TAGS-AT E JAVËS

Politike 5 Shkurt 2026, 20:36

A ka ambicie të marrë drejtimin e PD? Përgjigjet Ervin Salianji

Shkruar nga Pamfleti
A ka ambicie të marrë drejtimin e PD? Përgjigjet Ervin Salianji
Ervin Salianji

Deputeti Ervin Salianji deklaroi se Partia Demokratike ka ndryshuar realisht si pasojë e lëvizjes së nisur prej tij, duke theksuar se në parti ekziston një problem i qartë lidershipi, por sipas tij fokusi nuk duhet të jetë te emrat, por te identifikimi dhe zgjidhja e problemeve për ta bërë PD-në fituese.

Salianji u shpreh se mënyra se si reagojnë strukturat dhe individët brenda partisë tregon qartë se ku qëndron problemi real.

“Nëse do të shohësh ku qëndron problemi, shih kush reagon. Kush reagon i pari, aty është problemi,” tha Salianji.

Ai theksoi se ka zgjedhur një qasje të ndryshme për të artikuluar shqetësimet, duke shmangur personalizimin e debatit.

“Nëse shkojmë direkt te emri i problemit në PD, gjithë diskutimi kthehet në një përplasje emrash. Unë e kam mbajtur fokusin te problemet dhe mënyra se si mund t’i zgjidhim,” u shpreh ai.

Megjithatë, Salianji pranoi se në parti ekziston një problem lidershipi dhe se vendimmarrja, sipas tij, nuk përfshin një pjesë të madhe të demokratëve.

“Këtu ka një problem lidershipi, është e qartë. Nuk janë pyetur dyqind mijë të tjerë,” deklaroi ai.

Salianji iu referua edhe një sondazhi të publikuar më herët, sipas të cilit rreth 20 për qind e të anketuarve shprehen se nuk ndihen të përfaqësuar nga asnjë forcë politike, përfshirë partitë tradicionale dhe ato të reja.

Sipas tij, kjo përbën një potencial të madh për Partinë Demokratike.

“Kjo tregon se ka një hapësirë të madhe për PD-në,” u shpreh Salianji, duke shtuar se kjo është rruga për të tejkaluar, sipas tij, deformimin e vullnetit të zgjedhësve nga qeveria.

Ai theksoi se alternativa tjetër për opozitën do të ishte paralizimi i vendit përmes protestave masive, por sipas tij zgjidhja reale qëndron te përfaqësimi dhe organizimi politik.

I pyetur për ambiciet personale, Salianji u shpreh se ambicia në politikë nuk është negative, për sa kohë është pozitive dhe ndihmon forcën politike të ecë përpara.

“Nuk është krim ambicia. Nëse është pozitive, ajo vetëm e çon përpara një forcë politike,” tha ai në emisionin “Real Story”.

Salianji shtoi se aktualisht nuk është momenti për të folur për gara të brendshme apo ambicie personale konkrete.

“Sot PD është ndryshe për shkak të kësaj lëvizjeje. Ka protesta, ka dalje në terren, ka takime. Nuk kemi një garë,” përfundoi ai.

ervin salianji

Lini një Përgjigje