Politike11 Prill 2023, 17:09

14 Maji/ Qeveria u premton ‘lirinë’ të burgosurve: Amnisti pas zgjedhjeve lokale

Shkruar nga Pamfleti

14 Maji/ Qeveria u premton ‘lirinë’ të burgosurve: Amnisti

Teksa na ndajnë dy ditë nga nisja e fushatës elektorale, mesa duket “premtimi” i parë i mazhorancës iu dha të dënuarëve.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka paralajmëruar amnisti pas zgjedhjeve lokale të 14 majit.

“Për të shmangur çdo konfuzion apo alibi në lidhje me zgjedhjet e 14 majit, Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e pa të arsyeshme që të mos kemi një ligj të amnistisë para zgjedhjeve të 14 majit. Pas zgjedhjeve të 14 majit kam orientuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve që të përgatisë një draft të ligjit për amnistinë”, tha Manja.

Ministri Manja theksoi se një ndër arsyet pse këtë vit parashikohet të ketë një amnisti është se institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale janë në limitet e kapaciteteve të tyre.

"Nuk kemi mbipopullim por jemi në limitet e kapaciteteve që kemi. Kështu që një nga arsyet por jo e vetmja që ne do të kemi një amnisti për këtë vit është dhe ulja e mbipopullimit apo mbajtja e kapaciteteve normale në institucionet tona të ekzekutimit të vendimeve penale", u shpreh ministri.

Më tej, Manja deklaroi se janë marrë të gjitha masat që të paraburgosurit dhe të dënuarit të shprehin vullnetin e tyre me votë për zgjedhjet lokale.

"Nuk do të ketë leje shpërblyese për asnjë të dënuar me përjashtim të rasteve të fatkeqësive që janë të parashikuara strikt në rregulloren e përgjithshme të burgjeve", shtoi ai.

Pavarësisht origjinës së tyre, Manja sqaroi se të burgosurit do të votojnë për kandidatët e bashkisë në të cilën ndodhet institucioni i dënimit.

14 maji qeveria liri te burgosur amnisti