u prit me brohoritje dhe duartrokitje nga pjesëmarrësit në protestë, e cila për të shtatën ditë radhazi po zhvillohet para Kryeministrisë. Ndryshe nga ditët e para, protesta është fokusuar kryesisht në kërkesat për largimin e qeverisë, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e mobilizimit edhe në ditët në vijim.
Profesori i njohur Lush Susaj ka mbajtur një nga fjalimet më të forta në protestën e zhvilluar para Kryeministrisë, duke iu drejtuar mijëra qytetarëve të mbledhur në bulevard me akuza të ashpra ndaj qeverisë dhe thirrje për vazhdimin e mobilizimit qytetar.
Në nisje të fjalës së tij, Susaj vlerësoi praninë e nënave dhe fëmijëve në protestë, duke e konsideruar atë si një moment domethënës të lëvizjes qytetare.
“Dolën në shesh nënat dhe foshnjat që janë engjëjt e Shqipërisë. Shpreh mirënjohje për çdo protestues dhe nënat e Shqipërisë kanë firmosur me dorën e tyre rrëzimin e diktaturës më të ndyrë”, deklaroi ai mes duartrokitjeve të protestuesve.
Profesori kritikoi ashpër mënyrën e qeverisjes gjatë viteve të fundit, duke e cilësuar periudhën e tranzicionit si një kohë të humbur nën ndikimin e korrupsionit dhe abuzimit me pasuritë publike.
Sipas tij, qytetarët po reagojnë ndaj një modeli qeverisës që ka prodhuar emigrim, varfëri dhe zhgënjim, ndërsa theksoi se protesta ka hyrë në një fazë ku, sipas tij, nuk mund të ndalet më.
Gjatë fjalës së tij, Susaj foli edhe për orientimin perëndimor të Shqipërisë dhe rëndësinë e marrëdhënieve me partnerët strategjikë, duke shprehur mbështetje për Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe investitorët e huaj.
Në fund të fjalimit, profesori iu drejtua kolegëve të tij në sistemin arsimor dhe universitar, duke u bërë thirrje të bashkohen me protestuesit.
“U bëj thirrje mësuesve dhe profesorëve të Shqipërisë, o kolegë të nderuar, hajdeni në shesh krah studentëve tuaj”, deklaroi Susaj.
Fjalimi i tij u prit me ovacione nga turma e mbledhur para Kryeministrisë, ku protesta po vijon me pjesëmarrje të lartë dhe me thirrje të vazhdueshme për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë.

