
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar përjashtimin nga Kuvendi për 60 ditë të deputetit Taulant Balla. Në kërkesën drejtuar Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, deputetët demokratë argumentojnë se Balla ka përdorur në mënyrë të përsëritur gjuhë fyese dhe kërcënuese ndaj deputeteve gra të opozitës.
Sipas tyre, incidentet kanë ndodhur gjatë seancës plenare të 2 prillit, ku pretendohet se Balla ka përdorur fjalor të papërshtatshëm ndaj deputetes Elda Hoti. Kjo situatë, sipas PD, ka sjellë reagimin e menjëhershëm të opozitës, e cila i ka kërkuar drejtuesit të seancës, Niko Peleshi, marrjen e masave disiplinore.
“Rezulton se kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, deputeti Taulant Balla ka përdorur gjuhë fyese, ofenduese, diskriminuese dhe kërcënuese, tërësisht të papranueshme në drejtim të Sekretares së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, deputetes Elda Hoti, duke cënuar rëndë dinjitetin dhe sigurinë e saj fizike. Kjo gjuhë fyese dhe kërcënuese dëmton rëndë reputacionin dhe besimin e qytetarëve tek Kuvendi dhe deputetët, si dhe përhap mesazhin e normalizimit të njjë gjuhe të tillë ndaj vajzave dhe grave”, thuhet në shkresën depozituar Sekretariatit të Etikës.
Në dokument përmendet gjithashtu edhe një tjetër episod gjatë së njëjtës seancë, ku Balla akuzohet se ka përdorur gjuhë jo parlamentare ndaj deputetit Fatmir Mediu.
“Po gjatë të njëjtës seancë deputeti Taulant Balla, ka përdorur gjuhë jo parlamentare dhe që cënon dinjitetin ndaj deputetit Fatmir Mediu. Ai arriti deri aty sa në përfundim të fjalës ju drejtua me fjalët “ik pirdhu”, në seancë plenare”, thuhet në shkresë.

Lini një Përgjigje