TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Korrik 2025, 16:05

"Aksioni në Theth, absurd", Boçi: Pasi bëri kërdinë në zgjedhje, Rama po përdor arrogancën mbi qytetarët

Shkruar nga Pamfleti

"Aksioni në Theth, absurd", Boçi: Pasi bëri

Drejtuesi politik i PD në Qarkun e Shkodrës, Luçiano Boçi, e ka cilësuar si absurditet aksionin e ndërmarrë nga Policia në zonën turistike të Thethit me prishjen e shtëpizave prej druri.

Boçi tha se një aksion i tillë është pjesë e strategjisë së komunikimit të Ramës, që sajon ngjarje për të tërhequr vëmendjen nga problemet e mëdha që shqetësojnë shoqërinë dhe vendin.

Një situatë e tillë, sipas Boçit vjen në një kohë kur tanimë PS dhe mazhoranca udhëheqëse kanë bërë kërdinë me zgjedhjet e 11 majit, duke iu kundërvënë djersës dhe mundit të qytetarëve që kanë investuar në pronat e tyre.

Boçi u shpreh gjithashtu se ky mekanizëm është përdorur edhe më herët nga Rama, duke treguar gjithë arrogancën dhe pushtetin mbi njerëzit e thjeshtë.

"Është absurd që këto bëhen në pikun e sezonit turistik, në një zonë atraktive si Thethi. Është pjesë e strategjisë së komunikimit të Ramës që sajon ngjarje për të tërhequr vëmendjen e opinionit për të larguar vëmendjen nga problemet që ka Shqipëria dhe shtresat e shoqërisë, në raport me politikën e masakrën zgjedhore.

S’ka rëndësi kur bëhet një veprim absurd, antikushtetues e ligjor, s’ka rëndësi dëmi, se kë godet. Është zgjedhur sheshi, sepse në këndvështrimin e Ramës, s’ka rëndësi asgjë. Është një mekanizëm që ka vepruar edhe më parë.

Kërbaçi post-zgjedhor që lidhet me kulaçin parazgjedhor. Është një formulë që PS e ka përdorur në të gjitha zonat, me premtime para zgjedhjeve, ka bërë një sy qorr për të investuar, ndërsa pas zgjedhjeve nis kërbaçin, burgosja për një shkallë, çati, gardh apo kotec. Janë modalitete të instaluara tashmë. Është bërë e modës.

Në Theth është akoma më e ethshme situata. Krahas premtimeve për legalizim, turizmin familjar, sot kemi një veprim të kundërt të pushtetit lokal e qendror. E tani s’kanë më fytyurë për të dalë para publikut por ecin me urdhra. Është ligji ai që parakalon çdo urdhër por në Shqipërinë e Ramës, ligji s’ka vlerë por është urdhri politik e revanshi politik që Rama e shfaq hapur.

Janë banorë që kanë derdhur kursimin, gjakun e mundin e tyre me qëllim që të ndërtojnë një ekonomi perspektive që ofron ajo zonë, mundohen ta bëjnë jetën më të lehtë për të dhuruar një mikpritje spektakolare për turistët që së bashku përjetojnë një situatë dramatike", tha ai për "Syri Tv".

Lini një Përgjigje