Mes mijëra qytetarëve të mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, një kënd i veçantë ka spikatur gjatë protestës së së shtunës para Kryeministrisë. Ndërsa të rriturit vijojnë tubimin kundër qeverisë, fëmijët kanë gjetur mënyrën e tyre për të qenë pjesë e atmosferës përmes artit dhe krijimtarisë.
Prindër që kanë marrë me vete fëmijët në protestë kanë organizuar një hapësirë të posaçme ku të vegjlit mund të pikturojnë dhe të kalojnë kohën në mënyrë kreative. Në asfalt janë vendosur letra, tabakë vizatimi dhe bojëra, ndërsa fëmijët shfaqin talentin e tyre përmes vizatimeve shumëngjyrëshe.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë të mitur të përqendruar në punimet e tyre artistike, larg zhurmës së thirrjeve politike, por në të njëjtën kohë pjesë e atmosferës së protestës që ka mbushur qendrën e kryeqytetit.
Ky kënd është kthyer në një nga momentet më të veçanta të tubimit, duke sjellë një kontrast me mesazhet politike dhe pankartat që dominojnë protestën. Shumë qytetarë janë ndalur për të parë vizatimet e fëmijëve dhe për të fotografuar momentet e krijuara prej tyre.
Protesta e ditës së shtatë është karakterizuar jo vetëm nga pjesëmarrja masive dhe thirrjet kundër qeverisë, por edhe nga prania e familjeve të shumta, të cilat kanë zgjedhur të marrin pjesë së bashku në tubim. Përmes këtij këndi artistik, organizatorët dhe prindërit kanë synuar t'u krijojnë fëmijëve një ambient të sigurt dhe argëtues gjatë qëndrimit në bulevard.
Një nga momentet më prekëse të protestës së zhvilluar para Kryeministrisë ishte dëshmia e një qytetari që tha se prej tre vitesh po përballet me sëmundjen e kancerit. Fjalimi i tij u prit me duartrokitje të gjata dhe emocione nga mijëra protestuesit e mbledhur në bulevard.
Duke folur nga podiumi, ai denoncoi gjendjen në sistemin shëndetësor dhe veçanërisht në spitalin Onkologjik, për të cilin përdori krahasime të forta, duke e cilësuar si simbol të dështimit të institucioneve ndaj pacientëve.
“Jam një qytetar që vuaj prej 3 vitesh nga kanceri. Do e mund këtë sëmundje. Jo më larg se 3 kilometra nga këtu është një krematorium ku kanë vdekur 20 mijë veta. A është një Aushvic? Është turpi i kësaj godine, i këtij vendi, i 35 viteve”, deklaroi ai.
Në vijim të fjalës së tij, protestuesi u bëri thirrje qytetarëve të vazhdojnë mobilizimin dhe të mos tërhiqen nga kauza e tyre, duke lidhur problematikat e shëndetësisë me përgjegjësinë e institucioneve shtetërore.
Fjalimi i tij u shndërrua në një nga momentet më të komentuara të protestës, ndërsa shumë prej të pranishmëve iu bashkuan thirrjeve të tij me duartrokitje dhe brohoritje.
Vala e protestave qytetare është shtrirë edhe në Korçë, ku dhjetëra qytetarë janë mbledhur në qendër të qytetit për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.
Me pankarta në duar dhe flamuj kombëtarë, protestuesit kanë përsëritur thirrjet që po dëgjohen prej ditësh edhe në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e kreut të qeverisë dhe ndryshim të kursit politik në vend. Në mesin e turmës janë parë qytetarë të moshave të ndryshme, të cilët kanë deklaruar se protesta nuk lidhet më vetëm me një çështje të veçantë, por me pakënaqësinë e akumuluar ndaj qeverisjes.

Korça i është bashkuar kështu një harte gjithnjë e më të gjerë protestash që po zhvillohen paralelisht në disa qytete të Shqipërisë. Tubime janë raportuar edhe në Shkodër, ku qytetarët kanë marshuar në rrugët kryesore të qytetit me pankarta kundër korrupsionit dhe mesazhe për mbrojtjen e interesit publik.

Organizatorët e protestave kanë bërë thirrje që mobilizimi të mos kufizohet vetëm në Tiranë, por të shtrihet në çdo qytet dhe komunitet, duke e kthyer lëvizjen në një reagim kombëtar. Kjo thirrje duket se po gjen mbështetje, pasi përditë e më shumë qytetarë po dalin në sheshe për të shprehur pakënaqësitë e tyre.
Ndërsa protesta qendrore vijon para Kryeministrisë në Tiranë, tubimet në Korçë, Shkodër dhe qytete të tjera po tregojnë se lëvizja po merr një shtrirje gjithnjë e më të gjerë territoriale, me kërkesa të qarta politike dhe me fokus te largimi i qeverisë së Edi Ramës.
Mes brohoritjeve të protestuesve, një qytetar i ardhur nga Kosova bëri thirrje për rezistencë, duke deklaruar se shqiptarët e Kosovës janë në krah të protestës në Tiranë.
Mes mijëra protestuesve të mbledhur përpara Kryeministrisë, vëmendjen e të pranishmëve e tërhoqi fjalimi i një qytetari të ardhur nga Prishtina, i cili shprehu mbështetjen e shqiptarëve të Kosovës për protestën që po zhvillohet në Tiranë.
Duke folur para turmës, ai u bëri thirrje protestuesve të mos tërhiqen nga kauza e tyre dhe të vijojnë qëndresën kundër qeverisë.
“Kam ardhur nga Prishtina! Vetëm një lutje kam për ju, mos u dorëzoni, rezistoni dhe do fitoni! Kosova është me juve, Kosova është me nënën Shqipëri. Poshtë diktatura, rroftë revolucioni!”, deklaroi ai, mes duartrokitjeve dhe brohoritjeve të pjesëmarrësve.
Fjalimi i tij u prit me entuziazëm nga turma, e cila iu përgjigj me thirrje dhe ovacione. Prania e qytetarëve nga Kosova u konsiderua nga organizatorët si një shenjë solidariteti dhe mbështetjeje për protestën që prej ditësh ka marrë karakter të gjerë antiqeveritar.
Protesta e së shtunës u dominua nga thirrje kundër qeverisë, kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe kritika ndaj klasës politike.
Pjesëmarrja e shqiptarëve nga Kosova dhe mesazhet e solidaritetit të ardhura nga diaspora shqiptare në vende të ndryshme të Europës janë paraqitur nga organizatorët si dëshmi se protesta ka tejkaluar kufijtë e një kauze lokale dhe është shndërruar në një lëvizje me jehonë më të gjerë kombëtare.

