
Kryeministri Rama ka folur lidhur me ish-zyrtarë të lartë, ish-kryebashkiakë dhe deputetë të PS të cilët janë nën hetim nga SPAK, të akuzuar për shpërdorim detyre apo korrupsion.
Rama zotohet se Reformën në Drejtësi e ka bërë vetë ai dhe Partia Socialiste ndërsa thekson se mbështet këtë reformë.
Ai u shpreh se në Shqipëri është rrëzuar miti i pandëshkueshmërisë duke mbështetur SPAK për të vazhduar betejën dhe luftën kundër korrupsionit.
I pyetur nga “VOA” për ish deputetin e PS Jurgis Çyrbja, i cili rezulton të jetë katapultuar në pjesën e sipërme të listave për deputetë me mbështetjen e krimit të organizuar, Rama ka refuzuar të përgjigjet duke thënë se nuk ka lidhje me detyrën e tij si kryeministër dhe “lan duart” duke thënë se nuk flet për çështje personale.
Edhe pse bëhet fjalë për emra të rëndësishëm të politikës dhe jetës publike, Rama refuzon të japë një opinon duke thënë se "përballë drejtësisë dhe ligjit nuk duhet të flasim me emra por të flasin vetë faktet".
"Së pari, përsëri më bëni një pyetje që përgjigjen e ka marrë, e mori dhe këtu dhe është e kotë që të kërkoni një përgjigje tjetër. Kështu që, këto janë tërësisht pa lidhje me detyrat e mia dhe me funksionet e mia. Unë thjesht përgjigjem për punën time, për detyrën time. Detyra ime nuk është, që të bëj punët e një pushteti tjetër të pavarur", tha Rama.
Ish-deputeti i PS, Jurgis Çyrbja u arrestua më 21 tetor me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ai ra në pranga së bashku me Ahmet Mashën, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim.
Mbi ish-deputetin rëndojnë akuzat për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Tregtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”. Përmes aplikacionit SKY ai komunikoi informacione sekrete me personazhe të krimit në Durrës.
Intervista e plotë:
Zëri i Amerikës: A ju ka shqetësuar një numër jo i vogël ish-zyrtarësh, zyrtarësh të lartë, përfaqësuesish tuaj, kyetarë e ish kryetarë bashkish e së fundmi edhe deputetë, të cilët janë nën hetim nga SPAK-u, të paktën për shpërdorim detyre apo korrupsion?
Kryeministri Rama: Kjo pyetje më bëhet qëkur SPAK-u ka filluar të veprojë dhe gjithmonë më shkakton habi, sepse mund të më bëhej në mënyrë këmbëngulëse, nëse unë do të isha një person i gjendur gafil përballë produkteve ose rezultateve të një reforme të bërë nga të tjerë. Po unë nuk jam një person i gjendur gafil dhe reformën në drejtësi e kam bërë unë në krye dhe Partia Socialiste e gjitha në mbështetje të kësaj reforme. Kështu që, natyrisht që mua nuk më vjen mirë në aspektin njerëzor dhe personal për njerëz të cilët i njoh, me të cilët kam punuar, me të cilët kam bashkëpunuar nga më larg ose nga më afër, por kur bëhet fjalë për detyrën që kam, kur bëhet fjalë për misionin që udhëheq, kur bëhet fjalë për faktin se ky është një proces i dhimbshëm, përmes së cilit Shqipëria do të bëhet më në fund shteti, që nuk u bë kurrë dhe, falë të cilit në Shqipëri pandëshkueshmëria tanimë nuk është një mit, por është një monument i rrëzuar, dhe për herë të parë në historinë e Shqipërisë, qysh nga shpallja shtet më 1912-n, ka individë të lidhur me pushtetin politik, qofshin në radhët e shumicës që qeveris apo në radhët e shumicës që ka qeverisur, atëherë këtu është për t’u habitur me habinë e kujtdo qoftë, por unë personalisht ndjehem absolutisht i qetë, i qartë dhe i vendosur, akoma më i vendosur, që kjo betejë të vazhdojë dhe të mos ketë asnjë kompromis.
Zëri i Amerikës: A përbën një fakt të rëndë që ish deputeti juaj Jurgis Çyrbja, sipas hetimeve deri tani, rezulton të jetë katapultuar në pjesën e sipërme të listave për deputetë me mbështetjen e krimit të organizuar?
Kryeministri Rama: Së pari, përsëri më bëni një pyetje që përgjigjen e ka marrë, e mori dhe këtu dhe është e kotë që të kërkoni një përgjigje tjetër. Kështu që, këto janë tërësisht pa lidhje me detyrat e mia dhe me funksionet e mia. Unë thjesht përgjigjem për punën time, për detyrën time. Detyra ime nuk është, që të bëj punët e një pushteti tjetër të pavarur.
Zëri i Amerikës: Bëhet fjalë për emra të rëndësishëm të politikës dhe jetës publike. Kështu që, detyrimi është për të marrë një opinion nga ju.
Kryeministri Rama: Opinioni im dihet. Është i njohur botërisht. Përballë drejtësisë dhe përballë ligjit dhe përballë të drejtës së institucioneve të drejtësisë për të bërë punën e tyre, nuk janë emrat që caktojnë se për kë e bëjnë apo për kë s’e bëjnë punën, por janë faktet dhe janë liritë dhe të drejtat e të gjithëve, që duhen ushtruar dhe duhen vënë në zbatim, duke filluar nga liria dhe e drejta e drejtësisë, që të bëjë detyrën e vet.
Lini një Përgjigje