Pas më shumë se tre orë e gjysmë para Kryeministrisë, protestuesit mbyllën tubimin e pestë kundër projektit në Zvërnec dhe qeverisë Rama. Gjatë protestës u prezantuan për herë të parë pesë kërkesa konkrete, me në krye dorëheqjen e qeverisë, ndërsa tubimi mori një karakter më të gjerë politik me thirrje kundër gjithë klasës politike.
Pas më shumë se tre orë e gjysmë tubim para godinës së Kryeministrisë, protestuesit kanë mbyllur pjesën kryesore të protestës së pestë kundër projektit në Zvërnec dhe qeverisë Rama, ndërsa janë nisur sërish drejt Sheshit Skënderbej.
Organizatorët kanë paralajmëruar se protesta nuk përfundon me tubimin e sotëm, pasi pjesëmarrësit pritet të vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës, duke e kthyer qendrën e kryeqytetit në skenën kryesore të mobilizimit qytetar.
Protesta e sotme u dallua nga tubimet e mëparshme për shkak të karakterit më të gjerë politik që mori. Nëse ditët e para fokusi ishte kryesisht te kundërshtimi i projektit turistik në Zvërnec, gjatë tubimit të sotëm dominuan thirrjet kundër qeverisë dhe klasës politike në tërësi.
Për herë të parë, organizatorët prezantuan edhe një platformë me kërkesa konkrete, ku në krye të tyre ishte dorëheqja e qeverisë. Po ashtu u kërkua shfuqizimi i statusit të investitorëve strategjikë, anulimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, Paketës së Maleve dhe ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore.
Gjatë protestës nuk munguan thirrjet “Rama ik”, “Rama në burg” dhe “Berisha në burg”, ndërsa shumë pjesëmarrës e paraqitën tubimin si një reagim jo vetëm ndaj projektit në Zvërnec, por ndaj mënyrës së qeverisjes dhe klasës politike të tre dekadave të fundit.
Në podium u mbajtën fjalime nga aktivistë dhe qytetarë, ndërsa një nga momentet që tërhoqi më shumë vëmendjen ishte mesazhi i një nxënësi të klasës së tretë, i cili kërkoi mbrojtjen e natyrës dhe hapësirave publike.
Tubimi i sotëm konfirmoi se lëvizja e nisur pas ngjarjeve në Zvërnec po merr përmasa më të gjera se një protestë lokale mjedisore. Organizatorët kanë bërë të qartë se aksioni do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, ndërsa paralajmërojnë mobilizime të tjera deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Protestuesit e mbledhur para Kryeministrisë kanë përsëritur qëndrimin e tyre kundër përfshirjes së politikës në tubim, duke kërkuar largimin e një qytetari që ishte paraqitur me një pankartë me përmbajtje partiake.
Ngjarja u shënua gjatë protestës, ku pjesëmarrësit reaguan menjëherë ndaj pranisë së simbolikave politike, duke i kërkuar qytetarit që të hiqte pankartën dhe të mos përfaqësonte asnjë forcë politike në manifestim.
