TAGS-AT E JAVËS

Politike 5 Shkurt 2026, 13:52

Sulmi ndaj mediave, dosja Epstein dhe heshtja e rrezikshme e elitave intelektuale

Shkruar nga Diplomatico | Pamfleti.net
Sulmi ndaj mediave, dosja Epstein dhe heshtja e rrezikshme e elitave
Noam Chomsky dhe Jeffry Epstein /

Email-et e publikuara tregojnë si figura të pushtetshme e zhvendosën vëmendjen nga krimi te ‘shtypi i zi’, duke normalizuar abuzimin dhe duke mbrojtur reputacionin e Jeffry Epstein...

Dokumentet e reja që kanë dalë nga arkivat gjyqësore amerikane nuk janë thjesht një episod tjetër në sagën e errët të Jeffrey Epstein.

Ato janë një pasqyrë brutale e mënyrës sesi elitat intelektuale dhe financiare e kanë trajtuar krimin si problem komunikimi, jo si problem drejtësie. Dhe emri i Noam Chomsky shfaqet pikërisht në këtë pikë të ndjeshme.

Në shkurt 2019, pak muaj para arrestimit të tij të fundit, Epstein nuk kërkon këshilla nga psikologë, as nga avokatë penalë për pasojat ligjore. Ai i shkruan Chomskyt për diçka tjetër: si të përballet me “shtypin e zi”.

Pyetja nuk është çfarë kam bërë, por si po duket ajo që kam bërë. Ky është thelbi i problemit.

Përgjigjja e supozuar e Chomskyt, e fokusuar te brutaliteti i mediave dhe rreziku i “turmave”, nuk prek thelbin e akuzave: trafikim seksual të të miturve, shfrytëzim sistematik dhe abuzim shumëvjeçar. Këtu nuk kemi të bëjmë me një lapsus privat apo një bisedë akademike të pafajshme. Kemi të bëjmë me një zgjedhje morale: të flasësh për median, ndërsa krimi mbetet në sfond.

Askush serioz nuk pretendon se Chomsky është bashkëpunëtor në krimet e Epstein.

Por pyetja që del nga dokumentet është më e pakëndshme dhe më politike: a u bë kritika ndaj medias një alibi e rehatshme për të shmangur dënimin moral të një krimi monstruoz?

Kur një intelektual që ka ndërtuar autoritet global mbi kritikën e pushtetit dhe propagandës, zgjedh të analizojë narrativën dhe jo viktimën, problemi nuk është juridic; është etik.

Rasti Epstein ka zbuluar se si funksionon realisht ekosistemi i elitave: miliarderë, akademikë, politikanë dhe figura publike që komunikojnë mes tyre me një gjuhë të përbashkët, ku skandali trajtohet si krizë reputacioni dhe jo si dështim moral.

Fakti që Epstein ndjehej mjaftueshëm i sigurt për t’i kërkuar këshilla Chomskyt tregon se ai e perceptonte veten ende brenda rrethit të “të respektuarve”.

Kjo është pika ku dosja pushon së qeni thjesht histori kriminale dhe shndërrohet në aktakuzë politike ndaj establishmentit perëndimor.

Sepse krimet e Epstein nuk u mbuluan vetëm nga paraja, por edhe nga heshtja e sofistikuar, nga relativizimi intelektual dhe nga një kulturë që e sheh median si armik më të madh sesa abuzimin.

Në fund, Chomsky mund të mbrohet ligjërisht. Por në gjykimin publik mbetet një njollë e zezë: kur krimi fshihet pas analizës së diskursit, intelektuali pushon së qeni kritik i pushtetit dhe shndërrohet, pa dashje ose jo, në pjesë të tij./Pamfleti

 

sulmi ndaj mediave dosja epstein heshtja e rrezikshme e elitave intelektuale

Lini një Përgjigje