
Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka thotë se grupi i Enkelejd Alibeaj nuk dëshiron vërtet të futet në zgjedhjet e 14 majit.
Sipas tij ato bojkotuan zgjedhjet lokale kur kishin mbështetjen popullore, jo më tani që janë të ndarë.
“Këta i bojkotuan zgjedhjet lokale kur i kishin edhe vulën, edhe siglën edhe mbështetjen popullore dhe Luli vendosi që të mos marrë pjesë. Basha mori një vendim si dredharak, duke marrë një vendim paraprak, duke e ndryshuar rrugës. Që në ato momente Basha mori goditje.”, tha Ndoka.
Sipas tij, Basha këto vendime i mori nën diktatin e dhunës dhe shantazheve.
“Nga ana e Ramës dhe faktorit ndërkombëtar. Ata që Rama kishte paguar që të shantazhonin edhe zotin Basha. Ne nuk e dinim në atë kohë që Bashën e kishin kapur peng për financimin rus, por Rama e dinte. Nuk e dinim që Rama kishte paguar një zyrtar të lartë të SHBA, e hamendësonim, kishim dyshimet tona, por fabula tashmë është e qartë”, tha ai.
Ndërkohë ditën e sotme Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi do të shqyrtojë kërkesën e Partisë Demokratike për regjistrimin në zgjedhje. Pasi Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) nuk pranoi ankimimet e dy grupeve, fati i PD së Enkelejd Alibeajt do të jetë sërish në dorën e Celibashit, pasi do të jetë ky i fundit që do përcaktojë nëse do futen apo jo në zgjedhjet vendore 2023.
Partia Demokratike rrezikon që të mos futet në zgjedhje, pasi edhe në vendimin e parë Celibashi vendosi kusht plotësimin e deklaratës solemne nga Lulzim Basha, i cili rezulton kryetar i PD-së në regjistrin e partive politike. Por nga ana tjetër, grupi i Alibeajt thotë se nuk do e firmosë Basha pasi ky i fundit ka dhënë dorëheqjen dhe se sipas tyre dokumentacioni është i plotë.
Lini një Përgjigje