
PS po çahet nga brenda, ndërsa Rama po sundon me alarm, kërcënim dhe panik
Dalja e papritur e Taulant Ballës nuk ishte mesazh për publikun, por sinjal frike për deputetët socialistë, në një kohë kur grupi parlamentar po humb disiplinën, territori po rrëshqet nga kontrolli dhe erozioni i mazhorancës po kthehet në shpërbërje të hapur politike.
Dalja e Taulant Ballës në një prononcim për mediat dje, pas mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, ndodhi krejt papritur.
Sapo mbledhja përfundoi, Balla u fut në zyrën e tij në katin e dytë të selisë ku ndodhet Kryesia e Kuvendit dhe, pak më pas, u dërgua njoftimi në media se ai do të dilte në një konferencë.
Gjasat janë, dhe bashkë me to edhe zërat që qarkullojnë, se ai ka pasur një bisedë telefonike me shefin e madh, përkatësisht Edi Ramën, i cili e ka urdhëruar të japë një mesazh publik.
Mesazhi u kuptua menjëherë. Nuk ishte thjesht për publikun. Ishte alarm për deputetët e Partisë Socialiste. Të cilët, në një masë jo të vogël, duket se e kanë lodhur rutinën disiplinore dhe kanë mërzitur seriozisht “atë lart”.
Për të kuptuar gjendjen që mbretëron brenda mazhorancës, mjafton të shohësh fotot që shpërndajnë vetë deputetët e PS-së, zakonisht pa ndonjë kujdes të madh, vetëm për të treguar se kanë qenë në punë. Mjafton ajo pamje për të krijuar një përshtypje të fortë.
Në pothuajse asnjë prej tyre nuk gjen një çehre të relaksuar apo normale në portretet e socialistëve të Kuvendit, sidomos te emrat që peshojnë në kupolë.
Një prej këtyre fotove është veçanërisht domethënëse. Aty shfaqen tri figura të rëndësishme të mazhorancës, Ogerta Manastirliu, Lindita Nikolla dhe Milva Ekonomi. Portretet e tyre janë aq të ngrira, sa të krijojnë menjëherë idenë e një tensioni të rëndë dhe të përhapur.
Po këtë gjendje e tregoi edhe konferenca kaotike e Taulant Ballës, i cili, sipas të gjitha gjasave, kishte orientuar edhe pyetjet që duhej t’i bëheshin nga reporterët.
Aty spikati pyetja për Elisa Spiropalin, që shërbeu si rast për të rikujtuar sinjalin e ndëshkimit ndaj “rebeles” që, sipas gjuhës së koduar të mazhorancës, nuk ka “zënë mend”. Balla recitoi në mënyrë të tërthortë porosinë se do të ketë analizë për këtë çështje, jo vetëm për Elisën, por edhe për të tjerë që mund të ndjekin rrugën e saj.
Të paktën kjo u kuptua nga ai grumbull frazash të shkëputura dhe pa ndonjë lidhje të fortë organike që nxori numri dy i mazhorancës.
Nga ajo që Balla tha jo drejtpërdrejt, por në nëntekst dhe në kontekst, u kuptua qartë se nuk kemi të bëjmë vetëm me një “rast Spiropali” në PS, por me një “fenomen Spiropali”. Ky emërtim shërben vetëm për lehtësi, sepse personazhe të tjerë në grup mund të futen po ashtu në këtë kategori.
Ajo që vihet re, ose që del nga zërat brenda mazhorancës, është se alarmi i Edi Ramës ka një shkak të fortë, edhe pse një pjesë e kësaj situate është produkt i planit të tij kaotik. Një plan që kërkon analizë më të plotë, por për të cilin mund të thuhet që tani se po i del jashtë kontrollit.
Kjo ndodh sepse gjërat po lëvizin me shpejtësi. Mund të thuhet se brenda PS-së janë tronditur qendrat e saj gravitacionale, si në referencat politike, ashtu edhe në territor.
Mazhoranca, si shumicë parlamentare, funksionon ende në votimet e Kuvendit për inerci. Por si trupë politike po dezintegrohet me një shpejtësi marramendëse.