Atmosfera para Kryeministrisë është ndezur edhe më tej nga fjalimet e mbajtura nga protestuesit, të cilët kanë vijuar me akuza të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe modelit të qeverisjes së tij.
Një prej protestuesve mori fjalën para turmës së mbledhur dhe ironizoi një nga shprehjet e përdorura shpesh nga kryeministri, duke pyetur publikisht se ku ndodhet “Roma” e premtuar pas më shumë se një dekade në pushtet.
“Roma nuk bëhet për një ditë. Kanë kaluar 13 vite. Cila është Roma jote? Është Roma e kullave të shokëve të tu. Ti do të na përzësh neve dhe të ndërtosh Romën tënde. Mos e falni, motra dhe vëllezër shqiptarë”, deklaroi ai, ndërsa turma iu përgjigj me brohoritje dhe duartrokitje.
Fjalimi u përqendrua te largimi i shqiptarëve nga vendi, rritja e kostos së jetesës dhe akuzat se zhvillimi i promovuar nga qeveria nuk po përkthehet në përmirësim të kushteve për qytetarët e zakonshëm. Sipas protestuesit, përfituesit e vetëm të politikave të qeverisë janë një grup i vogël njerëzish të lidhur me pushtetin.
Mes thirrjeve “Dorëheqje”, “Rama ik” dhe “Edi Rama ka mbaruar”, ai u bëri apel qytetarëve të vazhdojnë rezistencën dhe të mos tërhiqen nga protesta.
Në fund të fjalës së tij, protestuesi dha një mesazh që u prit me entuziazëm nga të pranishmit, duke e lidhur qëndresën në shesh me emigrimin masiv të shqiptarëve gjatë viteve të fundit.
“Për çdo shqiptar që u detyrua të ikë, ne nuk ikim nga ky shesh”, deklaroi ai, ndërsa mijëra protestues shpërthyen në duartrokitje.
Tubimi para Kryeministrisë po vijon me pjesëmarrje të lartë, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se protesta do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të paraqitura, ku kryesorja mbetet largimi i qeverisë.

Krahas thirrjeve politike dhe kërkesave kundër qeverisë, protestuesit përdorën humorin, ironinë dhe satirën për të përcjellë mesazhet e tyre.
Një poster i frymëzuar nga “Red Dead Redemption”, ku Edi Rama, Sali Berisha dhe Flamur Noka paraqiteshin si personazhe të një filmi western, një pankartë me mbishkrimin “Protestën e organizoj unë. Më paguajnë me akullore” dhe mesazhi “Vajzat e bukura janë duke protestuar” ishin ndër momentet që tërhoqën më shumë vëmendjen në protestën e së shtunës në Tiranë.

Krahas thirrjeve politike dhe kërkesave kundër qeverisë, protestuesit përdorën humorin, ironinë dhe satirën për të përcjellë mesazhet e tyre. Një nga pankartat më të fotografuara ishte ajo me mbishkrimin “Absolute Corruption”, ku shfaqej fotografia e kryeministrit Edi Rama, ndërsa një tjetër montazh satirik paraqiste Ramën dhe Berishën në një skenë të krijuar me inteligjencë artificiale, shoqëruar me mbishkrimin humoristik “Epo ja që bije rrufeja e në hale”.

Pankartat u bënë shpejt objekt komentesh dhe fotografish në rrjetet sociale, duke i dhënë protestës një dimension tjetër përveç mesazheve politike që dominuan tubimin.