Organizatorët dhe protestuesit theksuan se protesta është qytetare dhe nuk duhet të identifikohet me asnjë parti, pavarësisht krahut politik.
“Asnjë partiak” dhe “Protesta është e qytetarëve” ishin mes mesazheve që u përcollën gjatë tubimit, ndërsa pjesëmarrësit kërkuan që fokusi të mbetet te kauzat dhe shqetësimet që i kanë nxjerrë në protestë.
Qëndrimi i protestuesve vjen në vijim të thirrjeve të përsëritura për të mos lejuar politizimin e tubimit, duke refuzuar praninë e simboleve apo përfaqësuesve të partive politike.
Gjatë protestës së zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, një nga qytetarët e pranishëm u bëri thirrje pjesëmarrësve të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve.
Në fjalën e tij para protestuesve, ai theksoi rëndësinë e zhvillimit paqësor të tubimit, duke kërkuar që asnjë veprim të mos përdoret për të devijuar qëllimin e protestës.
“Askush mos të provokojë në emër të protestës. Mos u bëni mish për top dhe bini pre e provokimeve. Ju lutem afrohuni qytetarë. Mos provokoni. Asnjë nuk do të lejohet të provokohet”, u shpreh ai.
Thirrja vjen në një moment kur në protestë janë mbledhur mijëra qytetarë, ndërsa organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë kërkuar që tubimi të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe pa incidente.
Vijon tubimi para Kryeministrisë...
Protesta kundër projektit në Zvërnec dhe qeverisë Rama po vijon përpara Kryeministrisë, ku protestuesit kanë mbajtur fjalime me tone të forta politike, duke insistuar se lëvizja tashmë ka kaluar përtej kundërshtimit të një projekti të vetëm.
Një prej protestuesve deklaroi se në Zvërnec është hequr gardhi i vendosur ditët e fundit, duke pretenduar se kjo po bëhet për të larguar vëmendjen nga protesta në Tiranë dhe për t'i rikthyer qytetarët në terren.
“Kanë hequr gardhin në Zvërnec që ne të ikim andej. Mos shkoni atje. Problemi nuk është atje. Problemi është këtu”, tha ai, duke treguar me gisht drejt godinës së Kryeministrisë dhe duke marrë duartrokitjet e protestuesve.
Një nga momentet që tërhoqi më shumë vëmendjen ishte dalja në podium e Iljonit, një nxënëse të klasës së tretë, e cila përcolli një mesazh të shkurtër për mbrojtjen e natyrës dhe hapësirave publike.
“Quhem Iljon, jam në klasën e tretë. Ne i duam parqet, lodrat, natyrën. Mbrojini për ne. Dorëhiqu, dorëhiqu, dorëhiqu”, tha vogëlushja, ndërsa turma iu përgjigj me duartrokitje dhe brohoritje.
Gjatë protestës u regjistrua edhe një moment simbolik, kur një protestuese u shkëput nga turma dhe tentoi të afrohej drejt hyrjes së Kryeministrisë. E shoqëruar nga forcat e policisë, ajo ngriti duart duke formuar simbolin e shqiponjës, ndërsa protestuesit reaguan me duartrokitje dhe thirrje mbështetëse.

