TAGS-AT E JAVËS

Forum 7 Korrik 2026, 11:37

Beteja e Athinës

Shkruar nga Auron Tare
Beteja e Athinës
Protestat në Tiranë

Ky është, ndoshta, mallkimi ynë më i madh. Shqiptari ka ditur të fitojë beteja për të gjithë, veçse nuk ka ditur t’i fitojë ato për veten.

Teksa protesta e Bulevardit po hyn në muajin e dytë, ia vlen të ndalemi një çast në një faqe historie, nga ato që shqiptarët i shkruajnë me gjakun e tyre, por që zakonisht i lexojnë të tjerët.

Shqiptari ka pasur një fat të çuditshëm. Ka ngritur perandori, ka mbajtur në këmbë mbretëri, ka udhëhequr kryengritje e revolucione, por kur vjen puna te vendi i vet, mbetet gjithnjë spektator. Është mjeshtër për të bërë historinë e kombeve të tjera dhe nxënës i dobët kur duhet të shkruajë historinë e Shqipërisë. Ndoshta, e them me shpresë, kjo protestë do të sjellë një Shqipëri tjetër, ku shqiptari të mësojë më në fund të luftojë edhe për veten.

Më korrik të vitit 1822, në fushat e Athinës, aty ku dikur athinasit e lashtë ndalën hovin e Persisë së pamposhtur, u përplasën dy ushtri. Por, nëse do të hiqnim flamujt dhe uniformat, do të shihnim një pamje të çuditshme: në të dy anët qëndronin shqiptarë.

Në njërën anë ishte Kapedan Jani Gura, bir i një familjeje shqiptare të vendosur në Thesali, prijësi i forcave që historia do t’i quante greke.

Në anën tjetër qëndronte Omer Pashë Vrioni, pinjoll i derës së madhe të Vrionasve, gjeneral shqiptar në shërbim të Ali Pashë Tepelenës, Khediveve të Egjiptit dhe Perandorisë Osmane, i dërguar për të shuar kryengritjen greke.

Në fushat e Athinës së lashtë nuk u ndeshën vetëm dy ushtri. U ndeshën dy shqiptarë, secili nën një flamur që nuk ishte i tiji. Njëri luftonte për Stambollin, tjetri për Athinën. Shqipëria nuk gjendej në asnjërin kamp.

Kjo është tragjedia jonë e gjatë. Historia ua ruajti emrat të dyve, por ua ndërroi edhe atdheun. Njërin e shpalli hero të Greqisë, tjetrin e la në faqet e historisë osmane. Shqipëria nuk i mori dot asnjërin.

Ky është, ndoshta, mallkimi ynë më i madh. Shqiptari ka ditur të fitojë beteja për të gjithë, veçse nuk ka ditur t’i fitojë ato për veten.

Dhe kur një komb i fal bijtë e tij historisë së të tjerëve, nuk duhet të habitet që, një ditë, historia e vet i mbetet e shkruar nga të tjerë.

Ashtu si përherë.

beteja e athinës

1 Komente

  1. K
    Koha

    Shkrim brilant!

    Lini një Përgjigje

    Forum