Ndërkohë, mijëra qytetarë u mblodhën në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, në ditën e shtatë të protestave kundër qeverisë dhe në mbështetje të kauzës së Zvërnecit. Në tubim morën pjesë qytetarë të moshave të ndryshme, aktivistë të shoqërisë civile dhe familjarë të ardhur nga zona të ndryshme të vendit.

Një tjetër pankartë që tërhoqi vëmendjen ishte ajo e mbajtur nga pjesëtarë të diasporës, ku shkruhej: "Na përzunë ndër vite, sot të përzëmë ne ty!". Mesazhi, i shoqëruar me simbolikën e emigrantëve shqiptarë jashtë vendit, u interpretua nga protestuesit si një reagim ndaj largimit masiv të shqiptarëve gjatë viteve të fundit dhe një thirrje për ndryshim politik.

Mes pankartave që tërhoqën vëmendjen ishte edhe ajo e mbajtur nga një protestues, ku shkruhej: "Sot i mora nënës 10 mijë lekë për të blerë pankartën. Vetëm 10 mijë lekë i mora se aq i kishin mbetur nga pensioni që mori dje". Përmes ironisë, mesazhi prekte një nga shqetësimet më të diskutuara në protestë, atë të pensioneve dhe vështirësive ekonomike të qytetarëve.

Një tjetër pankartë me tone satirike paraqiste kryeministrin Edi Rama duke folur në telefon, e shoqëruar me mbishkrimin: "Merre avokatin se me kapën shqiptarët". Mesazhi u komentua gjerësisht nga protestuesit, të cilët e interpretuan si kritikë ndaj qeverisë dhe situatës politike në vend.

Përgjatë marshimit nuk munguan thirrjet kundër qeverisë dhe klasës politike. Protestuesit kërkuan largimin e qeverisë, ndërsa organizatorët përsëritën qëndrimin e tyre se protesta do të vijojë edhe në ditët në vazhdim.
Mes flamujve kombëtarë, pankartave kreative dhe thirrjeve politike, protesta e kësaj të shtune u shndërrua jo vetëm në një manifestim qytetar, por edhe në një skenë ku humori dhe satira u përdorën si forma proteste kundër politikës shqiptare.
Tubimi u çel me Himnin Kombëtar, ndërsa organizatorët bënë thirrje për zgjerimin e protestave në të gjithë vendin. Mesazhet kryesore mbeten largimi i qeverisë dhe ndëshkimi i korrupsionit.
Ka nisur para Kryeministrisë protesta e ditës së shtatë, e cila pritet të jetë një nga tubimet më të mëdha që nga fillimi i lëvizjes qytetare një javë më parë. Qytetarë nga Tirana dhe qytete të tjera të vendit janë mbledhur në bulevard me flamuj kombëtarë, pankarta dhe thirrje kundër qeverisë.
Tubimi është hapur me këndimin e Himnit Kombëtar, ndërsa më pas organizatorët kanë marrë fjalën përpara protestuesve, duke theksuar se lëvizja ka hyrë në një fazë të re dhe se kërkesat e qytetarëve tashmë shkojnë përtej çështjes së Zvërnecit.
Në fjalën e saj, një prej organizatorëve iu drejtua SPAK-ut dhe institucioneve të drejtësisë, duke përsëritur thirrjet që janë dëgjuar gjatë gjithë javës së protestave.
“O SPAK, shqiptarët po thonë ‘Rama në burg, Berisha në burg’. Jua kemi thënë dje, pardje dhe do t’jua themi çdo ditë. Protestën e organizuat ju me korrupsionin tuaj dhe na larguat për shumë vite”, deklaroi ajo mes duartrokitjeve të protestuesve.
Më tej, ajo theksoi se protesta nuk duhet të mbetet vetëm në Tiranë, por të shtrihet në çdo cep të vendit. Ajo u bëri thirrje qytetarëve që të organizohen në komunitetet e tyre dhe të mbajnë gjallë presionin ndaj institucioneve.
“Sot kam një thirrje për ata që nuk jetojnë në Tiranë. Protestoni në çdo lagje, në çdo qytet. Mos prisni që ndryshimi të vijë vetëm nga kryeqyteti. Shqipëria kërkon dorëheqje”, u shpreh ajo.
Ndërkohë, atmosfera para Kryeministrisë është e ngarkuar me thirrje politike. Në duart e protestuesve shihen pankarta me mbishkrime si “Rama ik”, “Dorëheqje”, “Atdheu nuk shitet”, “Rama në burg, Berisha në burg”, ndërsa organizatorët deklarojnë se protesta do të vijojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Lëvizja e nisur fillimisht si kundërshtim ndaj projektit në Zvërnec ka marrë tashmë përmasa më të gjera, me pjesëmarrësit që e paraqesin si një revoltë kundër korrupsionit, kapjes së shtetit dhe mënyrës së qeverisjes në vend. Organizatorët këmbëngulin se kërkesa kryesore mbetet largimi i qeverisë, ndërsa paralajmërojnë se mobilizimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Të rinj, të moshuar dhe fëmijë marshojnë drejt Bashkisë me pankarta kundër korrupsionit dhe qeverisë.
Revolta qytetare kundër qeverisë po përhapet në të gjithë vendin. Pas protestave në Tiranë dhe qytete të tjera, tubime janë zhvilluar edhe në Shkodër, ku qindra qytetarë janë mbledhur në qendër të qytetit për të shprehur kundërshtimin ndaj projektit dhe për të ngritur zërin kundër korrupsionit.

