
Komisioni Evropian ka publikuar Raportin përfundimtar për Shtetin e së Drejtës në Shqipëri, duke vlerësuar progresin në fushat kryesore të sundimit të ligjit.
Raporti vlerëson përparimet në sistemin gjyqësor dhe në luftën kundër korrupsionit, por paralajmëron për sfida të mëdha të pazgjidhura, përfshirë presionet politike dhe nevojën për forcimin e efikasitetit institucional.
Përmes këtij vlerësimi, Shqipëria pozicionohet krahas shteteve anëtare të BE-së, duke reflektuar përpjekjet për integrim evropian dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës.
Njoftim për Shtyp nga Ministria e Drejtësisë:
Publikimi i Raportit për Shtetin e së Drejtës 2025:
Komisioni Evropian vlerëson progresin e Shqipërisë në forcimin e institucioneve kyçe të sundimit të ligjit, në kuadër të reformave të vazhdueshme në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit.
Publikimi i Raportit për Shtetin e së Drejtës 2025 për Shqipërinë shënon një moment të rëndësishëm në vlerësimin e progresit të Shqipërisë në forcimin e shtetit të së drejtës, duke na vënë në një bazë krahasimi me shtetet anëtare të BE për katër fusha kryesore të shtetit të së drejtës: sistemin e drejtësisë, antikorrupsionin, lirinë e medias dhe funksionimin e institucioneve demokratike.
Drejtësia
Raporti vlerëson progresin e vazhdueshëm në zbatimin e reformës në drejtësi, përfshirë përfundimin në shkallë të parë të procesit të vettingut dhe miratimin e Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2024-2030. Është përmirësuar infrastruktura gjyqësore dhe është ndarë buxhet për sistemin elektronik të menaxhimit të çështjeve. Megjithatë, sfida të tilla si mungesa e burimeve njerëzore, koordinimi ndërinstitucional dhe tejzgjatja e proceseve gjyqësore mbeten për t’u adresuar.
Antikorrupsioni
Miratimi i Strategjisë Kombëtare Kundër Korrupsionit 2024-2030 dhe performanca e SPAK në ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të lartë janë vlerësuar pozitivisht. Janë përmirësuar hetimet financiare dhe konfiskimi i aseteve. Sfidat përfshijnë perceptimin e korrupsionit në administratën publike, monitorimin e zbatimit të strategjisë dhe përmirësime të mëtejshme në kuadrin ligjor.
Liria e Medias dhe Pluralizmi
Raporti përshëndet transparencën e rritur mbi pronësinë e mediave audiovizive. Megjithatë, shprehet se punë mbetet për të fuqizuar pavarësinë e AMA dhe të transmetuesit publik, si dhe për të adresuar përqendrimin e pronësisë mediatike, shpërndarjen e reklamave shtetërore dhe presionin ndaj gazetarëve.
Institucionet dhe Kontrolli Demokratik
Gjykata Kushtetuese ka funksionuar në mënyrë efektive gjatë kësaj periudhe. Sfidat përfshijnë cilësinë e procesit legjislativ, polarizimin politik dhe vonesat në emërimin e drejtuesve të institucioneve të pavarura si Avokati i Popullit dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Organizatat e shoqërisë civile vazhdojnë veprimtarinë të lira dhe udhëzimi i ri për TVSH-në adreson nevojat e shoqërisë civile për një kuadër fiskal ndihmues si dhe raporti ka përshëndetur përgatitjen e projektligjit të ri për vullnetarizmin.
Raporti për Shtetin e së Drejtës 2025 për Shqipërinë ofron një pasqyrë të qartë të progresit dhe na mirorienton në rrugën drejt forcimit të sundimit të ligjit dhe integrimit evropian për Shqipërinë 2030.
Lini një Përgjigje