Mesazhet e protestuesve janë fokusuar kryesisht te nevoja për ndryshim politik dhe përfshirjen e të rinjve në jetën publike. Një qytetar nga Rrjolli u bëri thirrje të rinjve të marrin përgjegjësi për të ardhmen e vendit.
“Shqipëria ka nevojë për rini. Hajde rini, merre situatën në dorë dhe drejto vendin”, tha ai.
Ndërsa protesta po vijon para Kryeministrisë, vihet re se fokusi i saj është zgjeruar ndjeshëm krahasuar me ditët e para. Nëse fillimisht kundërshtimi ishte i përqendruar te projekti në Zvërnec, sot dominuan thirrjet kundër qeverisë, kërkesat për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe kritikat ndaj gjithë klasës politike. Protestuesit kanë paralajmëruar se mobilizimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
Për herë të parë që nga nisja e protestave, përfaqësuesit e lëvizjes paraqitën publikisht një platformë me kërkesa politike dhe ligjore, me në krye dorëheqjen e qeverisë.
Protesta e sotme para Kryeministrisë shënoi një tjetër zhvillim të rëndësishëm, teksa për herë të parë organizatorët dolën me një platformë të qartë dhe me kërkesa konkrete, duke treguar se lëvizja ka kaluar tashmë kufijtë e kundërshtimit ndaj projektit të Zvërnecit.
Një prej përfaqësuesve të protestuesve deklaroi para turmës se lëvizja tashmë përfaqësohet nga një grup nismëtar dhe një grup koordinues, të cilët do të drejtojnë veprimet e ardhshme të protestës.
“Kjo lëvizje mbarëkombëtare përfaqësohet nga një grup nismëtar dhe një grup koordinues patriotësh, me integritet dhe vlera të larta intelektuale e shoqërore. Gra dhe burra dinjitozë, të rinj e të reja të vendosur për ta çuar këtë kauzë deri në fund dhe në përputhje me vullnetin e sovranit do të dimë të marrim vendimet e duhura në kohën e duhur”, tha ai mes brohorimave të protestuesve.
Sipas organizatorëve, pakënaqësia qytetare nuk lidhet më vetëm me zhvillimet në Zvërnec, por me mënyrën se si është qeverisur vendi gjatë viteve të fundit.
“Kjo nismë lindi si përgjigje ndaj rrezikut të madh në të cilën ndodhet vendi ynë. Sipas bindjes sonë, veprimet e qeverisë dhe të gjithë kësaj klase politike 35-vjeçare kanë cenuar interesin kombëtar dhe sigurinë kombëtare të Shqipërisë, duke vënë pasuritë dhe të ardhmen e vendit në shërbim të interesave dhe politikave të tyre të ndyra private”, deklaroi përfaqësuesi i protestuesve.
Më pas ai bëri të ditur se protesta organizohet dhe drejtohet nga qytetarë të pavarur.
“Deklarojmë se protesta është organizuar dhe udhëhiqet nga qytetarë të lirë, të bashkuar rreth një kauze të përbashkët mbarëkombëtare për të ardhmen e Shqipërisë”, u shpreh ai.
Në vijim u prezantuan edhe pesë kërkesat zyrtare të protestës. Në krye të tyre ishte dorëheqja e qeverisë, kërkesë që u shoqërua me thirrjet në kor të turmës “Dorëheqje! Dorëheqje!”. Protestuesit kërkojnë gjithashtu shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë, shfuqizimin e Paketës së Maleve, anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore.
5 kërkesat e protestuesve
-Dorëheqjen e qeverisë
-Shfuqizimi i ligjit për investitorëve strategjike
-Shfuqizimi i Paketës së Maleve
-Anulimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtjes
-Anulimin e ndryshimeve ne ligjin për trashëgiminë kulturore
Gjatë marshimit dëgjohen vazhdimisht thirrje si “Ju erdhi fund”, “Edi Rama o hajdut” dhe slogane që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit.
Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” janë shpalosur dhjetëra pankarta me mesazhe kundër qeverisë, ndërsa mijëra qytetarë po marshojnë drejt Kryeministrisë në ditën e pestë të protestës.
Brohoritjet “Ju erdhi fundi”, “Edi Rama, dorëhiqu!” dhe “Jo Zvërnec” shoqëruan marshimin e protestuesve, të cilët kërkojnë anulimin e projektit.
Gjatë marshimit nuk munguan as thirrjet: "Shqipëria nuk shitet", “Zëri ynë, dinjiteti ynë, e ardhmja jonë”.
“O pallosh, o zagar jep dorëheqjen sa më parë, Rama në burg, Berisha në burg”, ishte një nga thirrjet e protestuesve drejtuar Ramës.

