
Belinda kujdes, kështu e hëngri edhe gjyshi yt, Beqir Balluku
Prologu i një përplasje në partinë e etërve:
Enver Hoxha ishte mik shumë i ngushtë me Beqir Ballukun, ish ministrin e Mbrojtjes. Çdo gjë që kishte të bënte me partinë dhe kryesisht me ushtrinë e diskutonte me të. Kjo ngaqë kishte frikë nga ushtarakët dhe grushtet e shtetit. Në atë kohë vetë Enveri kishte propozuar në parti planin e tërheqjes dhe shmangien e luftrave frontale me ushtritë kapitalisto- revizioniste, me sloganin: në rast rreziku ushtria tërhiqet në male… Merre Beqir, i kishte thënë, mbaje secret dhe nëse nesër gjendemi keq, tërhiqemi në male dhe fillojmë luftën guerile.
Pas ca kohësh, i frikësuar nga Mehmet Shehu dhe grupi i tij, Enveri i thotë mikut të tij, Beqir Ballukut, se partia duhet të marrë masa ndaj shefit të shtabit të përgjithshëm Petrit Dume, Hito Qako dhe të tjerëve, pasi ata janë shmangur nga vija politike e partisë dhe përbëjnë rrezik për atdheun…
Beqiri, si besnik i Enver Hoxhës është gjithmonë gati. Mblidhet Byroja dhe Enveri i kërkon Beqirit të linçojë shokët. Ky i fundit me partishmërinë që e karakterizon ia nis: Partia pasi ka analizuar punën e shokut Petrit Dume, Hito Çako etj., ka konstatuar elemente antiparti, demoralizim të efektivave të ushtrisë popullore, prirje për demotivim dhe tërheqje të ushtrisë, kapitullim ndaj armikut e të tjera si këto… Lidhur sa më sipër propozoj shpalljen e tyre armiq të partisë dhe të popullit…
Pas tij, fjalën e merr Petrit Dume, i cili shquhej për finokëri: Shokë, unë nuk mund të pranoj kurrë të etiketohem armik prej shokut Beqir, në kasafortën e të cilit ekziston plani i kapitullimit të ushtrisë, ndaj i propozoj partisë të kontrollojë në zyrën e shokut ministër… Në sallë krijohet ilaritet dhe Enver Hoxha i zënë ngushtë thotë:
-Të arrestohen të gjithë!
Kaq ishte edhe historia e shokut Beqir Balluku, gjyshi Belindës tonë. Ndaj Belinda kujdes, dialektika na mëson se historia përsëritet…
***
Ashtu siç pritej me mbarimin e zgjedhjeve të 14 majit dhe nisjes së stinës së re politike pas pushimeve, ka filluar një situatë me temperaturë e lartë brenda mazhorancës.
Duket jemi e do të jemi dëshmitarë të asaj që quhet “larje hesapesh” apo luftë fratricide e intensitetit të lartë. Nuk ka pritur shumë ditë nga arrestimi i Vangjush Dakos e mësohet se zv.kryeministrja dhe ministrja e Energjetikës, Belinda Balluku ka firmosur largimin e administratorit të OSHE-së Ardian Çela. Një tip “pezzo novanta” në mazhorancë, jo thjesht për miliardat që administron, por edhe si kreu politik i qarkut Durrës, ku është deputet edhe Babloku.
Siç mësohet, shkarkimi ende nuk është bërë zyrtar, por mësohet se gjithçka është vendosur, madje është gjetur edhe zëvendësuesi, që është Bledian Dalipi, drejtori aktual i njërit prej divizioneve të Operatorit të Shpërndaries së Energjisë, që është OSSH-ja.
Nuk dihet nëse ky vendim i Ballukut është bërë me dakordësimin apo urdhrin verbal të Edi Ramës, i cili deri tani nuk është ndjerë.
Në shkarkimin e drejtorëve kaq të lartë siç është CEO i OSHE-së, është marrë vetë kryeministri.
A mos ka lëvizur në mënyrë autonome Belinda Balluku, e cila ka pasur prej kohësh përplasje me Ardian Çelën?
Dhe e ka bërë këtë pas zërave që flasin për largimin e mundshëm apo lëvizjen e saj nga dikasteri që drejton?
Nëse ka ndodhur kjo, atëherë kemi të bëjmë me një zhvillim shumë të fortë, e së shpejti do të jemi dëshmitarë të një përplasje me nivel të lartë eksplozioni.
Por nëse Rama, ka dashur të heqë gështenjat me dorën e Belindës, siç vepron shpesh, edhe kjo tregon situatën mjaft delikate të tij në kuadër të operacionit për arrestimin e Vangjush Dakos. Pasi ndryshe nga ç’shitet i plotfuqishëm, ai duket ka frikë se mos i shpërthen bomba në dorë, ndaj ka përdorur atë të “shtrigës”, siç i thërret shpesh.
Çela njihet si një njeri shumë i afërt me Vangjush Dakon, me të cilin ka shërbyer edhe si nënkryetar i bashkisë së Durrësit për disa vite. Por prej vitit 2014, Çela erdhi në krye të OSHE-së si kërkesë e lobit të fuqishëm të Vangjushit, ku bëjnë pjesë emrat të rëndësishëm të kupolës së PS-së dhe biznesmenë të fuqishëm.
Në fakt Çela, që është pas Ramës dhe zyrtari i lartë më jetëgjatë në qeverisjen e PS-së, ka disa çështje të ndërmarrjes që drejton, që hetohen nga SPAK. Madje një vit më parë, në paradhomën e tij u sekuestruan një numër i madh dokumentesh. Por nuk duhet të harrojmë se historia përsëritet. Çfarë mund të ketë në kasafortën e Belindës që e di Ardian Çela?!/Pamfleti
Lini një Përgjigje