
Julinda Karteri është zgjedhur kryetarja e re e komanduar e bashkisë Tepelenë. Ky vendim u mor gjatë mbledhjes së këshillit bashkiak këtë të mërkurë pas dorëheqjes së Tërmet Peçit.
Në garë ishin dy nënkryetarët Spiro Kora dhe Julinda Karteri, ku kjo e fundit u zgjodh me unanimitet votash.
Karteri do të drejtojë institucionin deri në përfundimin e mandatit, ndërsa në fjalën e saj para këshillit u angazhua për vijimësinë normale të punës së administratës dhe përmbushjen e projekteve në shërbim të qytetarëve.
“Në zbatim të ligjit 39/2015 për vetëqeverisjne vendore, Këshilli i Bashkisë ka kompetencën dhe funksionet e kryetarit të bashkisë deri në zgjedhjet e ardhshme vendore. Duke u bazuar në këtë ligj, shumica e këshillit bashkiak më ka votuar mua si kryetare të komanduar", shprehet Karteri.
Ndërkohë, emrat e kandidatëve për Qarkun Gjirokastër nga radhët e Partisë Socialiste pritet të zyrtarizohen në Asamblenë e kësaj force politike, që do të mblidhet në orën 19:00.
Peçi, i cili mbante postin e kryetarit të Tepelenës prej vitit 2011, do të jetë kandidat i PS për deputet në zgjedhjet e 11 majit.
Peçi ishte kryebashkiaku i dytë socialist që dha dorëheqjen një ditë më parë pas Agron Malajt të Matit, i cili flitet se do të kandidojë gjithashtu për deputet për zgjedhjet e 11 Majit.
Lini një Përgjigje