Pjesëmarrja është më e lartë krahasuar me ditët e mëparshme të mobilizimit.
Në krye të marshimit ecën gra dhe fëmijë, në një mesazh simbolik për mbrojtjen e mjedisit dhe të ardhmes së brezave të rinj.


Gjatë lëvizjes drejt Kryeministrisë, protestuesit brohoritën në kor kundër qeverisë dhe klasës politike.

Protestuesit artikuluan gjithashtu thirrje kundër liderit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke kërkuar përgjegjësi politike dhe ligjore për figurat kryesore të politikës shqiptare.

Organizatorët kanë deklaruar se protestat do të vazhdojnë deri në tërheqjen e projektit.
Prania e forcave të policisë është shtuar përgjatë gjithë itinerarit të marshimit dhe në perimetrin e Kryeministrisë, ndërsa protesta deri tani po zhvillohet pa incidente.
Disa prej pankartave nga protesta:




Ndërsa qindra protestues janë mbledhur para Kryeministrisë duke kërkuar anulimin e projektit në Zvërnec dhe largimin e qeverisë, kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes rrjeteve sociale me një video nga Porto Montenegro në Mal të Zi.
Në postimin e tij, Rama sjell si shembull zhvillimin turistik të një prej projekteve më të njohura në rajon, duke lënë të kuptohet se Shqipëria nuk duhet të humbasë mundësi të ngjashme investimi.
“LIVE NGA PERLA QË E SOLLËN KËTU DIKUSH QË E PËRZUNË NGA SHQIPËRIA”, shkruan Rama në hyrje të reagimit të tij.
Kryeministri e shoqëron videon me një mesazh të drejtpërdrejtë për kundërshtarët e projektit, duke kujtuar sipas tij mundësitë e humbura të së shkuarës.
“O çuna goca na e kaluan njëherë këta vëllezërit e vegjël topin për shalësh, për fajin e honxhobonxhove tanë që e lanë topin ta marrë deti”, shprehet Rama.
Në fund të reagimit, kreu i qeverisë lë të kuptohet se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga projekti, pavarësisht kundërshtimeve dhe protestave që po zhvillohen prej ditësh.
“Po tani s’bëhet llaf më, ta harrojnë të gjithë ata që thonë s’duan apo s’na duan, se na kalon prap huq topi i historisë së Shqipërisë së Re”, shkruan Rama.
Reagimi i kryeministrit vjen në një kohë kur protesta kundër projektit ka hyrë në ditën e pestë, ndërsa kundërshtarët e investimit kërkojnë anulimin e tij duke argumentuar se cenon një zonë të mbrojtur me vlera të veçanta natyrore dhe mjedisore.

Qytetarë të shumtë janë mbledhur sot për të dytën ditë radhazi në sheshin “Liria” të Durrësit për të protestuar kundër projektit të ndërtimit të një resorti turistik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, pranë Lagunës së Nartës.

Protestuesit, mes të cilëve spikasin shumë familje me fëmijë të vegjël, mbanin pankarta ku lexoheshin mesazhe të qarta: “Laguna e Nartës është thesari ynë”, “Për të luajtur kemi nevojë. Parku nuk është luks, por nevojë”.

Fëmijët e shoqëruar nga prindërit ishin ndër më aktivët në protestë, duke theksuar nevojën për ruajtjen e hapësirave të gjelbra dhe zonave natyrore për brezat e ardhshëm.

Protesta pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa organizatorët thonë se do të kërkojnë mbështetje më të gjerë nga qytetarët e Durrësit.

