TAGS-AT E JAVËS

Politike29 Dhjetor 2023, 18:44

Afera e re e Beqajt/ Si zhvateshin paratë me projektet e BE dhe si fshihej pasuria; ‘ortakët’ që përdorte ish-ministri

Shkruar nga Pamfleti

Afera e re e Beqajt/ Si zhvateshin paratë me projektet e BE dhe si fshihej

Mësohet se SPAK ka kapur Ilir Beqajn duke komunikuar me sekserin e tij Ermal Kurtulaj përmes telefonit të shtetasit, Arben Dani, i cili është shoferi i ish-ministrit.

Hesapet e Ilir Beqajt me drejtësinë nuk kanë të mbaruar. Përveç aferës me koncensionin e sterilizimit, për të cilën ai është nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, një tjetër aferë po hetohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Mësohet se Gjykata e Posaçme ka miratuar vendimin për lejimin e kontrollit personal dhe të vendeve për disa zyrtarë të Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), institucion i cili drejtohej nga Ilir Beqaj deri në fund të nëntorit. Po kështu, kontrolle janë kryer edhe në ambientet dhe selitë e disa kompanive të tjera, që dyshohen si të lidhura me ish-ministrin e Shëndetësisë.

Kontrollet e BKH për Ilir Beqajn dhe njerëzit e tij

Konkretisht është miratuar kontrolli i banesës me vendim gjykate për shtetasit Ilir Beqaj, Ermal Kurtulaj, Sabian Kurtulaj, Gazmend Prenga dhe Arben Dani. Po për këta shtetas është miratuar edhe kontrolli i automjeteve të tyre. Personi kyç që dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv dhe aktiv për llogari të Ilir Beqajt, është shtetasi Ermal Kurtulaj, me detyrë, Koordinator i projektit EUSAIR që menaxhohej nga Agjencia ku ish-ministri ishte drejtor. Kurtulaj rezulton një njohje e hershme e Ilir Beqajt dhe bashkëpunëtor i afërt i tij. Madje edhe automjeti personal që përdor Ilir Beqaj , rezulton në emër të Ermal Kurtulaj si një pasuri e dyshuar e fshehur e ish-ministrit të Shëndetësisë.

Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike; Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike; Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim janë akuzat që dyshohet se kanë konsumuar të pandehurit.

SPAK thotë se shtetasi Ermal Kurtulaj ka kryer veprimtari të paligjshme nëpërmjet kërkimit dhe pranimit të lëshimit të faturave fiktive nga subjekte të ndryshme tregtare, duke paguar shërbime që nuk kryhen prej tyre, duke vendosur vlera fiktive në faturime për qëllime të përfitimit material, si dhe është përfshirë në veprime korruptive për qëllime të përfitimit.

Sipas hetimeve paraprake të SPAK, dyshohet se kjo skemë është përdorur në të paktën 7 raste nga shtetasi Ermal Kurtulaj. Vlerat e këtyre faturave përllogariten në qindra mijëra euro. Për dokumentimin e kësaj veprimtarie, SPAK ka kryer përgjime telefonike dhe ambientale të njerëzve të afërt të Beqajt. Në bisedat e përgjuara njerëzit e Beqajt herë komunikonin me kode dhe disa herë krejt të shpenguar.

Beqaj çonte para në ish-restorantin e tij, të cilin e kontrollonte me vartësin Ermal Kurtulaj

Në skemën korruptive figuron e përfshirë edhe kompania “Albanian Food and Hospitality Lab”, emri tregtar i së cilës është restorant “Gzona” në Kalanë e Tiranës. Në këtë biznes ka qenë me herët aksioner Ilir Beqaj dhe bashkëshortja e tij, Adriana Beqaj.

Edhe pas largimit të tyre nga ky biznes de jure, SPAK ka provuar se çifti i bashkëshortëve vijonte të kishte kontrollin përmes personave të tjerë si Ermal Kurtulaj dhe Gazmend Prenga. Madje, për shumë dreka e darka me delegacione të huaj, agjencia që drejtonte Ilir Beqaj ka kryer disa pagesa në këtë restorant.

Nga përgjimet e SPAK rezulton se administratori de fakto i restorant “Gzona” ishte pikërsisht Ermal Kurtulaj, vartësi i Ilir Beqajt në SASPAC. Mësohet se SPAK ka kapur Ilir Beqajn duke komunikuar me sekserin e tij, Ermal Kurtulaj përmes telefonit të shtetasit, Arben Dani, i cili është shoferi i ish-ministrit.

Mëngjesi i kësaj të enjte ishte i pazakontë për punonjësit e SASPAC. Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Oficerë të Policisë Gjyqësore për rreth 12 orë kanë kontrolluar zyrat dhe kanë marrë qindra dokumente për procedura të ndryshme të SASPAC, kanë marrë në pyetje disa punonjës, si dhe kanë sekuestruar celularë e kompjutera të ndryshëm.

Siç është raportuar më herët gjatë ditës, por edhe sipas vendimit, gjykata ka lejuar kontrollet e zyrave dhe selive të kompanive: “Curri Group”, “Delta Holding”, “Farmed Antibiotics”, “Delta Pharma”, “Delta Med”, “Gzona Restorant” dhe Shoqata Good Health. Përmes këtij rrjeti kompanish dhe personave që përmenden në këtë dosje, dyshohet se ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka fshehur pasuri të tij dhe ka bërë korrupsion duke shpërdoruar detyrën. Mbetet për t’u parë se si do të zhvillohen hetimet më tej për këtë dosje dhe nëse do të ketë të arrestuar apo jo. /Lapsi.al

Lini një Përgjigje