Erozioni që shfaqet në mbledhjet e grupit parlamentar është pa dyshim sinjali më i fortë. Ndërkohë, në territor gjendja duket edhe më dramatike. Drejtuesja politike e Tiranës, Ogerta Manastirliu, nuk ka kontroll as mbi njësinë e saj, atë që mbulon prej kohësh, njësinë 9.
“Stalingradi” i Tiranës, njësia 5, është krejt jashtë kontrollit. I vetmi që ka një aktivitet real me grupet e veta është Erion Braçe, i cili shihet zyrtarisht shtrembër nga Edi Rama.
Kreu i PS-së e zhvendosi Taulant Ballën në ish-zonën e Elisa Spiropalit për të ndaluar krijimin e një bërthame antiparti, por edhe për të zbutur përplasjen në njësinë 5, si pasojë e luftës së hapur mes Ballës, Braçes dhe Xhafajt.
Por kaosi nuk kufizohet në Tiranë. Ai mbretëron kudo, sidomos në jugun e bastioneve të majta. Sëmundja mediatike e kreut të bashkisë së Gjirokastrës nuk është gjë tjetër veçse karikatura më e dukshme e luftës brenda llojit. Në Vlorë gjendja duket edhe më e rëndë, si pasojë e përplasjes mes fraksionit të Gramoz Ruçit dhe njerëzve të Edi Ramës.
Në Fier situata mund të quhet disi më e kontrolluar, sepse atje ka hyrë me kohë të plotë Belinda Balluku, tashmë më e liruar nga ngarkesa e qeverisë. Korça vetëm në dukje quhet e qetë si “kaza” e Niko Peleshit, sepse brenda saj situata zien dhe sinjalet kanë mbërritur lart prej kohësh.
E vetmja pjesë relativisht e qetë e mazhorancës është ajo që ka nën kontroll grupet e nëntokës kriminale. Kjo tablo shihet më qartë në Elbasan, por është e dukshme edhe në Tiranë, Durrës, Dibër dhe në shumë pjesë të tjera të vendit.
Problemi real për Edi Ramën nuk janë të fortët, të cilët deri tani mbeten në marrëveshje me “shefin e madh”. Problemi i vërtetë janë qendrat e vjetra gravitacionale në strukturat e PS-së, sidomos në qytetet e mëdha, duke nisur nga Tirana. Mjafton të shohësh postimet e të deleguarve dhe vihet re fare qartë ftohja masive dhe erozioni dramatik.
Dhe kjo tregon qartë një gjë, siç thoshte dikur Lulzim Basha, lufta tani sapo ka filluar./Pamfleti
Parti me super te korruptuar. Erozioni eshte pak. PS felliqi veten dhe kombin me nivelin stratosferik te korrupsionit gjate qeverisjeve rama balluku veliaj e plot te tjere qe jane ne burg
Pamfleti! Lulzim Basha shikonte revolucione në gotën e verës. Kujtoni ëndrrat e Albert Verris te filmi Kapedani. Me topa, me kavaleri, me nën/komandanta dhe me mustaqe. Dhe ka mundësi që duke u gëdhirë e nesërmja, të shikoni në ëndërr, një traget plot me pasagjer të alarmuar dhe rreth saj disa skafe rreth të cilëve po hovin për të hipur e larguar sipas shoqënisë e të farefisnisë më të shkathtit. Vetëm kumandanti i tragetit dhe disa lundërtar të kalitur në det të trazuar, do qëndrojnë pran tij, me shpresë që të ikurit do kthehen një ditë ti bashkohen shoqnisë dhe ti kërkojnë të falur qëndrestarëve. Kur analizën ta bëni vetë, pa ju referuar as Lulit, as Taulantit , as Spiropalit, as Braçes dhe as Manastirliut do kuptoni dhe do rikujtoni ëndrrën. Ndoshta ata shpërndahen si në ëndërr dhe rigrupohen si në ëndrrën që pash unë. Por 'Titaniku pati fund të keq, dhe komandanti nuk zgjodhi të shpëtonte kokën. Ky vaporristi i sotëm ,as e braktis anijen, as i largon shokët, por i mban me shpresë se ndonji fuqi hyjnore apo tokësore do thaj detin, ose një stuhi do ta nxjer tragetin në breg të detit në rërë.
Po nuk ke pertuar te shkruash gjithe kete?