TAGS-AT E JAVËS

Politike30 Shtator 2025, 12:56

A është pezulluar vendimi për shkarkimin e Veliajt? Kushtetuesja sqaron procedurat, Rama kërkon datën për zgjedhjet

Shkruar nga Pamfleti

A është pezulluar vendimi për shkarkimin e Veliajt? Kushtetuesja

Sipas njoftimit, kjo shpallje ka efektin e një njoftimi publik për të gjitha palët e përfshira, duke përfshirë Këshillin e Ministrave dhe Presidentin e Republikës...

Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës i shkarkuar me vendim të Kryeministrit Edi Rama, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një ankimim, duke kërkuar shpalljen si të pavlefshme të të gjithë procesit që e largon nga zyra e Kryetarit të Bashkisë.

I gjithë procesi është dirigjuar nga Babloku, i cili nga Asamblea e PS-së në 11 shtator, njoftoi nisjen e procedurave për shkarkimin e Veliajt, duke shpallur njëherazi edhe Ogerta Manastirliun si kandidaten e PS-së për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Tiranës.

Procesi për largimin e Veliajt u përmbyll më 25 shtator, datë kur Këshilli i Ministrave vendosi shkarkimin, pasi më parë Këshilli Bashkiak me votat e PS, PD dhe disa aleatëve të opozitës, propozoi shkarkimin e Kryebashkiakut, që fitoi mandatin e 3-të rradhazi në zgjedhjet e 2023-it.

Rama ka vijuar procedurat, duke njoftuar KQZ për vakancën, por duke i përcjellë edhe Presidentit të Republikës kërkesën për të shpallur datën e zgjedhjeve për Bashkinë Tiranë, dhe disa bashki të tjera, ku do të ketë zgjedhje të pjesshme të parakohshme për shkak të dorëheqjeve të Kryebashkiakëve.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar relatoren e çështjes lidhur me kërkesën e Veliajt, ndërsa ka sqaruar për News24 se ka regjistruar kërkesën e Kryebashkiakut të shkarkuar dhe ka shpallur publikimin e regjistrimit.

Sipas njoftimit, kjo shpallje ka efektin e një njoftimi publik për të gjitha palët e përfshira, duke përfshirë Këshillin e Ministrave dhe Presidentin e Republikës.

Kjo nënkupton se ata janë tashmë të informuar për kërkesën e depozituar. Gjykata thekson gjithashtu se pezullimi i vendimit të shkarkimit mbetet në fuqi deri në një vendim përfundimtar.

“Gjykata ka bërë publikimin e regjistrimit të kërkesës. Shpallja është e barazvlefshme me njoftimin publik”, thuhet në reagimin e Kushtetueses.

Në neni 115, thuhet se: 

1.Organi  i  zgjedhur  drejtpërdrejt  i  njësisë  qeverisëse  vendore  mund  të  shpërndahet  ose  të  shkarkohet nga Këshilli i Ministrave për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve ;

2.Organi i  shpërndarë  ose  i  shkarkuar  mund  të  ankohet  në  Gjykatën  Kushtetuese  brenda 15 ditëve, dhe në këtë rast vendimi i Këshillit të Ministrave pezullohet; 

3.Në rastin e mosushtrimit të së drejtës së ankimit brenda 15 ditëve, ose në rastin e lënies në fuqi të vendimit  të  Këshillit  të  Ministrave  nga  Gjykata  Kushtetuese,  Presidenti  i  Republikës cakton datën e zgjedhjeve në njësinë vendore përkatëse”.

Në rastin konkret, Veliaj iu drejtua Kushtetueses duke respektuar kështu afatet kohore të ankimimit, çka automatikisht deri në vendimin e Gjykatës, i gjithë procesi i dirigjuar nga Edi Rama, pezullohet, pra nuk ka fuqi shkarkimi. Kjo do të thotë se nuk mund të vijojë procesi për organizimin e zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Tiranës, të paktën bazuar në Kushtetutë. 

Reagimi nga Kushtetuesja vjen në një kohë kur Kryeministri Edi Rama ka njoftuar për vakancën Presidentin e Republikës, i cili ka tagrin kushtetues për të caktuar një datë për mbajtjen e zgjedhjeve. Në reagimet e mëparshme, Kreu i Shtetit ka deklaruar se do t'i përmbahet Kushtetutës.

Në rastin konkret, referuar sqarimeve nga Gjykata Kushtetuese, e cila bën të ditur se procedurat e shkarkimit pezullohen, nuk përjashtohet mundësia që për Tiranën të mos ketë një datë për mbajtjen e zgjedhjeve.

Në këto kushte duhet pritur se çfarë do të ndodhë me Bashkinë më të madhe në vend, kur afatet zgjedhore kanë të përcaktuara se zgjedhjet mund të mbahen brenda 15 nëntorit, ndërkohë që duhet të ketë një kohë prej 40 ditësh në dispozicion të subjekteve.  /Pamfleti/

1 Komente

  1. F
    Feti Dema

    Znj.Sonila e Gj.K , mos ju zëmërohet Kryeministri?!

    Lini një Përgjigje