Tubimi i nisur për Zvërnecin po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha. Në protestën e sotme dominojnë mesazhet kundër qeverisë, por edhe kundër gjithë klasës politike.
Qindra qytetarë që u mblodhën fillimisht në Sheshin Skënderbej janë vendosur tashmë para godinës së Kryeministrisë, ku po zhvillohet protesta e pestë kundër projektit të Zvërnecit. Krahasuar me ditët e mëparshme, pjesëmarrja duket edhe më e lartë, ndërsa bulevardi para selisë së qeverisë është mbushur me protestues që vijojnë të mbërrijnë nga drejtime të ndryshme.
Nëse në fillim protestat kishin në fokus kryesisht kundërshtimin e projektit turistik në Zvërnec, tubimi i sotëm po karakterizohet nga një ton dukshëm më politik. Mes pankartave dhe thirrjeve të protestuesve dominojnë kërkesat për largimin e kryeministrit Edi Rama, i cili konsiderohet nga pjesëmarrësit si përgjegjësi kryesor për projektin dhe mënyrën se si po menaxhohet.
Nga turma dëgjohen vazhdimisht thirrje si “Rama ik”, “Rama në burg”, ndërsa nuk mungojnë as sloganet kundër kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Një nga thirrjet që po përsëritet më shpesh gjatë protestës është “Rama në burg, Berisha në burg”, duke reflektuar pakënaqësinë e një pjese të protestuesve ndaj gjithë klasës politike.
Në protestë janë bashkuar aktivistë të shoqërisë civile, ambientalistë, të rinj dhe qytetarë të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit. Shumë prej tyre mbajnë pankarta kundër qeverisë, ndërsa të tjerë shprehin kundërshtimin ndaj asaj që e konsiderojnë bashkëpunim dhe heshtje të opozitës për çështje që lidhen me interesin publik.
Tubimi po zhvillohet në një atmosferë të tensionuar politikisht, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për vijimin e protestave edhe në ditët në vijim. Me kalimin e ditëve, protesta duket se po largohet nga karakteri ekskluzivisht mjedisor dhe po shndërrohet në një platformë më të gjerë pakënaqësie ndaj qeverisjes dhe elitës politike shqiptare.
Protestuesit kërkojnë largimin e Edi Ramës, ndërsa nuk mungojnë as thirrjet kundër Sali Berishës dhe opozitës.
Qytetarët janë mbledhur sërish këtë pasdite në qendër të Tiranës, në protestën e pestë që nisi si kundërshtim ndaj projektit turistik në Zvërnec, por që tashmë ka marrë një dimension më të gjerë politik.
Protestuesit janë grumbulluar në Sheshin Skënderbej, për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë, ku pritet të zhvillohet pjesa kryesore e tubimit. Ndryshe nga ditët e para, kur fokusi ishte kryesisht te projekti në Zvërnec dhe ndikimi i tij në mjedis, tani mesazhet kundër qeverisë dhe klasës politike.
Mes pankartave dhe thirrjeve të protestuesve dëgjohen kërkesa për largimin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa nuk mungojnë as sloganet kundër opozitës. “Rama ik”, “Rama në burg” dhe “Berisha në burg” janë disa nga thirrjet që janë artikuluar nga pjesëmarrësit gjatë grumbullimit në qendër të kryeqytetit.
Në protestë janë bashkuar aktivistë, ambientalistë, të rinj dhe qytetarë të ardhur nga zona të ndryshme të vendit. Krahas kundërshtimit ndaj projektit në Zvërnec, një pjesë e pjesëmarrësve e kanë shfrytëzuar tubimin për të shprehur pakënaqësi më të gjera ndaj qeverisjes dhe opozitës, duke e kthyer protestën në një manifestim kundër gjithë klasës politike.

Mobilizimi i sotëm vjen pas disa ditësh protestash të njëpasnjëshme dhe tensioneve të regjistruara në Zvërnec gjatë fundjavës së kaluar. Organizatorët kanë paralajmëruar se aksionet do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, ndërsa kërkojnë anulimin e projektit dhe më shumë transparencë për zhvillimet në zonën e mbrojtur.
Ndërkohë, qeveria vijon ta mbrojë investimin si një projekt strategjik për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë, ndërsa protesta duket se po evoluon gradualisht nga një kauzë mjedisore në një lëvizje me tone të forta politike.
te pestat kerkesa jane kerkesa serbe-ruse-greke-iraniane dhe siriane, jo kerkesa shqiptare per cfar ka dale ai popull aty
te te shkuli tu me gjith Rama-tropolin
KU JANE KETO PARATE QE NUK PO I SHOHIM NE EKONOMI kur ben gam gam dhe Batua si gjoja ekonomist per GDP e paska marre malli per pras ne goje se normal pune e veshtire, ndaj karikohet me 17,000 EUR ne muaj le te shkoje ta mbushe me muut ne Kosove KURSE KETA TANET EDHE NE FUTSHIN GJE PARA NE BUXHET E VJEDHIN PO PRAPE VETE E RICIKLO PER TA PASTRUAR PASTAJ. vdekshi prej pleshtave MBRETRA LIR TE MALLKUAR E TE TREDHUR