Të rinj, të moshuar dhe fëmijë u mblodhën pranë Kishës së Madhe në Gjuhadol, për të nisur më pas marshimin drejt Bashkisë së Shkodrës. Në duart e tyre shiheshin pankarta me mesazhe si “Korrupsioni na vjedh të ardhmen” dhe “Dilni zot tokës suaj”, duke e kthyer protestën në një thirrje për mbrojtjen e pasurive publike dhe interesit qytetar.
Ashtu si në protestat e zhvilluara në Tiranë, vëmendje të veçantë kanë tërhequr pankartat dhe mesazhet e protestuesve. Krahas sloganëve politikë si “Rama dorëhiqu”, “Rama burg, Berisha burg” dhe “Larg duart nga Narta”, nuk kanë munguar as pankarta me nota humori dhe ironie, të frymëzuara nga memet dhe mesazhet virale që qarkullojnë në rrjetet sociale.

Protesta në Shkodër konfirmon se lëvizja e nisur për Zvërnecin po shtrihet përtej jugut të vendit dhe po merr përmasa kombëtare. Ajo që nisi si kundërshtim ndaj një projekti të caktuar, po kthehet gjithnjë e më shumë në një shprehje të pakënaqësisë qytetare ndaj korrupsionit, mënyrës së qeverisjes dhe vendimmarrjes mbi pasuritë publike.
Konfiskimi i pasurive të Edi Ramës dhe Sali Berishës, është një nga kërkesat më të forta që u artikulua në nisje të protestës së sotme në Tiranë.
Mes thirrjeve për burgosjen e tyre, pjesëmarrësit kërkuan që pasuritë e kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, t’i nënshtrohen konfiskimit dhe t’i rikthehen shtetit.
“Ne nuk duam vetëm burgun, por edhe konfiskimin e pasurive, konfiskim të vërtetë. Ne duam konfiskimin e pasurisë që i përket popullit shqiptar”, deklaroi një nga organizatorët para turmës së mbledhur në qendër të kryeqytetit.
Mijëra qytetarë u mblodhën në orën 18:00 në sheshin “Skënderbej”, duke shënuar ditën e shtatë të protestave të organizuara kundër qeverisë dhe në mbështetje të kauzës së Zvërnecit. Në tubim morën pjesë të rinj, të moshuar, familjarë me fëmijë, aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë të ardhur nga zona të ndryshme të vendit.
Përgjatë protestës nuk munguan thirrjet kundër klasës politike. “Shqipëria e shqiptarëve, jo e tradhtarëve”, “Berisha në burg, Rama në burg”, “Qeveria e krimit”, “Dorëheqje, dorëheqje” dhe “Edi Rama ka mbaru” ishin disa nga sloganet që u dëgjuan në bulevard.
Organizatorët u bënë thirrje pjesëmarrësve të ruanin karakterin paqësor të protestës dhe të shmangnin çdo akt dhune. Gjithashtu u kërkua kujdes në përdorimin e flakadanëve dhe tymueseve për shkak të rrezikut që ato mund të paraqesin për shëndetin e pjesëmarrësve.
Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë, duke mbushur bulevardin me pankarta, flamuj kombëtarë dhe thirrje kundër qeverisë. Atmosfera mbeti e tensionuar, ndërsa pjesëmarrësit kërkuan largimin e qeverisë dhe ndryshim të kursit politik në vend.
Mes thirrjeve u dëgjuan edhe slogane si “Poshtë komunizmi!” dhe “Poshtë diktatura!”, ndërsa organizatorët deklaruan se protesta do të vijojë edhe në ditët në vijim.
Pjesëmarrje masive në ditën e shtatë të protestave. Tubimi ka marrë karakter të hapur politik, me thirrje për dorëheqjen e kryeministrit dhe largimin e qeverisë…
