TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Maj 2026, 16:40

Arresti me burg jo proporcional, Kushtetuesja 5 me 3 në favor të Veliajt; çështja kthehet për rishqyrtim

Shkruar nga Pamfleti
Arresti me burg jo proporcional, Kushtetuesja 5 me 3 në favor të
Erion Veliaj në Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e konsideron jo proporcionale masën “arrest me burg”; dosja i rikthehet Gjykatës së Lartë

Gjykata Kushtetuese ka vendosur me shumicë votash 5 me 3 në favor të kërkesës së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, lidhur me masën e sigurisë “arrest me burg” të caktuar ndaj tij.

Sipas vendimit të Kushtetueses, masa e sigurisë është vlerësuar si jo proporcionale, ndërsa çështja është kthyer për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë. Vendimi nuk nënkupton automatikisht lirimin e Veliajt apo shfuqizimin e menjëhershëm të masës, por rrëzon mënyrën se si gjykatat më të ulëta kanë argumentuar dhe vlerësuar nevojën për mbajtjen e tij në burg.

Në thelb, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar probleme në arsyetimin juridik të vendimeve të mëparshme, duke kërkuar që Gjykata e Lartë të bëjë një rivlerësim të plotë të proporcionalitetit të masës së sigurisë ndaj kryebashkiakut të Tiranës.

Erion Veliaj kishte pretenduar në ankimin e tij se standardet e një procesi të rregullt ligjor janë shkelur në të gjitha shkallët e gjykimit. Sipas tij, gjykatat e kanë paragjykuar për shkak të funksionit publik dhe statusit politik, pa u mbështetur në prova konkrete për akuzat e ngritura.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka mbrojtur qëndrimin se masa e sigurisë është e bazuar në dyshime të arsyeshme dhe në rrezikun që Veliaj, për shkak të detyrës që mban, mund të ndikojë te dëshmitarët apo bashkëpunëtorët e drejtësisë.

SPAK ka argumentuar se fakti që Veliaj vijon të jetë kryetar në detyrë i Bashkisë së Tiranës përbën element rëndues dhe jo lehtësues, pasi sipas prokurorisë ai ka mundësi të ndikojë në procesin hetimor.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm juridik, pasi praktikisht detyron Gjykatën e Lartë të rishohë argumentimin mbi nevojën dhe proporcionalitetin e masës “arrest me burg”.

Kjo është hera e dytë që Veliaj i drejtohet Kushtetueses. Në janar të këtij viti, e njëjta gjykatë e riktheu në detyrë pas shkarkimit nga qeveria, duke e konsideruar vendimin e ekzekutivit si antikushtetues.

Ndërkohë, më 28 maj pritet edhe një tjetër seancë në Gjykatën e Lartë, ku Veliaj ka kërkuar zëvendësimin e masës aktuale me një masë më të lehtë sigurie.

Vendimi

Në datën 25.05.2026, Gjykata Kushtetuese (Gjykata) mori në shqyrtim çështjen me kërkues Erion Veliaj, me objekt shfuqizimin e vendimeve nr. 7, datë 09.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vleftësuar me vendimin nr. 14, datë 12.02.2025 të po asaj gjykate, nr. 13, datë 13.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe nr. 00-2025-1153 (176), datë 08.07.2025 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Gjykata, bazuar në natyrën dhe thelbin e pretendimeve të parashtruara në ankimin kushtetues individual, e shqyrtoi çështjen në themel vetëm në drejtim të pretendimeve për aspektin procedural dhe atë substancial të caktimit të masës së sigurimit "Arresti në burg" ndaj kërkuesit.

Ne aspektin procedural, Gjykata shqyrtoi pretendimet për cenimin e:

i) Se drejtës së mbrojtjes për shkak të kohës së pamjaftueshme në dispozicion për njohjen me aktet e dosjes dhe të qëndrimit të kërkuesit në kafaz/kabinën e xhamit gjatë procesit gjyqësor në gjykatat e faktit. Në lidhje me këtë pretendim Gjykata, me shumicë votash, vendosi rrëzimin e tij si të pabazuar.

ii) Parimit reformatio in peius (mosrëndimit të pozitës) të lidhur me marrjen e provave të reja në Gjykatën e Posaçme të Apelit, të paraqitura nga Prokuroria e Posaçme. Në lidhje me këtë pretendim Gjykata nuk arriti numin prej pesë votash për vendimmarrje, për rrjedhojë, në kuptim të nenit 73, pika 4, të Ligjit Organik të Gjykatës ai konsiderohet i rrëzuar.

Në aspektin substancial, Gjykata shqyrtoi pretendimet për cenimin e:

i) Dinjitetit dhe prezumimit të pafajësisë të lidhur me qëndrimin e kërkuesit në kafaz/kabinën e xhamit gjatë procesit gjyqësor në gjykatat e faktit. Në lidhje me këtë pretendim Gjykata, me shumicë votash, vendosi pranimin e tij, në drejtim të mungesës së arsyetimit nga Gjykata e Lartë të këtij pretendimi të parashtruar në rekurs nga kërkuesi.

ii) Lirisë personle në drejtim të:

2.1. Dyshimit të arsyeshëm të bazuar në prova për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj kërkuesit të lidhur edhe me parimin e prezumimit të pafajësisë për shkak të gjuhës së përdorur në arsyetimin e vendimeve të gjykatave. Në lidhje me këtë pretendim Gjykata, me shumicë votash, vendosi rrëzimin e tij si të pabazuar. 2.2. Proporcionalitetit të masës të lidhur me të drejtën për t'u zgjedhur të cilin Gjykata, me shumicë votash, e gjeti të bazuar vetëm në drejtim të faktit që Gjykata e Lartë nuk i ka dhënë përgjigje të arsyetuar këtij pretendimi të ngritur në rekurs nga kërkuesi.

Në përfundim Gjykata, me shumicë votash, vendosi:

-Pranimin e pjesshëm të kërkesës.

-Shfuqizimin e vendimit nr. 00-2025-1153 (176), datë 08.07.2025 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Dërgimin e çështjes për shqyrtim në Gjykatën e Lartë.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga Ligji Organik i Gjykatës dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

veliaj kushtetuesja

2 Komente

  1. G
    Genti

    Nese ky del nga burgu eshte fundi reformes ne Drejtesi. Se bashku me mentorin e tij Rama i kane bere nje dem Tiranes dhe qytetareve te saj te periparueshem. Ky qytet eshte bere i pabanueshem, i teri i pushtuar nga betoni. Keta mos e befshin piken e hajrit. Ju ben nder ti mbash ne burg. Madje dhe kushtet qe i kane si mbreter atje ne durres duhen pare. Te vuajne si gjithe te tjeret qe mund te vuajne per gjera fare te vogla perballe krimit qe keta politikane i kane bere ketij vendi.

    1. Z
      Ziti

      Shume e drejte. Aq dem i kane bere ketij vendi veliaj me kompani sa burgun e kane pak. Kane shkaterruar cdo gje dhe kujdesen vec per fasaden qe te manipulojne njerzit

    Lini një Përgjigje