Mijëra qytetarë janë mbledhur para godinës së Kryeministrisë në atë që konsiderohet protesta më e madhe që nga nisja e mobilizimit qytetar një javë më parë. Bulevardi është mbushur me protestues të ardhur nga Tirana dhe qytete të tjera të vendit, ndërsa thirrjet kundër qeverisë dominojnë atmosferën e tubimit.
“Edi Rama ka mbaruar”, “Dorëheqje”, “Rama ik” dhe “Atdheu nuk shitet” janë disa nga sloganet që dëgjohen vazhdimisht nga turma e mbledhur përballë selisë së qeverisë. Në duart e protestuesve shihen qindra pankarta, ku krahas kritikave ndaj kryeministrit nuk mungojnë as mesazhet kundër figurave të tjera politike, përfshirë sloganin “Rama në burg, Berisha në burg”.
Protesta e sotme dëshmon se lëvizja ka kaluar përtej kundërshtimit të projektit në Zvërnec. Qytetarët e mbledhur para Kryeministrisë e konsiderojnë tubimin si një reagim ndaj mënyrës së qeverisjes, vendimmarrjes pa konsultim publik dhe asaj që ata e cilësojnë si shpërfillje të interesave të qytetarëve.
Organizatorët kujtojnë se protestuesit kanë paraqitur pesë kërkesa, ku kryesorja mbetet largimi i qeverisë së Edi Ramës. Sipas tyre, zemërimi qytetar që shpërtheu fillimisht për Zvërnecin është kthyer tashmë në një kërkesë të qartë për ndryshim politik.
Ndërsa pjesëmarrja vijon të rritet nga ora në orë, protesta e ditës së shtatë po shënon kulmin e një jave mobilizimi që ka nxjerrë në rrugë mijëra qytetarë në Shqipëri dhe ka gjetur mbështetje edhe te diaspora shqiptare në shumë vende të Europës.
Qytetarët mblidhen në Sheshin Skënderbej për marshimin drejt Kryeministrisë. Nga kauza për Zvërnecin, lëvizja është kthyer në një revoltë të hapur kundër qeverisë së Edi Ramës.
Revolucioni Flamingo hyn sot në ditën e shtatë të protestave, ndërsa organizatorët dhe pjesëmarrësit presin tubimin më të madh që nga nisja e lëvizjes një javë më parë. Qytetarë nga Tirana dhe qytete të tjera të vendit kanë nisur të mblidhen në Sheshin Skënderbej, prej nga pritet të niset marshimi drejt Kryeministrisë.
Ajo që nisi si një reagim kundër projektit të diskutueshëm në Zvërnec është shndërruar tashmë në një revoltë më të gjerë kundër qeverisë. Në pankartat e protestuesve dominojnë mesazhe si “Rama ik”, “Rama dorëhiqu”, “Atdheu nuk shitet”, ndërsa nuk mungojnë as thirrjet kundër gjithë klasës politike me sloganet “Rama në burg, Berisha në burg”.
Sipas organizatorëve, protesta nuk është më vetëm për Zvërnecin. Ajo përfaqëson zemërimin e akumuluar prej vitesh ndaj asaj që qytetarët e konsiderojnë si arrogancë të pushtetit, vendimmarrje pa konsultim publik dhe favorizim të interesave të një pakice në dëm të interesit publik.
Protestuesit kanë dorëzuar pesë kërkesa, ku e para dhe më e rëndësishmja mbetet largimi i qeverisë së Edi Ramës. Sipas tyre, Shqipëria po përballet me një krizë përfaqësimi dhe besimi, ndërsa kauza e Zvërnecit ishte vetëm shkëndija që ndezi revoltën.
Përgjatë javës, protestat janë shtrirë në disa qytete të vendit, ndërsa kanë gjetur mbështetje të fortë edhe te diaspora shqiptare. Tubime të ngjashme janë zhvilluar në Londër, Berlin, Mynih, Milano, Vjenë dhe qytete të tjera evropiane, ku shqiptarët kanë dalë në rrugë me të njëjtat mesazhe dhe kërkesa.
Me pjesëmarrjen që pritet të shtohet në orët në vijim, organizatorët synojnë që protesta e sotme të shënojë kulmin e asaj që ata e kanë pagëzuar tashmë si “Revolucioni Flamingo”, një lëvizje që sipas tyre ka dalë përtej kufijve të një kauze lokale dhe po kërkon ndryshim politik në Shqipëri.
Nga Tirana në kryeqytetet evropiane, shqiptarët kërkojnë largimin e Edi Ramës. Thirrjet kundër qeverisë shoqërohen edhe me mesazhe kundër gjithë klasës politike.
Revolta e nisur në Shqipëri kundër projektit në Zvërnec po shndërrohet në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë së Edi Ramës, duke kapërcyer tashmë edhe kufijtë e vendit. Nga Tirana deri në Londër, Vjenë, Milano, Berlin, Mynih, Uashington dhe Stokholm, qindra shqiptarë të diasporës kanë dalë në rrugë për të mbështetur protestat dhe për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisjes në Shqipëri.
Një nga protestat më të forta është zhvilluar në Vjenë, ku shqiptarë të shumtë u mblodhën në qendër të kryeqytetit austriak me thirrje të drejtpërdrejta për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa nuk munguan as kërkesat për hetimin dhe arrestimin e tij.
Tubime të ngjashme janë organizuar edhe në disa prej qyteteve më të mëdha evropiane, duke treguar se pakënaqësia e lindur nga kauza e Zvërnecit po merr përmasa shumë më të gjera politike. Ndërkohë që protestat në Tiranë vijojnë prej ditësh, diaspora shqiptare po kthehet në një zë të fortë mbështetës të revoltës qytetare.
Në Londër, qindra emigrantë shqiptarë mbushën sheshet me flamuj kuqezi dhe pankarta kundër qeverisë shqiptare. Protestuesit kërkuan anulimin e projektit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, por mesazhet e tyre shkuan përtej kësaj çështjeje. Në pankarta dhe thirrje dominoi kërkesa për largimin e Edi Ramës, ndërsa nuk munguan as sloganet kundër figurave të tjera politike, me mesazhe si “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Shqipëria nuk shitet”.
Edhe në Itali, qindra shqiptarë dolën në protestë në mbështetje të demonstratave që po zhvillohen në Shqipëri. Me flamuj kombëtarë, pankarta dhe simbolin e flamingos, tashmë i kthyer në simbol të rezistencës kundër projektit në Nartë dhe Zvërnec, protestuesit marshuan duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.
Shqiptarë të shumtë janë mbledhur përpara godinës së Ambasadës Shqiptare në Uashington DC, duke iu bashkuar organizimeve të ngjashme që po ndodhin në shumë qytete dhe kryeqytete të Evropës. Me thirrje të forta kundër ekzekutivit, shqiptarët e mbledhur në kryeqytetin amerikan kanë kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama.
Pjesëmarrësit në protestat e diasporës theksuan se lëvizja nuk ka më vetëm karakter lokal apo ambiental, por po shndërrohet në një reagim të gjerë kundër mënyrës së qeverisjes dhe klasës politike në vend. Sipas tyre, zemërimi qytetar që shpërtheu fillimisht në Zvërnec po bashkon shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve, duke krijuar një front proteste që po shtrihet në të gjithë Evropën.
Posht komunizmi,posht diktatura,posht narkomanet ...forca shqiptare ...duhet te bashkohemi te gjithe qe ti rrezojme armiqte tane,hajdeni ne tirane ,sot esht koha, te gjithe bashke ❤️